Fri, Apr 25, 2025

Si mund të rriten pensionet?

  • PublishedApril 25, 2025
Si mund të rriten pensionet?

“Shtatëmbëdhjetë vota që kam në familje do t’ia jap Arlind Qorit, sepse ai do të na japë para,” i tha këtij gazetari një i moshuar në lulishten në qendër të qytetit të Lushnjes të enjten, ndërsa bisedonte me bashkëmoshatarët e tij.

Tema e pensioneve duket se është bërë debati kyç në këto zgjedhje, për aq sa debatet e karakterit politik mundet të kenë peshë në fushatë. Përveç Qorit, programi i të cilit premton rritje të pensioneve përmes luftimit të informalitetit në punë, (paçi fat me këtë ide), Rama premton rritje pensionesh pa shpjeguar se nga do të vijnë paratë, ndërsa Berisha premton rritje pensionesh duke argumentuar se korrupsioni është rrënja e problemit.

Se si kjo do të luajë rol në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit mbetet për t’u parë. Pyetja kyçe është se kë nga këta do të besojnë pensionistët se mundet me të vërtetë të bëjë atë që thotë. Pensionet në Shqipëri nuk janë rritur në mënyrë domethënëse që nga viti 2009 dhe pensionet e reja janë gjithnjë e më të ulëta, për shkak se një gjeneratë shqiptarësh që ka punuar me hope përgjatë tridhjetë e pesë viteve të fundit, po del në pension me vite kontributive jo të plota.

Për këdo që nuk e di, skema shqiptare e pensioneve (dhe e shumë vendeve të botës) quhet pay as you go, dhe do të thotë, paguaj ndërsa ikën. Punëtori paguan kontribute të sigurimeve shoqërore. Autoriteti shtetëror i merr këto para dhe ia jep pensionistit. Në këtë kontekst, nëse do të kesh pensione më të larta, ose do të duhet të kesh më shumë të punësuar, ose do të duhet që këta të punësuar të kenë paga jashtëzakonisht të larta, në mënyrë që të paguajnë sigurime shoqërore të larta. Zgjidhje tjetër është që të ngarkosh me më shumë taksa shqiptarët që punojnë për të mundësuar rritjen e pensioneve për pensionistët.

Këto të gjitha janë jorealiste. Nëse e nisim nga e fundit, nuk është e mundur që shqiptarëve që punojnë t’u kërkohen më shumë kontribute. Shqiptarët paguajnë sakaq 25% të pagës për kontribute, ndryshe nga vendet normale si Gjermania, 18.6%, Franca 15.45% apo Greqia, 20%. Që të kërkosh nga të punësuarit, jo 25 por, fjala vjen, 35% të pagës, ngjan shumë e paarsyeshme.

Lufta kundër informalitetit, ndonëse informaliteti ekziston, qoftë në të punësuar në të zezë, qoftë përmes nëndeklarimit të pagave, ka gjasa që çfarëdolloj qeverie do ta ketë shumë të vështirë ta realizojë dhe, nëse e bën, ka gjasa që efekti i përgjithshëm buxhetor të mos jetë shumë i madh. Shumica e të ashtuquajturve, të punësuar në informalitet janë fshatarë. Ekonomia e tyre nuk lejon taksimin me 200 apo 300 euro kontribute në muaj që nevojiten për të rritur pensionet.

Rrugët e shkurtra

Buxheti i shtetit gjatë vitit të kaluar kishte 7,2 miliardë euro të ardhura dhe nga këto, 2.52 miliardë euro, ose 35% e të gjitha të ardhurave u përdorën për të paguar pensionet dhe sigurimet shëndetësore. Pensionet më vete hëngrën 1.9 miliardë euro ose 27% të të gjitha të ardhurave. Dhe ndonëse pensionet mesatare ishin vetëm 18 mijë lekë ose 180 euro, kur llogariten të gjitha pensionet dhe sigurimet shëndetësore bashkë, arrihet në shifrën e frikshme të 2.52 miliardë eurove ose më shumë se 1 në çdo 3 lekë të ardhura. Nga kjo kuotë është e vështirë që të shohësh ndonjë perspektivë rritjeje, pavarësisht se kë prej premtimeve për rritje pensionesh zgjedh të votosh. Nëse dëshiron të rrisësh fondin e pensioneve me, fjala vjen, 10%, atëherë të duhen 190 milionë euro shtesë e nëse do ta rrisësh me 20%, të duhen 378 milionë euro.

