“Nuk vajta te Clinton sepse ftesën e kisha pa…”, Ngjela: Rama la në baltë Vuçiçin, Ballkani i Hapur ishte dështim
Avokati Spartak Ngjela, i ftuar këtë mbrëmje në Frontline me Marsela Karapançon, tregoi arsyen se përse nuk mori pjesë në ceremoninë e mikpritjes së ish-presidentit të 42 të SHBA-ve, Bill Clinton.
Ai tha se e mori ftesën, por kur pa se nuk i kishin caktuar vend, anuloi pjesëmarrjen e tij.
“Më ftuan po nuk shkova. Pashë që ftesa ime s’kishte numër vendi, dhe thash këta më kanë lënë në këmbë, dhe s’vajta se do thonin mediat ja e lanë në këmbë, shiko si është katandisur, e thënë me humor. Sot më thanë e kishe gabim sepse vendin do ta jepnin atje. Ajo në këmbë nuk më interesonte, do thonin ja si e kanë katandisur”, tha Ngjela.
Ndërkohë për deklarata nga opozita se vizita e Clinton ishte e sponsorizuar nga Soros, ai tha: Pse Clintonin, Soros e drejton? Amerika është shtet kapitalist. Çdo njeri që paguan shkon, dhe Soros ka paguar dhe ka shkuar me ata të vetët. Nuk e di sa ka qenë çmimi. Kjo është e gjitha lojë që bëjnë këta të Saliut. Pse çfarë është Soros, si mund të drejtojë Amerikën”, tha ai.
Por si e komenton Ngjela mbylljen e Ballkanit të Hapur?
“Ballkani i Hapur do ligj, pa ligj nuk ka. Pe ndonjë projektligj? I kam pyetur dhe u kam thënë ku e kishit ligjin? Po me vendim qeverie… është çështje thelbësore e tregut. E dija që do dështonte. Por Vuçiç është mërzitur. Rama ka bërë gabim historik që bashkëpunoi me të. Pasi e pa që gjeti pengesë, e la në baltë Vuçiçin”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–