Wed, Apr 30, 2025

Ferrari sheh pikën e kthesës në Formula 1, gati krahët për të fluturuar me rregullat e reja

  • PublishedApril 30, 2025

Ferrari sheh pikën e kthesës në Formula 1, gati krahët për të fluturuar me rregullat e reja

Në tavolinën e menaxhimit sportiv në Maranelo është një pazëll për t’u formuar. Fragmente të një sezoni të Formulës 1, që filloi me 1000 vështirësi dhe që duhet rindërtuar shpejt.

Hapi i parë për kthesën u vendos në Xhedah, me podiumin e parë sezonal për “kokëkuqen”, i arritur nga vendi i tretë i Sharl Lëklerk, i cili më në fund gjeti përshtatjen me makinën SF-25.

REZISTENCË – “Duhet të përpiqemi të mos humbasim pikë në këtë fazë të sezonit, për t’u rikthyer në sulm kur të jem gati”, shpjegoi monegasku. Është një Lëklerk që beson te përmbysja, ashtu sikurse në sezonin e kaluar Ferrari u rikthye në garë për kampionatin e konstruktorëve. Lëklerk është i vetëdijshëm se diçka e rëndësishme mund të ndryshojë muajin e ardhshëm:

“Mendoj se një pikë kthese e sezonit do të jetë në Barcelonë, me prezantimin e krahut të ri të përparmë, që shpresoj se mund të jetë në avantazhin tonë”. Në Spanjë, në fakt, do të hyjë në fuqi një rregull që do të zvogëlojë fleksibilitetin e elementeve individuale të krahut të përparmë, një shtrëngim i kontrolleve që mund të dobësojë forcën e MekLarenit dhe Mercedesit. Të qëndruarit ende në garë për titullin në momentin kur do të shihen rezultatet e këtij ndryshimi në rregullore, që do të futet në fuqi në garën e nëntë, për Lëklerkun mund të prezantojë kthesën e sezonit.

DISAVANTAZH – Aktualisht Ferrari është 110 pikë larg MekLarenit, 33 pikë nga Mercedesi dhe vetëm 11 pikë nga Red Bulli në renditjen e konstruktorëve. Në klasifikimin e pilotëve, Lëklerk është 52 pikë larg nga lideri Oskar Piastri.

“Nuk mund t’i lejoj më vetes që të humbas pikë të tjera”, tha monegasku, i cili në Majami do të përpiqet së bashku me Luis Hamiltonin që të rikuperojnë terren ndaj rivalëve. Në SHBA do të jetë edhe Sprinti i dytë sezonal, teksa në të parin në Shangai Ferrari mori triumfin me pilotin britanik. Luis dominoi falë makinës SF-25 që u ndihmua nga lartësia dhe ngarkesa më e ulët e karburantit gjatë minigarës. Faza e dytë e planit të rikuperimit do të fillojë në Imola, ku skuadra e kuqe do të sjellë azhurnimet teknike më të pritura, të parat e menduara, të cilat shpresohet se do të zgjidhin problemet e këtij fillimsezoni.

Ndërsa faza e fundit do të jetë në Barcelonë, më 1 qershor, kur të futet në fuqi edh rregulli për krahët e përparmë dhe do të nxjerrë në pah nëse forcat në fillim të vitit do të konfirmohen apo jo. Në këtë pikë, për të gjitha ekipet do të jetë e qartë se sa e rëndësishme do të jetë të përqendrohen në sezonin aktual apo të shtyjnë zhvillimet për në Botërorin 2026, vitin e ndryshimit të shumëpritur të rregullores. Mbajtja e të gjitha pjesëve të enigmës në tavolinë deri atëherë do të jetë zgjidhja e vetme e mundshme që Ferrari të mbetet i lidhur me ëndrrën e Kampionatit Botëror.

Screenshot 2025-04-30 122616


AlbaniaWeb.net