SPAK heton kontratën e lobimit të PD-së në SHBA

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka filluar verifikimin lidhur me kontratën e lobimit të nënshkruar nga shqiptaro-amerikani Nuredin Seci; presidenti i firmës Continental Strategy LLC, Carlo Trujillo, një ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump; si dhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, në cilësinë e përfituesit – kontratë që ka si qëllim krijimin e marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për këtë lobim, në kontratën e nënshkruar më 4 prill, është përcaktuar të paguhet një tarifë prej 250 mijë USD në muaj për një periudhë prej 24 muajsh, që në total përllogaritet në masën prej 6 milionë USD. Po ashtu, përcaktohet se në momentin e nënshkrimit duhet paguar tarifa për tre muaj.
Sipas kontratës, vlerat monetare do të paguhen nga një fondacion që përfaqësohet nga Nuredin Seci, ndërsa Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë përfituese e shërbimit të lobimit, nuk do të paguajë asgjë.
SPAK bëri me dije të dielën se ka nisur verifikimin për këtë transaksion dhe ligjshmërinë e burimeve që financojnë shërbimin e përcaktuar në kontratë. “Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga SPAk për mediet përmes aplikacionit WhatsApp.
Në kontratën e nënshkruar më 30 mars, parashikohet se kompania e lobimit duhet të ofrojë kundrejt pagesës shërbimet për llogari të Partisë Demokratike të Shqipërisë, krijimin e marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë e SHBA-së; mbështetje për të promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë; si dhe të përdorimit të përvojës së gjerë në marrëdhëniet me qeverinë, ndryshimit të politikave, të shërbimeve ligjore dhe përfshirjes së mbështetësve në linjë me Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe koalicionit Aleanca për Shqipërinë e Madhe, ku bënë pjesë.
Partia Demokratike reagoi të shtunën pas publikimit të kontratës së lobimit duke sqaruar se komuniteti shqiptaro amerikan përmes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA-së. sipas PD-së, synimi i bashkatdhetarëve në SHBA është bashkëpunimi i kësaj partie me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri.
Në njoftimin e PD-së bëhet me dije se kompania ‘Continental’ drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i cili njihet gjithashtu dhe si avokat i presidentit Trump.
“Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA si dhe demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria këto 10 vite për shkak të regjimit të Edi Ramës!”, citohet në njoftimin e PD-së.