Ngjarje e rëndë në Krujë/ Qëllohet me armë ndaj shtëpisë së Gentjan Bejtjes, vritet kunati, plagoset i biri 13 vjeç
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të natës në Larushkë të Krujës ku një person ka humbur jetën dhe dy të mitur janë plagosur.
Gazetari Igli Celmeta raportoi për “BalkanWeb” se persona të paidentifikuar kanë qëlluar ndaj shtëpisë Gentian Bejtjes, ku është vrarë kunati i tij Ramazan Sino dhe i biri 13-vjeçar Alvi Bejtja ka mbetur i plagosur dhe është në gjendje të rëndë. Po i plagosur ka mbetur dhe djali tjetër i Gentjan Bejtjas, 8 vjeç.
“Në fshatin Larushk, në Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., në rrethana ende të paqarta janë qëlluar me armë zjarri shtetasit R. S., 29 vjeç dhe A. B., 13 vjeç, (dajë e nip). Si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë shtetasi R. S., ndërsa shtetasi A. B., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve. Në Tapizë, te lapidari, rreth orës 00:40, është gjetur duke u djegur një automjet dyshohet tip “Volkswagen””, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gentjan Bejtja është një emër i njohur për policinë, pasi së bashku me Enver Stafukën, ishin personat që vodhën makinën e përdorur për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në shkurt të vitit 2013. Gjithashtu, ish-polici Bejtja i ka shpëtuar edhe një atentati me minë të telekomanduar në vitin 2016, ndërsa ka edhe precedentë penalë në krimet ndaj pronës.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–