Çfarë i Ndodh Lëkurës Kur Digjemi nga Dielli – Si të Kujdeseni
Të gjithë ne e kemi përjetuar djegien nga dielli kur e ekzagjerojmë me ekspozimin në diell.
Lëkura skuqet dhe në rastin më të keq krijohen disa flluska të mbushura me ujë të cilat dhembin.
Përveç dhimbjes, djegia nga dielli ka dhe pasoja në shëndetin e organizmit të njeriut. Por cilat janë pasojat që shkakton djegia e diellit? Lexoni listën e AgroWeb.org për të zbuluar gjithçka.
Dëmtimi i ADN-së
Djegia nga dielli përcaktohet nga ekspertët si djegie nga radiatimi i tepërt.
Gjithçka lidhet me kontaktin e rrezeve ultraviolet me sipërfaqen e lëkurës.
Nga ky kontakt dëmtohet struktura e shtresës së parë të qelizave të lëkurës.
Këto rreze kur lëkura është e pambrojtur, përthithen nga qelizat e ADN-së, duke shkaktuar kështu një deformim në lidhjen e gjeneve të ADN-së.
Nga ky deformim qelizat nuk arrijnë të rigjenerohen dhe fillojnë të shkatërrohen me ritëm më të shpejtë.
Sulmi në Sistemin Imunitar
Në momentin që qelizat e shtresës së parë të lëkurës kuptojnë që ‘sulmohen’ nga rrezet e dëmshme ato fillojnë të prodhojnë molekulat mbrojtëse.
Këto molekula nxisin enët e gjakut që të mbushin hapësirat mes qelizave dhe strukturave të tjera të lëkurës.
Ky vërshim i lëngjeve si gjaku dhe limfa, shkakton ënjtjen dhe skuqjen e lëkurës, si dhe ndjesinë e nxehtësisë dhe ndjeshmërinë e lartë.
Një proces i tillë fillon që në momentin që ju jeni duke qëndruar në plazh dhe zgjat për disa ditë, prandaj dhe ju duket sikur gjendja e lëkurës suaj po përkeqësohet.
Disa qeliza mbrojtëse pastrojnë lëkurën nga zonat e dëmtuara ndërsa të tjera merren me eliminimin e kimikateve që shkaktojnë dëmtimin e mëtejshëm të lëkurës.
Aksioni i tyre mund të shkaktojë dhe një reagim alergjik, prandaj dhe ju keni nevojë që të kruheni.
Përgatiteni Veten Për Të Parandaluar Një Herë Të Dytë
Në momentin që inflamacioni fillon të qetësohet, lëkura fillon të ndërtojë një shtresë të shëndetshme.
Ky proces njihet nga shumica si rënia e lëkurës së vdekur apo rrjepja.
Dëmtimi nga rrezet e diellit gjithashtu nxit trupin që të prodhojë melaninë, pigmentin që i jep ngjyrë lëkurës dhe flokëve tuaj. Melanina na dhuron ngjyrën e bukur të nxirjes që që të gjithë e synojmë.
Por edhe pse skuqja ka kaluar në nxirrje nuk do të thotë që lëkura juaj tanimë është imune ndaj rrezeve të diellit.
Masat Mbrojtëse
Është shumë e rëndësishme që gjatë kohës që jeni në plazh të pini sa më shumë lëngje dhe fruta.
Pasi këto të dyja ndihmojnë lëkurën tuaj të jetë e hidratuar dhe e shëndetshme.
Nëse digjeni përdorni kompresa të freskëta duke i vendosur lehtë në zonat ku jeni djegur.
Gjithashtu kosi është një nga produktet perfekte që freskon dhe ndihmon shërimin e shpejtë të lëkurës nga dielli.
Por mos hezitoni të përdorni edhe kremra të cilët përdoren pas diellit.
Nëse ndjeni marrje mendsh, të vjella apo dhimbje të forta koke AgroWeb.org ju këshillon që të kërkoni menjëherë ndihmën e një mjeku./AgroWeb.org