Gara për kreun e ri të PD, Basha takim me qytetarët në Tiranë: Do të bashkojmë forcat që qytetarët të kenë ndikim në qeverisjen e vendit
Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e degës 11 në Tiranë.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Basha u shpreh se është i domosdoshëm fuqizimi i rinisë, duke shtuar se opozita do të bashkojë forcat për të gjithë qytetarët shqiptarë që të kenë mundësi të ndikojnë në qeverisjen e vendit.
“Ne do t’i bashkojmë forcat dhe energjitë tona me të gjithë shqiptarët që duan të kenë në duart e tyre pushtetin, për të zgjedhur dhe ndikuar në qeverisjen e vendit”, u shpreh ai.
STATUSI I PLOTË:
Hapja, modernizimi, fuqizimi i rinisë dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike do jenë pjesë e përditshme e përpjekjeve tona për të rritur besimin dhe inkurajuar angazhimin e të rinjve në politikë.
Ndryshimi që shumica e heshtur kërkon do të nisë nga familja jonë politike për t’u shtrirë më pas në të gjitha institucionet vendimmarrëse të vendit.
Ne do t’i bashkojmë forcat dhe energjitë tona me të gjithë shqiptarët që duan të kenë në duart e tyre pushtetin, për të zgjedhur dhe ndikuar në qeverisjen e vendit.
Aleanca Qytetare për Demokracinë është mjeti në shërbim të këtij bashkimi, pavarësisht bindjeve politike, por të qartë se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore për të cilat vendi ka nevojë janë kushti paraprak për të çliruar potencialin e jashtëzakonshëm politik dhe ekonomik që vendi ynë ka.
Me listat e hapura, vetting-un e politikanëve, kufizimin e mandateve, votën e diasporës, zgjedhjen e Presidentit nga populli, duke i dhënë kopetenca kontrolli mbi vendimet e Parlamentit dhe qeverisë, ne çelim siparin e një debati të madh kombëtar, e me forcën e bashkimit do t’i bëjmë realitet.
Duhet t’i japim fund pushtetit pakufi, vendimmarrjes që bazohet në vullnetin e një individi, duke i dhënë peshë votës së qytetarëve dhe rritur mekanizmat e kontrollit nga Parlamenti.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–