‘Qëndruat si statuja!’ – Përplasje e ashpër mes Gertës, Rozanës dhe Laertit
Në studion e “Post Big Brother VIP Albania” mbrëmjen e kaluar nuk munguan tensionet. Një debat i fortë shpërtheu mes Gerta Gixharit, Rozana Radit dhe Laertit, ku protagonistë u bënë akuzat për qëndrime të ndryshuara pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.
Gjithçka nisi kur Rozana e sfidoi Gertën për deklaratat e saj të mëparshme, duke e pyetur pse fillimisht kishte mbështetur fitoren e Gjestit, ndërsa tani shmangej nga dhënia e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë. E qetë në qëndrimin e saj, Gerta sqaroi se gjithmonë kishte vlerësuar Gjestin si fitues, por nuk kishte qenë asnjëherë në krah të Rozanës për këtë qëllim.
Në vijim të debatit, një moment i ndjeshëm nga brenda shtëpisë u soll sërish në vëmendje: ai kur Jozi qëlloi me shuplakë Gjestin. Pamjet treguan qartë se vetëm Gerta dhe Egli iu afruan për ta mbështetur, ndërsa Rozana dhe Laerti qëndruan në distancë, pa ndërhyrë.
Gerta tha: “E kuptova që isha me Gjestin në momentin që Jozi i dha shpullën dhe ju të dy qëndruat si statuja, ndërsa unë i qëndrova pranë”.
Kjo deklaratë ndezi edhe më shumë atmosferën në studio dhe riktheu në qendër të diskutimeve qëndrimet e banorëve në situatat më kritike të lojës.