QSUT në partneritet me “San Raffaele”, Rama shpall objektivat: Të kthehemi në pikë referimi për Ballkanin
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u firmos marrëveshja për një partneritet strategjik në fushën e shëndetësisë.
Ky bashkëpunim përfshin QSUT-në dhe Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, të cilët do të punojnë ngushtë me qendrën spitalore universitare të njohur europiane “San Raffaele” dhe universitetin “Vita-Salute San Raffaele” të Italisë.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se synimi i këtij partneriteti është transformimi i QSUT-së në një qendër ekselence dhe një pikë referimi për gjithë Ballkanin. Ai sqaroi se bashkëpunimi nuk do të jetë thjesht formal, por do të përfshijë menaxhimin dhe organizimin e përditshëm të qendrës spitalore, bazuar në modelet e suksesit që grupi “San Raffaele” ka realizuar më parë, si në Poloni.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se deri në vitin 2030, pritet që QSUT dhe Universiteti i Mjekësisë të përjetojnë një transformim të thellë dhe të konsoliduar në standardet më të larta të ekselencës europiane.