Wed, May 7, 2025

Flamurtari konfirmon Pollozhanin në stol, ja kush mund emërohet si Drejtor Sportiv i klubit vlonjat

  • PublishedApril 27, 2025

Flamurtari konfirmon Pollozhanin në stol, ja kush mund emërohet si Drejtor Sportiv i klubit vlonjat

Flamurtari nuk do të hapë “tender” për trajner, pasi ”timonierin” e kanë tashmë në familje. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se Sinan Idrizi i ka dhënë bekimin Artim Pollozhanit.

42-vjeçari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, që ngjiti Flamurtarin në Superiore, do të jetë trajneri i kuqezinjve edhe në elitë. Klubi vlonjat ka besim te Pollozhani, për shkak se ai ishte “arkitekti”, i cili ndërtoi skuadrën në nisje të sezonit 2024-2025, kur në Vlorë ishte në rolin e drejtorit teknik dhe pas pesë vitesh arriti që ta ringjisë Flamurtarin në mes të ekipeve më të mira shqiptare.

Pollozhani solli thuajse të gjithë lojtarët verën e kaluar në Vlorë, por bëri të gjitha përpjekjet që të sillte edhe trajnerin Jeton Beqiri, të cilin e pritën shumë, por ai nuk u shkëput dot nga Shkëndija e Tetovës. Më pas, Pollozhani në bashkëpunim me presidentin Idrizin vendosën të emëronin trajner Andrea Agostinelin, që u largua katër ndeshje para fundit të kampionatit.

Pasi emëroi edhe italianin në pankinë, shqiptari nga Maqedonia e Veriut u largua nga detyra e drejtorit teknik, për të provuar një aventurë të re si trajner te Ballkani. Si për koincidencë, pas largimit nga Ballkani, Pollozhani mbërriti sërish në Vlorë pas telefonatës së Idrizit, menjëherë pas ndeshjes me Pogradecin, që u humb nga kuqezinjtë 2- 1 dhe solli edhe shkarkimin e Agostinelit. Artim Pollozhani ka qenë edhe futbollist i Flamurtarit gjatë karrierës së tij në sezonin 2017-2019, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

TAKIMI IDRIZI-POLLOZHANI  – Artim Pollozhani është takuar së fundmi me presidentin Sinan Idrizi për të ardhmen. Gazeta zbulon se në takimin kokë më kokë është diskutuar për vijimin e bashkëpunimit. Madje, Idrizi i ka kërkuar Pollozhanit që të nisë menjëherë nga puna për të ndërtuar skuadrën e Superiores. Kreu i klubit i ka thënë trajnerit se nuk do të kursehet në financa, ndaj i ka vënë kusht të sjellë lojtarë elite. “Mos më kurseni për asnjë gjë. Financat i keni. Te Flamurtari dua lojtarët më të mirë, pse jo të jenë edhe pjesë e Kombëtares. Shikoni në tregun vendas, por edhe jashtë Shqipërisë. Synoni lojtarë me eksperiencë dhe emra. Dua një skuadër cilësore dhe dinjitoze”, mësohet se i ka thënë Idrizi trajnerit Pollozhani.

NDRYSHIMET NË KLUB – Sinan Idrizi është i vendosur që pas kthimit në Superiore të bëjë ndryshime edhe në kupolën drejtuese të klubit. Hapet gara për drejtor sportiv. Idrizi është i hapur për çdo propozim që mund të vijë, apo edhe për çdo vetofrim të figurave të njohura, pavarësisht se kanë dhënë kontributin e tyre në futbollin vlonjat apo jo. “Panorama Sport” mëson se ka një kandidaturë që qarkullon për detyrën e drejtorit.

Bëhet fjalë për Tefik Osmanin. Korçari ka pasur një takim edhe me presidentin e klubit Sinan Idrizi. Aktualisht, ai është drejtor sportiv i Vllazniës, ndërsa mbetet për t’u parë në vijim nëse do të ndodh ky transferim i tij nga Shkodra në Vlorë. Për Idrizin, Osmani mbetet kandidatura primare për momentin për këtë detyrë, nisur edhe nga eksperiencat e tij te Tirana dhe Vllaznia.

Duket se do të vijojë bashkëpunimi me Alfred Ferkon. Vlonjati, që aktualisht mban detyrën e drejtorit sportiv, pritet që të “gradohet” sekretar i përgjithshëm i klubit, një pozicion që më parë e ka mbajtur edhe Andi Ribaj dhe që si detyrë do të ketë organizimin e aktivitetit dhe axhendës së klubit. Gjasat janë që pjesë e stafit teknik në sezonin e ri të mbeten edhe Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj, që deri në fund të këtij sezoni ishin zv.trajnerë të skuadrës.

 

 


AlbaniaWeb.net