“Trajnime dhe programe të personalizuara për mësuesit”, Manastirliu: Rritim pagat dhe kredi me interes zero për shtëpi
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me mësuesit e shkollës “Ibrahim Brahja” në Sauk, ku ndau prioritetet e ministrisë për mbështetjen dhe zhvillimin profesional të mësuesve.
Duke folur për skemën e re të kualifikimit, Ministrja Manastirliu theksoi se ajo garanton trajnime falas për mësuesit në të gjitha lëndët.
“Vetë Ministria e Arsimit, përmes ASCAP-it, është angazhuar që përmes universiteteve publike dhe trajnimeve nga pedagogë të universiteteve publike të realizojë programe të trajnimit apo të edukimit në vazhdim të mësuesve në të gjitha lëndët. Ndërkohë që përgatitemi edhe për vitin 2026–2027 për të zgjeruar trajnime edhe më të personalizuara,” u shpreh ajo.
Ministrja theksoi se përmirësimi i infrastrukturës laboratorike kërkon një përgatitje të thelluar edhe për mësuesit e shkencave.
“Sot shohim që përmirësimi i infrastrukturës, sidomos asaj laboratorike, kërkon që edhe mësuesit, sidomos ata të shkencave natyrore, të kenë trajnime nga universiteti për aspekte që lidhen me programet laboratorike të kimisë apo të fizikës. Ndaj jemi shumë të angazhuar për të krijuar module të posaçme të personalizuara sipas nevojave të grupeve të mësuesve në klasa të ndryshme e cikle të ndryshme, në mënyrë që të kemi një rritje të aftësive dhe kompetencave të mësuesve në vazhdim në lëndë të ndryshme,” tha Manastirliu.
Sa i përket mbështetjes ekonomike për mësuesit, Ministrja Manastirliu kujtoi rritjen historike të pagave dhe paralajmëroi se kjo mbështetje do të vijojë. “Mbështetja për mësuesit, e cila u realizua në korrik të vitit 2024 me rritjen historike të pagave, do të vijojë. Do të kemi gjithashtu edhe një riorganizim tërësor të mësimit jashtëshkollor, sepse duam të përfshijmë edhe programe jashtëshkollore, në mënyrë që të lehtësojmë prindërit, por mbi të gjitha të kemi një garanci më shumë për edukimin e fëmijëve në këto programe,” u shpreh ajo.
Gjithashtu, Ministrja bëri të ditur vijimin e politikave të mbështetjes me kredi me interes zero për strehimin e mësuesve:
“Ne kemi hapur dhe për këtë vit një tjetër thirrje që do të mbështesim sërish mësues dhe do të kemi mundësi të vijojmë edhe në të ardhmen me programin e kredive të lehtësuara për programin e blerjes së banesës së parë për mësuesit,” përfundoi Manastirliu.
()