Policia arreston administratorin e plazhit ku u mbytën babai dhe dy djemtë
Në plazhin e Vilë-Bashtovës, në Gosë të Rrogozhinë, nuk kishte vrojtues plazhi dhe sinjalizues të rrezikut. Ky është konkluzioni i parë që ka nxjerrë policia në lidhje me ngjarjen e rëndë të së dielës, kur tre persona, një baba me dy fëmijët e tij u mbytën në det.
Policia e Kavajës njoftoi se pas veprimeve të para hetimore u arrestua në flagrancë P. N., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, pjesën e plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi ngjarja.
“Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë”, njoftoi policia.
Në njoftim policie thotë se mungesa e rojes së plazhit ishte në shkelje me kontratën e lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Plazhi ku pushonte familja nga Tirana dhe shumë pushues të tjerë sipas hetuesve të çështjes, nuk garantonte shërbimin me vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës, nuk ishte pajisur me sinjalizime dhe kufizime me bova të hapësirës ujore.
Qeveria shqiptare prej vitesh jep me qira hapësira të rërës për plazh. Në këmbim njësitë private duhet të sigurojnë vrojtues dhe sinjalistikë. Por në një pjesë të mirë të bregdetit vrojtuesit mungojnë, duke sjellë shpesh tragjedi si ajo e të dielës.