Mon, Apr 28, 2025

Korça, rënia e mandateve favorizon barazimin

  • PublishedApril 28, 2025
Korça, rënia e mandateve favorizon barazimin

Votuesit e Qarkut Korçë kanë dhënë rregullisht vota pothuajse të barabarta për të dy krahët e politikës shqiptare, ku votat për socialistët kanë qenë të garantuara ndërsa gjysma tjetër është luhatur dhe ndarë mes PD-së dhe LSI-së. Në rast se PD dhe LSI konsiderohen bashkë, rezultati në katër zgjedhjet e kryera me sistemin aktual ka qenë njësoj, me socialistët që kanë marrë pak më shumë se gjysmën e votave dhe me PD dhe LSI që kanë marrë pak më pak se sa gjysma. Dhe rezultati në mandate, gjë që është më e rëndësishme për shumicën qeverisëse të vendit, është ndarë barabar në dy palë zgjedhje por kalimi i LSI në koalicion me PS në vitin 2013 bëri ndryshimin ndërsa barazimi u kthye në vitin 2017.

Qarku i Korçës dërgoi 12 deputetë në zgjedhjet e vitit 2009 e 2013. Më 2009, mandatet u ndanë 6 me 6 për PS dhe PD ndërsa vota popullore u nda në 47% për koalicionin e udhëhequr nga demokratët dhe 48% për atë të udhëhequr nga socialistët. Një koalicion i udhëhequr nga LSI i quajtur Aleanca Socialiste për Integrim, mori 4% të votave, të pamjaftueshme për të prodhuar mandat dhe pa efekt në ndarjen e mandateve.

Në vitin 2013, LSI, kësaj here në koalicion me PS, arriti t’i marrë ish-aleatëve të vet demokratë 1 mandat, duke ulur PD-në në 5 dhe duke lënë PS-në në kuotën e pandryshuar prej 6 mandatesh.

Në zgjedhjet e vitit 2017, qarku i Korçës ra nga 12 në 11 mandate dhe në këtë rast, rënia në numër tek bëri që socialistët të realizonin një fitore të rëndësishme në mandate me avantazhin e tyre të vogël në vota pasi formula D-Hondt e ndarjes së mandateve favorizon partinë më të madhe nëse ajo fiton qoftë edhe një votë më shumë. Rrjedhimisht, socialistët ruajtën 6 mandatet e tyre por PD ra në 4 mandate dhe LSI mbajti një mandat, për një total 6 me 5 për të dy krahët e politikës.

Në zgjedhjet e vitit 2021, LSI humbi mandatin e saj në Korçë por mandati i humbur nga LSI ra në prehërin e PD-së. Në rast se LSI dhe PD do të garonin bashkë në ato zgjedhje, rezultati do të ishte njësoj, 6 për socialistët dhe 5 për opozitën, sepse socialistët edhe në ato zgjedhje fituan rreth 1600 vota më shumë se sa PD dhe LSI të marra bashkë.

Llogaritë duket se thjeshtohen në zgjedhjet e 11 majit për shkak  se numri i mandateve të qarkut ka rënë nga 11 në 10. Rrjedhimisht, nëse nuk do të ketë ndryshime thelbësore nga rezultatet historike, qarku i Korçës do të dërgojë pesë socialistë dhe pesë opozitarë në parlamentin e ardhshëm. Në rast se ndonjë nga palët dëshiron të marrë gjashtë mandate në Korçë, ajo do të duhet të ndryshojë mendimin e 6 apo 7 mijë qytetarëve nga mbështetja për kundërshtarin në mbështetjen e asaj vetë. Një ndryshim i tillë është jashtë të zakonshmes në zgjedhjet shqiptare.

Në zgjedhjet e pushtetit vendor 2023, socialistët i fituan të gjashta bashkitë e qarkut me 62% të votës popullore. Kandidatët socialistë fituan bashkërisht 66 mijë vota, ose rreth 6 mijë më shumë nga sa kishte marrë Partia Socialiste në vitin 2021. Në rast se socialistët marrin këtë numër votash në zgjedhjet e 11 majit, ato janë afër sigurimit të mandatit të gjashtë në qark.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e kaluara ka rënë në 46% ndërsa për zgjedhjet e 11 majit, rreth 20 mijë votues kanë aplikuar për të votuar nga emigrimi, shifër kjo e barabartë me 16% të votave  të hedhura në zgjedhjet e vitit 2021.

Profili demografik e social

Qarku i Korçës shtrihet në një zonë malore dhe shumë malore në Shqipërinë juglindore, me kuotën më të ulët në zonën e qytetit të Pogradecit, 700 metra mbi nivelin e detit dhe me rrafshnaltën e Korçës në kuotën 830 metra. Zona e Kolonjës është edhe më lartë.

Popullsia e qarkut ishte 173 mijë vetë në Censin e vitit 2023, me rënie 21% përkundrejt vitit 2011 dhe 34% kundrejt vitit 2001. Rreth 56% e popullsisë së qarkut banon në zonat rurale. Popullsia ka rënë si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

Ekonomia është e përqendruar në bujqësi ndërsa turizmi i trashëgimisë kulturore është zhvilluar gjatë viteve në qytetin e Korçës, turizmi i natyrës është zhvilluar historikisht në Pogradec dhe turizmi malor në pothuajse të gjithë territorin.

Industria është e kufizuar ndërsa qytezat e Maliqit, dikur qendër e agroindustrisë, apo Kolonja e Leskoviku po kthehen gradualisht në fshatra.

Kandidatët

, ish-kryebashkiak, ish-zëvendëskryeministër dhe deputet prej vitit 2013 pritet të marrë mandatin e katërt radhazi pasi gjendet në listën e mbyllur të Partisë Socialiste krahas Romina Kukos, zëvendësministre dhe kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës. I treti në listë është Genti Lakollari, drejtor në opozicione të ndryshme të administratës publike qendrore e vendore në Korçë, së fundmi, nënkryetar i Bashkisë Devoll.

, Ledina Aliolli  dhe Bledjon Nallbati janë në listën e mbyllur të Koalicionit Shqipëria Madhështore. Dhjetë kandidatë në secilin krah synojnë të kapin katër mandatet e mbetura duke garuar nga listat e hapura.

Petro Lubonja, një emigrant në Greqi dhe Austri garon në krye të listës së Lëvizjes Bashkë ndërsa Arben Elezi, një ish-kryetar komune garon për Koalicionin Euroatlantik.

Kliko këtu për të lexuar jetëshkrimet e kandidatëve. Link

Kliko mbi foto për të parë fletën e votimit.