Vizita historike në Tiranë, Bushati: Ja pse Papa Françesku erdhi në Shqipëri, mesazhi i tij ishte…
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, Zef Bushati, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka kujtuar vizitën historike të Papa Françeskut në Shqipëri në vitin 2014, e para vizitë zyrtare e tij në Evropë pas marrjes së detyrës.
Bushati tha se zgjedhja e Shqipërisë nga Papa Françesku nuk ishte rastësore, por një mesazh i fortë për botën mbi bashkëjetesën fetare që karakterizon vendin tonë. “Ai donte të tregonte si mesazh, se në Shqipëri, besimtarët e të gjitha feve jetojnë në harmoni dhe respekt të ndërsjellë,” u shpreh Bushati.
Sipas tij, entuziazmi i popullit shqiptar për ta pritur Papën ishte një tjetër dëshmi e këtij realiteti unik. “Të gjithë besimtarët donin ta shihnin dhe për Papën kjo ishte diçka e mrekullueshme,” theksoi ai.
Në mesazhin e tij, Papa Françesku apeloi për ruajtjen me fanatizëm të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, duke e cilësuar këtë një pasuri të rrallë që duhet mbrojtur në çdo kohë.