“Hetimi për të mund të vijojë edhe pa miratimin nesër”, juristi zbulon dënimin me të cilin përballet Ahmetaj nëse shpallet fajtor
Juristi Redi Ramaj, i ftuar në studion e News24 ka komentuar dosjen ndaj ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj dhe akuzat që rëndojnë ndaj këtij të fundit për aferën e inceneratorëve.
Ramaj zbuloi se sa i përket akuzës së mos deklarimit të pasurisë, Ahmetaj mund të përballet nga një gjobë deri në 3 vite burgim. Akuza e korrupsionit pasiv më tej është ajo që mban peshën më të rëndë penale, duke parashikuar nga 4 deri në 12 vjet në varësi të rrethanave, nëse Ahmetaj shpallet fajtor.
Sa i takon akuzës për pastrimin e parave, Ahmetaj rrezikon të përballet me 5 deri në 10 vite burg nëse shpallet fajtor nga drejtësia. Ai shtoi më tej se në varësi të llogaritjes së dënimit nëse ai shpallet fajtor për të gjitha veprat, Ahmetaj mund të përballet me një total prej 12 vitesh prapa hekurave.
Sipas tij ekziston mundësia që ai të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar me rreth 4 vite, ose mund të shfrytëzojë edhe metoda të tjera siç mund të jetë edhe marrja e rolit të të penduarit të drejtësisë.
“Sa i përket veprës së parë, fillon nga gjobë deri në 3 vite burg. Këtë rrezikon Ahmetaj nga akuza e parë. Akuza e korrupsionit pasiv, që dyshohet se ka ndodhur 6 herë fillon me minimumi 4 vite deri në 12 vjet. Kjo është vepra që i sjell më shumë rrezik Ahmetajt.
Sa i përket pastrimit të parave, kjo parashikon nga 5 deri në 10 vite burg. Llogaritja për bashkimin e dënimeve ka një mënyrë të caktuar, gjë që do shihet nga ana Maksimumi besoj se mund të dënohet me 12 deri në 14 vite, pa llogaritur gjykim të shkurtuar apo përfitime të tjera. Nëse kemi pranim të gjykimit të shkurtuar, pa marrë prova të reja, ulet 1-3 e dënimit. Nëse dënohet 12 vjet, do zbriten rreth 4 vite dhe mbetet pjesa tjetër. Nëse ka dëshmi si i penduar dënimi zbutet edhe më tej dhe mund të përfitojë një dënim minimal.
Nëse ka një zbulim të plotë të skemës së inceneratorëve. Duke parë si ka operuar SPAK deri më sot, kjo është një procedurë normale. Tani kanë kaluar mbi 6 muaj që vetë Ahmetaj e dinte që po hetohej. Kjo do të thotë se SPAK për këtë rast ka marrë kohën e nevojshme për të kërkuar masën e arrestit. Ahmetaj si deputet do kërkojë të mbrohet nga imuniteti dhe do kërkojë mbështetjen e mazhorancës për pafajësinë. Hetimi për të mund të vazhdojë në çdo kohë edhe nëse parlamenti nuk jep miratimin nesër”, u shpreh Ramaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–