SPECIALE/ Protesta e studentëve “maja e ajsbergut” e problemeve të sistemit shëndetësor, nepotizmi dhe pagat e ulëta, arsyet kryesore të largimeve
E gjitha nisi me këtë paralajmërim të kryeministrit Edi Rama, si një masë për të mbajtur studentët dhe mjekët e rinj në Shqipëri. Pas muajsh diskutime, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ajo e Arsimit, Evis Kushi, së bashku me rektorin Arben Gjana, shkuan nëpër auditorë për të hapur një cikël konsultimesh me studentët e mjekësisë.
Studentët e kundërshtuan draft-propozimin e ministrisë, që i detyron ata të japin kontributin e tyre për 3 vite në Shqipëri, ose në të kundërt, duhet të paguajnë një tarifë vjetore prej 5 mijë eurosh në muaj, aq sa këto dikastere pretendojnë se është kosto reale e një mjeku në progres.
Me sezonin ende në vazhdim, studentët thonë se kjo situatë i ka futur në një gjendje ankthi dhe stresi. Nuk janë kundër të punojnë në vendin e tyre, përkundrazi, shprehen se pikërisht kjo ishte arsyeja që zgjodhën këtë profesion, por sipas tyre, se pari duhet të përmirësohen kushtet ne sistemin shëndetësor.
Pas thuajse 10 ditësh pa një përgjigje, dy ministret, Kushi dhe Manastirliu deklaruan pas mbledhjes së përjavshme të qeverisë se janë ende në një fazë konsultimi të gjerë me shumë aktorë të përfshirë.
Studentët nga ana tjetër, janë të palëkundur nga kërkesat e tyre. Ata thonë se nuk do e pranojnë këtë draft-propozim, e nëse zëri i tyre bie në vesh të shurdhër, do të derdhen sërish në rrugë e para ministrive, për të kërkuar të drejtën që pretendojnë se po iu mohohet.
Si pedagog, por edhe si një mjek që ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e tij në Shqipëri, Rustem Celani pranon se sistemi shëndetësor paraqet shumë vështirësi për bluzat e bardha, duke nisur që nga kushtet në të cilat atyre iu duhet të punojnë, e deri te nepotizmi, i shtrirë në hallkat drejtuese të sistemit.
Edhe pse të larguar prej vitesh nga Shqipëria, mjekët që jetojnë dhe punojnë në vendet Evropiane vështrojnë me vëmendje situatën aktuale të shëndetësisë shqiptare. Ata kundërshtojnë draft-propozimin e ministrive ndaj studentëve, ndërsa tregojnë me detaje mangësitë që ofron shërbimi shëndetësor dhe si një sy i jashtëm, ofrojnë zgjidhjet imediate.
Ekspertë dhe njohës së fushës, por edhe vetë specializantë, tregojnë për “Neës 24”, trajtimin jo dinjitoz që iu ofrohet. Specializantët në Shqipëri jo vetëm që punojnë pa pagesë, por duhet të paguajnë një tarifë vjetore prej 1.2 milionë lekësh të vjetra.
Aktivistë dhe ekspertë punësimi e cilësojnë largimin e mjekëve si një plagë të shoqërisë shërimi i së cilës duhet të kthehet në prioritet kombëtar, duke i ofruar kushte më të mira pune dhe mundësi progresi profesional.
Si një ndër vendet më të varfra të Evropës, Shqipëria nuk e ka luksin të “prodhoje” mjekë për shtetin më të pasur, siç është Gjermania. I këtij mendimi është pedagogu dhe analisti Ervis Iljazaj, i cili tha se studentët dhe mjekët e rinj, duhet ta kthejnë mbrapsht kontributin që taksapaguesit shqiptarë kanë dhënë për ta. Ai tha se idealja do të ishte të përmirësoheshin kushtet e sistemit shëndetësor, që prapë se prapë nuk do të ishin asnjëherë në nivelin e vendeve të BE. Kësisoj sipas tij, shteti duhet të gjejë të tjera mekanizma për të mbajtur jo vetëm mjekët, por edhe profesionistë të tjerë në atdhe.
Eksperti Ilir Gëdeshi, ka publikuar së fundmi një studim mbi shifrat reale dhe arsyet se përse emigrojnë mjekët. 40% e totalit të njerëzve që largohen nga Shqipëria janë mjekë, që ekspertët e konsiderojnë si “ikje të trurit”, që krahasuar me rajonin është tepër e lartë. Aktualisht janë mbi 2500 mjekë që janë larguar, në vende kryesisht si Gjermania dhe Italia, mosha mesatare të cilëve janë 25-40 vjeç. Nga mjekët në emigrim vetëm 15 % prej tyre mendojnë kthimin në atdhe. Ata nuk duan të kthehen, pikërisht për arsyet që i bënë të largoheshin, e që lidhen me pagat e ulëta, nepotizmin, mungesën e progresit profesional dhe ndikimin e politikës në sistemin shëndetësor. Mjekët e larguar dëshirojnë të japin në një formë kontributin e tyre nëpërmjet seminareve dhe shkëmbimeve të eksperiencave, por thonë se qeveria shqiptare dhe ministria përkatëse, nuk ua ka kërkuar një gjë të tillë. Për të rritur numrin e mjekëve në vend janë shtuar kuotat për studentët që pranohen në universitetin e mjekësisë, gjë të cilën Ministria e Shëndetësisë do e aplikojë duke e nisur nga viti i ardhshëm akademik, por përmirësimi i kushteve renditet në prioritetet imediate. OBSH në një raport të saj, tregon se mbajtja e mjekëve me detyrim në vendin e tyre është një politikë e gabuar dhe si e tillë sugjeron qe vendet të cilat po përballen me hemoragjinë e bluzave të bardha të përmirësojnë pagat, kushtet e punës dhe sistemin meritokratik, kushte të cilat, mesa duket ne Shqipëri ende nuk janë plotësuar.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–