Sat, Apr 26, 2025

Vllaznia, me më të mirët! Në Shkodër duan fitoren kundër Laçit dhe 100 milionët

  • PublishedApril 26, 2025

Vllaznia, me më të mirët! Në Shkodër duan fitoren kundër Laçit dhe 100 milionët

Ekipi i Vllaznisë do ta mbyllë sezonin e rregullt në Superiore me ndeshjen e ditës së diel në orën 15:30 përballë Laçit.

Shkodranët do të presin në “Loro Boriçi” kurbinasit, për të mbyllur një edicion në nivele të kënaqshme për skuadrën kuqeblu. Megjithatë, “misioni” ende nuk ka përfunduar për ekipin e Brdariç, që përveçse duhet të sigurojë vendin e dytë në renditje, duhet të mendojë edhe për “Final 4”. Kështu, ndaj bardhezinjve në fushë do të hidhen futbollistët më të mirë të mundshëm. Me Laçin, i cili i dëshpëruar për pikë dhe mbijetesën nuk nënvlerësohet aspak në kampin shkodran. Kështu, nga porta do ta nisë nga minuta e parë si gjithmonë Jukaj.

Në mbrojtje, duket se do të ketë ndryshime, ku emra si Bajrami dhe Çoba duken favoritë ndaj Stojanoviç dhe Jagos. Me Gurishtën djathtas dhe Repajn në qendër që po ashtu kompletojnë prapavijën. Në mesfushë trajneri Brdariç duket se do t’u besojë atyre futbollistëve që hodhi në fushë në ndeshjen e fundit kundër Dinamos në kupë, ku emra si: Krymi, Qato dhe Deliu pritet të formojnë repartin. Në sulm i padiskutueshëm është Bekim Balaj, e ndërsa djathtas pritet të aktivizohet Mala. Në linjën e majtë të sulmit, duket se ka një dilemë mes Dodajt dhe Grudës. “Mister” që pritet të zbulohet vetëm para nisjes së ndeshjes me Laçin.

STATISTIKAT – Statistikat e këtij sezoni në ndeshjet mes Vllaznisë dhe Laçit tregojnë për një baraspeshë mes dy skuadrave. Dy ekipet, të cilat konsiderohen si më të fortat në veri dhe shpesh përballjet mes tyre janë cilësuar si “derbi”, kanë pasur një balancë në duelet e këtij sezoni. Kështu, në fazën e parë, në ndeshjen e zhvilluar në Laç do të ishin vendasit që do të dilnin triumfatorë, ku autogolit të Dajsinanit, kurbinasit do t’i përgjigjeshin me golat e Papës, Kordeiros dhe Mjakit.

Në fazën e dytë do të ishte Vllaznia që do t’u kthente “reston” bardhezinjve. Shkodranët merrnin 3 pikët e plota në “Loro Boriçi” falë rezultatit 2-1. Për kuqeblutë shënonin Dodaj dhe Delaj e ndërsa për Laçin gjente rrjetën Bullari. Në barazim do të mbyllej dueli i fazës së tretë, ku Laçi i ndodhur në avantazhin e dyfishtë falë golave të Myrtës dhe Tresës, do të arrihej nga rrjetat e Mensah dhe Çobës, për rezultatin 2-2 në përfundim të 90 minutave në Kurbin. Të dielën do të shihet nëse dy ekipet do të ruajnë këtë balancë mes tyre apo ndonjëra prej skuadrave do të arrijë të thyejë “akullin” e këtij sezoni.


AlbaniaWeb.net