Takimi me profesionistët/ “Nisma Shqipëria Bëhet” vë në qendër kontributin e shtresës së mesme
Dhjetëra profesionistë të fushave të ndryshme iu përgjigjën ftesës së koalicionit të të rinjve “Nisma Shqipëria Bëhet” në një tryezë të përbashkët. Në takimin në fjalë u diskutuat mbi sfidat që përballen përditë këta individë në profesionin e tyre, por edhe kontributet në shoqëri.
Gjatë tryezës u theksua nevoja urgjente për reforma konkrete për të lehtësuar punën e përditshme të profesionistëve dhe për të garantuar një mjedis më të drejtë dhe më efektiv për të gjithë.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i koalicionit për Tiranën Endri Shabani, theksoi se të rinjtë po largohen nga zhgënjimi i modelit që ofron politika 34-vjeçare. Ai zbuloi se një nga nismat që synojnë të paraqesin në Parlamentin pas 11 majit është ajo që ka të bëjë me përgjegjësinë personale. Sipas tij, qytetarët nuk duhet të paguajnë më kostot financiare të drejtorëve dhe ministrave për shkarkimet e padrejta nga puna që dënohen me kompensime nga gjykatat.
“Një model ekonomik dallohet nga ata që dalin në krye. Po të shohësh listën emë të pasurve në SHBA janë themeluesit e Microsoft, themeluesi i Facebook, i Amazonit e të tjerë. Pra njerëz që pas konkurrencës në treg kanë sjellë një shërbim të ri. Por kush janë më të pasurit në Shqipëri? Samir Mane që ka patur monopolin e kromit. Shefqet Kastrati i monopolist të naftës, Vilma Nushi e tenderave të shëndetësisë e të tjerë. Pyetja është pse në Shqipëri pasurohen këta? Sepse këta kanë krijuar një rrjetë merimange që nis tek politika dhe i shtrin fijet tek të gjithë sektorët. Shihni rastin e Akademisë së Shkencave, ku në 34 vite janë diplomuar mbi 1 milion të rinj, por në krye të Akademisë kemi ish-ministrin e diktaturës, Skënder Gjinushin” – tha Endri Shabani.
Ai theksoi se e njëjta situatë është edhe në universitetet publike, sporte, media apo qoftë edhe në përzgjedhjen e talenteve në arte.
Për “Nismën Shqipëria Bëhet” shtresa e mesme është jetike për zhvillimin e vendit. Të pranishmit në takim ofruan sugjerime të vlefshme dhe ngritën shqetësime që kërkojnë zgjidhje përmes ndërhyrjeve në legjislativ.
Ne takim u theksua se vendi ynë ka burime të pasura njerëzore, profesionistë të angazhuar dhe me vision, të cilët, nëse dëgjohen dhe përfshihen në proceset vendimmarrëse, mund të bëhen motor i një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë.