Gjekmarkaj takime në Kurbin: Pas 11 majit shërbimet do të jenë për qytetarët, jo për klientët e pushtetit
Drejtuesi politik i PD në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, vazhdon takimet e tij në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 Majit, duke theksuar nevojën për ndryshim dhe një pushtet që i shërben qytetarëve.
Në takimin e tij në Gjorm dhe Zheje të Kurbinit, ai theksoi se ky është një moment për të siguruar përfaqësim të drejtë për çdo familje, duke shtuar se “Gjormi dhe Zheja nuk do të jenë më zona të harruara”. Ai ka premtuar se do të hapen mundësi për zhvillim dhe investime, duke siguruar shërbime për qytetarët dhe jo për klientët e pushtetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj theksoi se Partia Demokratike nuk është duke kërkuar vetëm një fitore në zgjedhje, por po ndërton një lëvizje kombëtare për dinjitetin e çdo shqiptari, ndërsa e përmbylli mesazhin e tij duke u shprehur se ndryshimi nuk është më një shpresë, por një realitet që do të triumfojë pas 11 Majit, duke sjellë një të ardhme të re për qytetarët e Shqipërisë.
Postimi i plotë:
Bashkimi ynë është forca që po trondit sistemin e vjetër të Rilindjes 🇦🇱✌️
Në çdo cep të Shqipërisë, në çdo shtëpi, ndjehet nevoja aq e madhe e një pushteti për qytetarët. Në Gjorm dhe Zhejë të Kurbinit, një pjesëmarrje që thërret për ndryshim: çdo familje një përfaqësues. Kjo nuk është thjesht mbështetje, është thirrje për t’u çliruar nga padrejtësia, nga braktisja, nga varfëria e programuar nga Rilindja dhe bashkitë e saj të kapura.
Gjormi dhe Zheja nuk do të jenë më zona të harruara në hartën e shtetit. Aty ku Rilindja ka ngritur mure, ne do të hapim rrugë. Aty ku është mbjellë dëshpërim, ne do të mbjellim mundësi. Investimet do të shkojnë aty ku ka nevojë reale. Shërbimet do të jenë për qytetarët, jo për klientët e pushtetit.
PD nuk po kërkon thjesht një fitore në zgjedhje. Ne po ndërtojmë një lëvizje kombëtare për dinjitetin e çdo shqiptari.
Çdo votë për Partinë Demokratike është votë për një Shqipëri që punon për njerëzit, jo për oligarkët. Për një bashki që i shërben qytetarëve, jo që i harron. Për një të ardhme ku edhe Gjormi, edhe Zheja, edhe çdo fshat i vendit, të kenë të drejtën të zhvillohen, të ecin përpara, të jetojnë me dinjitet.
Ndryshimi nuk është më një shpresë, është një realitet që triumfon pas dy javësh! Pas 11 Majit, fillon puna. Fillon kthimi i besimit. Fillon ndërtimi i një Shqipërie që i përket qytetarëve të saj