Shehaj: ‘Mundësia’ nuk është surprizë, është projekt i ndërtuar me punë kur të tjerët jepnin mend
Kryetari Agron Shehaj nga një takim elektoral në qytetin e Durrësit deklaroi me bindje se në Parlamentin e ardhshëm, Partia Mundësia do të ketë të paktën 7 deputetë, të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit.
Këtë bindje Shehaj tha se e ka marrë nga mbështetja e qytetarëve në terren që thonë se duan ndryshimin e klasës aktuale politike por edhe sondazheve të fundit që e nxjerrin Partinë Mundësia forcë të tretë.
Për të arritur këtë rezultat, Shehaj theksoi se është fryt i punës së madhe që Partia Mundësia ka bërë që nga themelimi i saj, me një program dhe vizion që i sjell vendit ndryshim të qeverisjes dhe jo thjesht një rotacion.
“Zgjedhjet e ardhshme ne do nxjerrim të paktën një grup parlamentar. Po këtë e thosha deri para disa muajsh. Kur pashë sondazhet e fundit tani më duket se duhet të rrisim dhe pritshmëritë”.
Shehaj në fjalën e tij kishte edhe një përgjigje të drejtpërdrejtë për ata që janë shprehur skeptikë për atë që Partia Mundësia sipas tij do të arrijë në këto zgjedhje. Agron Shehaj tha se të tjerët merren me komente dhe analiza, ndërkohë që anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Mundësia, punojnë çdo ditë për një plan që do i vijë në ndihmë çdo qytetari të vendit.
Deklarata e Agron Shehaj nga Durrësi:
Ndërkohë që dëgjoja gjithë këtë habi të madhe, 11.5 % në Tiranë, uau thonë, fillojnë analizat. Më erdhi në mendje dhe kur vendosëm të krijonim Partinë Mundësia, një grup i vogël, këta komentonin, thoshin na mbytën partitë e reja. Ndërkohë që ne propozonim programin tonë, nxorëm kandidatët tanë, nxorëm planin tonë, këta thonin po ia fut kot Agroni, nuk mund të ulen shpenzimet dhe shpërdorimet e shtetit. Nuk mund të ulen taksat, nuk mund të adoptojmë Euron si Kosova e Mali I Zi.
Ndërkohë që ne punojmë, këta japim mend. E ndërkohë që japin mend zgjohen e thonë ua sa shumë që janë rritur, si është e mundur që janë mbi 10% në Tiranë?
Kjo nuk është gjë fare, se këta do çuditen në 12 maj, e disa prej tyre do vënë duart në kokë do thonë si nuk i pamë. Shqiptarët duan ndryshimin dhe do votojnë për ndryshimin. Ndryshimi nuk vjen nga dita në ditë. Që ditën e parë kam thënë projekti ynë politik është afatgjatë. Zgjedhjet e ardhshme ne do nxjerrim të paktën një grup parlamentar. Po këtë e thosha deri para disa muajsh. Kur pashë sondazhet e fundit tani më duket se duhet të rrisim dhe pritshmëritë.