Mon, Nov 25, 2024

Prokurori Enklid Gjini jep shpjegime për të tre kriteret e rivlerësimit

  • PublishedJuly 6, 2023

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës u përball të enjten më 6 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për gjetjet dhe barrat e provës në të tre kriterte e rivlerësimit, duke pretenduar se kishte arritur nivel të besueshëm dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Gjini po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga , me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komiin. Seanca u ndoq nga vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler.

Enklid Gjini e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. KPK nuk ka gjetur probleme për një apartament në Fier, të përfituar nga familja e subjektit nëpërmjet privatizimit, ku ai zotëron 1/3 pjesë takuese.

Po ashtu, ka rezultuar me burime financiare të mjaftueshme për blerjen e një apartamenti në vitin 2002 kundrejt shumës 40 mijë euro, të shlyer deri në 2005-ën. Si burime krijimi të kësaj pasurie, Gjini ka deklaruar 10 mijë euro të dhuruara nga gjyshja, me të ardhurat e përfituara nga shitja dhe dhënia me qira e pronave, si dhe të ardhurat nga pagat e tij e të bashkëshortes nga viti 1996 e në vijim.

Relatorja Shuli pohoi se nga hetimi administrativ ka rezultuar se gjyshja e subjektit ka krijuar të ardhura nga dhënia me qira e një shtëpie, si dhe ka qenë bashkëpronare me 1/32 pjesë takuese në një pronë që është shitur për 320 mijë USD, duke rezultuar me burime financiare të mjaftueshme për krijimin e vlerës 10 mijë euro.

Po ashtu, ka rezultuar se prokurori i Gjinit dhe bashkëshortja e tij kanë investuar në depozita bono thesari që i kanë shitur përpara maturimit, për të shlyer detyrimet.

Komisioni ka verifikuar edhe një apartament 1+1, pasuri të cilën subjekti ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2007 kundrejt çmimit 1.9 milionë lekë, me burim të ardhurat dhe një kredi. Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se në kontratën noteriale është përcaktuar shitja e apartamentit në vlerën 30 mijë euro. Bazuar në këto të dhëna, KPK konstaton kontradikta në çmimin e blerjes së kësaj pasurie.

Shuli shpjegoi se subjekti ka pretenduar se apartamenti është blerë në vlerën 1.9 milionë lekë, aq sa ka deklaruar, ndërsa 1.2 milionë lekë janë shpenzuar për rikonstruksionin. Ai ka pohuar para trupës së KPK, se kontrata para noterit është redaktuar pasi ishin dakordësuar për rikonstruksionin e apartamentit, për shkak se kishte lagështirë. Sipas Shulit, subjekti ka deklaruar ishe rëndë dakord se pala shitëse do të përfitonte 20 mijë euro, ndërsa 10 mijë euro do të shpenzoheshin për rikonstruksionin.

Relatorja evidentoi se në kontratën për marrjen e kredisë në vitin 2007 është përcaktuar se do të merrej për blerjen e apartamentit dhe rikonstruksionin. Por, për shkak se kredia është disbursuar rreth një muaj pas lidhjes së kontratës së shitblerjes ku është përcaktuar shlyerja e vlerës, Komisioni nuk e ka konsideruar këtë shumë në analizën parparake dhe për rrjedhojë ka rezultuar një bilanc negativ në shumën 411 mijë lekë.

Megjithëse subjekti ka pretenduar se kontrata e shitblerjes është lidhur me parë se të kryhej pagesa, pasi është dakordësuar për t’u vendosur si kolateral apartamenti në fjalë, KPK konstaton se ai ka pasur dhe një tjetër apartament në pronësi që mund ta vendoste si garanci për bankën.

Në vijim, Shuli evidentoi se çmimi i apartamentit sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB-së, duhej të ishte më i lartë.

Prokurori Gjini deklaroi se çmimi ishte bazuar në zonën ku gjendej apartamenti dhe në gjendjen e tij, pasi kishte lagësshtirë në gjithë muret. Sipas subjektit, çmimi i përllogaritur nga KPK kishte të bënte me një referencë të përgjithshme për Tiranën dhe jo për zonën e Selitës ku gjendet banesa. Ai theksoi se kishte dorëzuar kontrata të shitjes së apartamenteve të tjerë nga ndërtuesi, me vlera të ngjashme.

