Mon, Nov 25, 2024

Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt/ “Test për mazhorancën, nuk ishte surprizë”, Murati për dhunën e Rrajave: Opozita nuk ka reaguar ashpër!

  • PublishedJuly 10, 2023

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e News24, ka komentuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj.

Murati u shpreh se Ahmetaj është zyrtari më i lartë në historinë e shtetit shqiptar që akuzohet zyrtarisht për vepra të tilla. Ai e cilësoi kërkesën e SPAK për arrestimin e tij si “jo surprizë” pasi prej kohësh Ahmetaj ishte akuzuar për aferën e inceneratorëve, ndërsa BKH kishte kontrolluar banesat e tij para disa muajsh.

Sipas tij kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-ministrit është një test për mazhorancën nëse do miratojë kërkesën e prokurorisë.

Sakaq, Murati komentoi edhe ngjarjen e rëndë në Fushë-Krujë, ku anëtarë të fisit Rraja dhunuan brutalisht anëtarët e një fisit tjetër pas mosmarrëveshjeve për një gurore.

Ai u shpreh se në këtë rast opozita nuk pati një qëndrim mjaftueshëm të ashpër në lidhje me ngjarjen, pasi sipas tij kanë reaguar vetëm përmes postimeve në rrjetet sociale.

“Ahmetaj është zyrtari më i lartë në historinë tonë që akuzohet zyrtarisht për akuza të tilla. Akuzat ndaj tij janë të rënda, bëhet fjalë për 3 të tilla. Veprimi ndaj tij nuk ishte surprizë, pasi BKH ka kontrolluar banesat e tij para disa kohësh. Prej disa vitesh Ahmetaj është nga më të kritikuarit për aferën e inceneratorëve. Ai ka dëshmuar në komisionin hetimor të inceneratorëve dhe nuk është surprizë. Është një test për mazhorancën nëse do miratojë kërkesën e prokurorisë.

Besoj se në rastin konkret është zbatuar procedura. Ajo që ka rënë në sy për Ahmetajn ka qenë se një nga të akuzuarit e inceneratorëve ka paguar udhëtime për Ahmetajn, i cili ka mohuar njohjen e afërt me Zoton. Nëse Ahmetaj i ka dhënë dosjen opozitës për të shpëtuar vetë dhe të akuzojë të tjerët për inceneratorët, prokuroria duhet të përshëndetet. Nëse Rama vetë është investuar që drejtësia të bjerë mbi Ahmetajn tregon se ai është i pashantazhueshëm nga ish-vartësi i tij.

Kam kritikuar protagonistët e ngjarjes së Fushë-Krujës, por nga pikëpamja politike kam kritikuar opozitën. Prisja që të kishin një qëndrim më të ashpër në këtë rast. Ngjarja ngjalli reagim dhe revoltë nga opinioni publik. Nuk pashë që opozita të shkojë te të plagosurit, apo të shkojë në vendngjarje për t’iu bërë krah të dëmtuarve nga gurorja. Opozita nuk duhet të shprehë mbështetje vetëm me statuse në rrjete sociale.

Mënyra në të cilën ndodhi incidenti ishte e paprecedentë. Ka dy persona që janë ankuar në shtet duke bërë padi dhe nuk janë marrë parasysh. Nuk është një konflikt i çastit ky, por i mbartur. Në këtë kuptim arroganca që e shoqëroi këtë dhunë ngjall revoltë. Rama reflektoi dhe nuk u mjaftua me atë klishenë që PS nuk bëhet mburojë. Pavarësisht largimit të Çuçit, njerëzit nuk e kërkuan largimin e ministrit në këtë rast. Balla është njeriu më i votuar në zgjedhjet e vitit 2021. Pati një surprizë që nuk u mandatua ministër pas fitores së zgjedhjeve nga PS asokohe”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.