Wed, Nov 27, 2024

Kompania Shell nuk e mban premtimin, vazhdon tregtimin e gazit rus

  • PublishedJuly 2, 2023

Kompania e energjisë Shell po vazhdon ta tregtojë gazin rus, më shumë se një vit pasi u zotua se do të tërhiqej nga tregu rus i energjisë.

Sipas analizës nga grupi Global Witness, kompania ishte e përfshirë në gati një të tetën e eksporteve të gazit rus të transportuar nga anijet gjatë vitit 2022.

Oleg Ustenko, një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Shell-in për pranimin e “parave të gjakut”.

Shell tha se eksportet e raportuara ishin rezultat i “angazhimeve kontraktuale afatgjata” dhe nuk përbëjnë shkelje të ligjeve apo sanksioneve, raporton transmetuesi publik britanik, BBC.

Deri më 9 maj, një cisternë e madhe, që mund të transportojë më shumë se 160.000 metra kub gaz i lëngshëm natyror, u nis nga porti i Sabettas, në veri të Rusisë. Kjo ngarkesë u ble nga Shell para se të nisej për në destinacionin e saj përfundimtar, Hong Kong.

Kjo është një nga tetë ngarkesat me gaz të lëngshëm natyror që Shell i ka blerë nga Yamal këtë vit, sipas të dhënave nga baza e të dhënave Kpler, të analizuara nga Global Witness.

Vitin e kaluar Shell përbënte 12 për qind të tregtisë për gazin të lëngshëm natyror, llogarit Global Ëitness, dhe ishte ndër pesë tregtarët kryesorë të këtij gazi me origjinë ruse gjatë atij viti.

Në mars të vitit 2022, në javët pas pushtimit të Ukrainës, Shell kërkoi falje për blerjen e një ngarkese me naftë ruse dhe tha se synonte të tërhiqej nga nafta dhe gazi rus.

Kjo kompani tha se do ta ndalonte blerjen e naftës ruse, do të shiste stacionet e saj të shërbimit dhe biznese të tjera në Rusi, gjë që e ka bërë. Ajo ka mbyllur edhe ndërmarrjet e saj të përbashkëta me gjigantin shtetëror rus të energjisë, Gazprom.

Shell tha se do të fillonte të tërhiqej nga produktet ruse të naftës dhe gazit, por paralajmëroi se kjo do të ishte një “sfidë komplekse”.

Që atëherë, Shell ka vazhduar të marrë ngarkesa me gaz të lëngshëm natyror nga dy porte ruse, ai në Yamal dhe ai në Sakhal.

Oleg Ustenko, një këshilltar i presidentit ukrainas, tha se “”është shumë e thjeshtë: duke vazhduar tregtimin e gazit rus, Shell po fut para në xhepat e Putinit dhe po ndihmon për ta financuar agresionin brutal të Rusisë kundër popullit të Ukrainës”.

Një zëdhënës i Shell tha se “ekziston një dilemë mes ushtrimit të presionit mbi qeverinë ruse për mizoritë e saj në Ukrainë dhe sigurimit të furnizimeve të qëndrueshme të energjisë. U takon qeverive të vendosin për kompromiset tepër të vështira që duhet të bëhen”.

Shell është tregtari më i madh në botë i gazit të lëngshëm natyror që nuk është sanksionuar në Evropë, duke nxitur kështu miliarda dollarë fitime nga tregtimi i naftës dhe gazit gjatë vitit të kaluar.

Rusia reduktoi ndjeshëm furnizimet e saj të gazit përmes tubacioneve vitin e kaluar, por ka rritur sasinë e gazit që furnizon me anije, përfshirë në Evropë.

Mbretëria e Bashkuar nuk ka importuar aspak gaz rus për më shumë se një vit, ndërsa politikanët e BE-së po përpiqen ta zvogëlojnë sasinë e gazit të lëngshëm natyror rus që importon i gjithë blloku evropian.

Në mars, komisionari i BE-së për Energji, Kadri Simson, u bëri thirrje vendeve dhe kompanive që ta ndalojnë blerjen e gazit rus dhe të mos nënshkruajnë kontrata të reja.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.