Tani, imagjinoni që një i punësuar me pagë 50 mijë lekë, paguan sigurime në masën 25% ose 125 euro. Për të paguar rritjen 10%, të duhen ca.

Megjithatë, shpenzimet e buxhetit të shtetit ndahen në tre kategori: a) në shpenzime për paga e të tjera operative të funksionimit të përditshëm të shtetit, në b) shpenzime sociale, si pensionet dhe c), investimet.

Vitin e kaluar, 1.1 miliardë euro u paguan për rroga në shtet dhe 800 milionë ishin shpenzime “operative dhe të mirëmbajtjes”.

Ndërsa 1.15 miliardë të tjera ishin fondi i investimeve publike, për punë të tilla si rrugë apo ujësjellësa.

Nëse do të vësh mënjanë, fjala vjen, 378 milionë euro për të rritur pensionet me 20%, atëhere mundet të pushosh nga puna 30% të forcës punëtore të shtetit, e cila është rreth 180 mijë vetë aktualisht, dhe me paratë e kursyera prej tyre të paguash rritjen e pensioneve.

Ose mundesh të eliminosh një të tretën e programeve të investimeve publike dhe u krye. Ose mund të bësh një përzjerje të këtyre të dyjave, d.m.th., të heqësh nga puna 20 apo 30 mijë vetë nga sektori publik si dhe të shkurtosh investimet me 10 apo 20%.

Të dyja mund të bëhen dhe, akshe, akshe, nuk janë as shumë të paarsyeshme.

Administrata publike është fryrë gjatë viteve të qeverisjes socialiste, dukshëm për të mbledhur vota dhe, nëse pensionistët duan pensione të larta, bëjnë mirë të shohin se sa prej pensioneve të tyre përfundojnë në xhepat e një numri parazitësh të shtuar me bollëk në administratë, në një kohë kur popullsia e vendit është në rënie.

Shkurtimet mundesh t’i nisësh në fakt që nga Parlamenti. Duke qenë se numri i deputetëve, 140, është konceptuar tridhjetë e pesë vjet më parë për një popull me 3.2 milionë banorë ndërsa ne sot jemi 2.4 milionë dhe në rënie, është krejt brenda arsyes që parlamenti të ketë 120 apo 110 deputetë.

Ndërsa investimet publike, aktualisht ato janë jashtëzakonisht shumë joefikase, me para të hedhura kuturu për rrugë ku nuk ka makina apo me tenderë që ulërasin flamuj të kuq manipulimi dhe korrupsioni.

Këto rrugë të shkurtra gjithsesi, ndërsa mundësojnë rritjen e menjëhershme të pensioneve në një masë jo të vogël, nuk janë të qëndrueshme. Administratën publike mund ta shkurtosh një herë dhe programin e investimeve nuk mundet ta bësh zero.

Rruga e gjatë

Rrjedhimisht, për të rritur pensionet, mbetet vetëm rruga e gjatë. Rruga e gjatë kërkon qeverisje të mirë, korrupsion zero, administratë publike të vogël dhe funksionale, investime publike efikase. Këto bashkë duhet të sjellin rritje ekonomike, vende të reja pune dhe, vendet e reja të punës, nga ana e vet mund të sjellin kontribute më të larta për skemën e pensioneve, të cilat, në instancë finale, kthehen në pensione më të larta. Në rast se këto të gjitha bëhen, ekonomia mund të rritet, në terma nominalë, me 6 apo 7% në vit dhe kjo mund të lejojë rritjen e pensioneve me 4 apo 5% në vit. Me rritje 4% në vit, pas dhjetë vjetësh, pensioni mesatar do të arrijë në 266 euro nga 180 që është aktualisht, ndërsa me rritje 5% në vit, do të arrijë, në vitin 2033, në 293 euro.

Nëse ju pëlqejnë rritjet më të larta, këto natyrisht që gjenden në botën e përrallave.