Detajet e incidentit te “Ali Ademi”, Arjan Telhallari në gjendje të dehur hyri brenda zyrës elektorale të PSD. Policia: Ishte i armatosur, fishekët i ranë në tokë gjatë përplasjes
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Arjan Telhallarin dhe djalin e tij pasi janë konfliktuar me një të ri në ambientet e zyrës elektorale të PSD në zonën e “Ali Demit”.
Në deklaratën zyrtare policia thotë se rreth orës 14:00 në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasve, në ambientet e një zyre elektorale. Me tej policia sqaron se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral. Sipas policisë nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë gjetur dy fishekë.
Policia njofton se shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet. Sipas policisë, një i ri është përfshirë fillimisht në një sherr me një tjetër të ri në këtë zonë. Pas konfliktit, i riu është larguar dhe ka njoftuar të atin, Arjan Telhallari, ky i fundit dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur.
Më pas të dy janë kthyer në vendin e ngjarjes për të kërkuar djalin tjetër, por nuk e kanë gjetur në lokal. Gjatë kërkimeve, ata kanë mësuar se i riu ndodhej në zyrën elektorale, dhe më pas janë futur brenda duke shkaktuar përplasje fizike. Sipas policisë, Arjan Telhallari ka qenë i armatosur dhe gjatë përplasjes i kanë rënë në tokë disa fishekë të pa shpërthyer.
Lidhur me incidentin ka reaguar zyrtarisht Partia Socialdemokrate duke theksuar se incidenti nuk ka të bëjë me zyrën e saj. Ajo ka mohuar çdo përfshirje në konfliktin e ndodhur, duke theksuar se ngjarja ka ndodhur pranë zyrës, por nuk ka asnjë lidhje me ambientin apo aktivitetin e tyre politik.
“Ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën ‘Ali Demi’ nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate. Asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë,” thuhet në reagimin e PSD.
Partia e drejtuar nga Tom Doshi ka dënuar gjithashtu çdo akt dhune dhe ka bërë thirrje që institucionet kompetente të zbardhin plotësisht rrethanat e incidentit.
()