Mon, Nov 25, 2024

Nga këshilltar i Fatos Nanos tek numri 2 i PS-së/ Taulant Balla, ministër i ri i Brendshëm sapo të marrë ‘dritën jeshile’ nga Presidenti! (PROFILI)

  • PublishedJuly 9, 2023

Me njoftimin e kryeministrit Edi Rama, Taulant Balla tashmë do të jetë ministri i ri i Punëve të Brendshme, sapo të marrë dritën jeshile nga Presidenti Bajram Begaj. Ky ndryshim, pas vendimit të kryeministrit Rama për të shkarkuar nga detyra Bledi Çuçin, si ministër i Brendshëm.
Një sërë ngjarjesh rrodhën për të sjellë edhe këto ndryshime të orëve të fundit në Qeveri.
Fillimisht ishte lënia e mandatit të deputetit të PS Rrahman Rraja, pas publikimit të videos së rëndë, ku familjarë të deputetit, vëllai dhe djali i tij më anëtarë të fisit, dhunuan barbarisht dy kushërinj të fisit Maja, në Krujë për shkak të shpërthimeve në guroren në Borizanë.
Gjithashtu atentati në Larushk ndaj biznesmenit Gentian Bejtja , ku mbeti i vrarë 29-vjeçari Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e mitur të biznesmenit, ishte po ashtu një ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik.
Ngjarje këto që shkaktuan reagime të forta në publik, ku më pas erdhi edhe vendimi për shkarkimin e Bledi Çuçit.
Profili i ministrit të ri të Brendshëm, Taulant Balla:
Taulant Balla lindi më 12 gusht të vitit 1977 në Librazhd, atje ku edhe zhvilloi shkollën fillore, por dhe të mesme.

Ai kreu studimet dhe masterin për shkenca politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Alexandru Ioan Cuza” në Iasi të Rumanisë.
Ishte viti 2004-2005 kur Balla do të niste rrugëtimin në politike, në atë kohë si anëtar i kabinetit të kryeministrit të saj kohe, Fatos Nanos.
Në vitin 2005, ai u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit. Në atë kohë vetëm 28 vjeç, për të mos u shkëputur nga politika, duke mos munguar në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas zgjedhjeve të 2017, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist.

Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.

Gjatë kësaj kohë është parë si një nga zërat e rëndësishëm të mazhorancës, por edhe si njeriu që shpesh ka marrë kritika dhe akuza të forta nga opozita.

Aktualisht, Balla mban ende detyrën e kreut të grupit të PS në Kuvendin e Shqipërisë dhe drejtuesit politik të qarkut Fier.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.