Gjini sqaroi se pala shitëse kishte qenë pronari i truallit ku ishte ndërtuar pallati, duke e përfituar pa paguar. Sipas subjektit, kjo ishte dhe arsyeja përse shitësi nuk kishte dashur të shpenzonte as për rikonstruktimin dhe ishin dakorëdësuar që ta kryente ai vetë pas blerjes. Gjini deklaroi se ishte dashur të lëvizeshin gjithë muret për të eleminuar lagështirën.

Prokurori Gjini kundërshtoi edhe analizën financiare për këtë pasuri. Ai këmbënguli se kishte pasur burime të ligjshme për kryerjen e pagesës, edhe nëse nuk do të konsiderohej kredia. Ai shpjegoi se kishin menduar që në fillim që të vendosnin si kolateral apartamentin që do blinin dhe se kredia kishte shërbyer për pagesën e çmimit të kësaj pasurie.

Situatë e ngjashme për çmimin e blerjes është konstatuar edhe për një garazh dhe një apartament në Orikum.

Në vitin 2008 Gjini ka blerë një garazh për shumën 3000 euro, që sipas KPK-së është më i lirë se çmimi minimal fiskal. Nga analiza financiare për këtë pasuri ka rezultuar pamundësi në shumën 361 mijë lekë.

Apartamentin në Orikum, subjekti e ka blerë në vitin 2012 për çmimin 2.2 milionë lekë. Për blerjen e kësaj pasurie, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 174 mijë lekë.

Për çmimin e garazhit, Gjini argumentoi se kjo pronë nuk ishte në gjendje të mirë. Sipas tij, sa herë që kishte reshje, mbushej me ujë. Po ashtu, solli në vëmendje faktin se kishte dorëzuar kontrata të ngjashme të shitjes së garazheve në atë objekt, kundrejt çmimit 3000 euro. Subjekti këmbënguli se kishte pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme edhe për blerjen e garazhit.

Lidhur me apartamentin në Orikum, subjekti pretendoi se ky qytet nuk ishte zonë e preferuar dhe se ndoshta ndërtuesi do të kishte pasur nevojë për gjendje cash që ishte dakordësuar me çmimin 2.2 milionë lekë.

Gjini ka rezultuar me bilanc pozitiv për krijimin e dy depozitave për llogari të fëmijëve, një në shumën 1.2 milion lekë dhe tjetra 742 mijë lekë. Po ashtu, ka rezultuar se ka pasur burime për investime në obligacione në shumën 4 milionë lekë dhe për blerjen e një automjeti 200 mijë lekë.

Bashkëshortja e subjektit ka rezultuar bashkëpronare me familjarët e origjinës në një apartament të përfituar prej tyre nga privatizimi, pasuri për të cilën është konstatuar deklarim i saktë.

Komisioni nuk ka konsideruar në analizën financiare të subjektit të ardhurat e deklaruara nga dhënia me qira e apartamentit në Tiranë, pasi detyrimet tatimore janë shlyer gjatë procesit të rivlerësimit.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar bilanc negativ total në vlerën rreth 619 mijë lekë.

Gjini kërkoi që të konsiderohen të ardhurat nga qiraja. Sipas tij, ligji nuk përcakton afat për pagesën e këtyre detyrimeve.

Në përfundim të shpjegimeve për pasurinë, prokurori Gjini tha se me shpjegimet dhe provat e tij e kishte përmbysur balancën negative. Ai shtoi se një diferencë e tillë, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit nuk mund të sjellë pasoja.

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK më parë Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka depozituar fillimisht raport pozitiv për prokurorin Enklid Gjini. Pasi KPK i ka kërkuar të përditësojë informacionin, është ndryshuar konstatimi në papërshtashmëri, bazuar në informacionet e marra për këtë subjekt rivlerësimi.

Shuli shpjegoi se Komisioni i ka administruar dosjet e dy çështjeve, një prej të cilave nuk është hetuar nga prokurori Gjini. Çështja tjetër me të proceduar shtetasin I.SH., që është pushuar nga subjekti, është vlerësuar në drejtim të profesionalizmit.

Prokurori Gjini deklaroi se ndihej i shokuar nga raporti i dytë i AKSIK-së, duke e cilësuar të hartuar vetëm mbi supozime. Ai vërejti se nuk i janë bërë me dije informacionet e klasifikuara dhe se në këto kushte nuk mund të mbrohej. “Përderisa është kërkuar informacion për dy dosje, mendoj se ka të bëjë me to”, pohoi ai.

Në vijim shpjegoi se shtetasit I.SH. ishte referuar në prokurori për veprat penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “plagosje e rëndë”. Sipas Gjinit, e dëmtuara ishte në spital dhe nuk jepte dot shpjegime. Ai pohoi se nga akti ekspertimit autoteknik kishte rezultuar se aksidenti kishte ndodhur për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga i hetuari. Por, sipas tij, në raportin mjekoligjor dëmtimet ishin konsideruar si plagosje e lehtë që përbënë kundravajtje penale.

“Nuk kemi plagosje të rëndë. Hetimi është i qartë dhe i saktë. Nuk kishte rrugë tjetër veçse të pushohej dhe nuk është kryer ankim. Informacioni për një procedim të zgjidhur në rrugë ligjore është i pavlerë”, deklaroi ai dhe e cilësoi të tepërt informacionin e AKSIK-së.

Gjini dha shpjegime dhe për çështjet e tjera që kishin të bënin me aspektin profesional, të evidentuara më së shumti në 7 denoncimet e depozituara nga publiku. Për pretendimet e ngritura për dy vendime pushimi, subjekti vërejti se për njërin nuk kishte ankim, ndërsa tjetri ishte lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit.

Për marrjen e vendimarrjes së mosfillimit të hetimit për dy çështje jashtë afatit, pretendoi se kishte pasur ngarkesë shumë të madhe në punë.

Lidhur me pretendimin e ngritur në një denoncim për mosnjoftimin e kallëzueses për vendimarrjen e tij, Gjini deklaroi se ai e kishte bërë detyrën e tij duke shënuar që t’i njofftohej. Sipas tij, është sekretaria e prokurorisë që duhet të realizojë më pas njoftimin.

Për pretendimin tjetër në këtë denoncim, lidhur me zarritjen e hetimit nëpërmjet zgjatjeve të afateve të hetimit, Gjini sqaroi se kishte qenë i detyruar pasi duhej të kryente veprime hetimore shteruese.

Ai kundërshtoi në vijim pretendimet e ngritura në një denoncim tjetër, ku pretendohej se nuk kishte marrë ende zgjidhje një kallëzim i kryer prej tij ndaj tre personave për “pushtim toke”. Sipas denoncuesit, subjekti e ka regjistruar procedimin vetëm për një person për “vetëgjyqësi”.  Gjini tha se kishte vlerësuar se vepra penale ishte ajo e vetëgjyqësisë. Ai shpjegoi se kallëzuesi dhe të kallëzuarit kishin konflikt të vazhdueshëm.

Shuli tha se një prej denoncuesve kishte ngritur pretendimet mbi hetimin e kryer nga prokurori Gjini për rrëmimin e një vajze nga një magjistrat në vitin 2013. Sipas relatores, nga verikimi i fashikujve të dosjes ka rezultuar se subjekti ka kryer hetime të plota, ndërkohë që i janë kërkuar shpjegime për zgjatjen e afateve.  Gjini tha se dosja kishte qenë voluminoze dhe i ishte dashur të kryente veprime hetimore.

Nga verifikimi një tjetër procedimi, Komisioni vlerësohen se duket se vendimarrja për pushimin e çështjes është marrë në kundërshtim me aketet e hetimit dhe arsyetimi o subjektit është i paqartë.

Në përfundim, prokurori Enklid Gjini deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, si dhe kishte kaluar testin profesional. Ai kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 10 korrik, në orën 09:45.