EKSKLUZIVE/ Ofertë faraonike nga Turqia për sulmuesin e Partizanit, fërkojnë duart në… Kategorinë e Parë
EKSKLUZIVE/ Ofertë faraonike nga Turqia për sulmuesin e Partizanit, fërkojnë duart në… Kategorinë e Parë
10 July, 2023
10 July, 2023
Partizani u shpall kampi on, si dhe një pjesë e lojtarëve të vet u reklamuan në Kombëtare këtë sezon. Pas kësaj, vështirë të shmanget interesi i klubeve të mëdha për të blerë lojtarët e të kuqve. “Panorama Sport” mëson se një tjetër “xhevahir” i “demave” ka rënë në radarët e klubeve të mëdha. Tedi Cara, megjithëse në pjesën e dytë të sezonit nuk është aktivizuar rregullisht, ka arritur të fitojë simpatinë e klubit të Superligës turke, Alaniaspor.
OFERTA – Drejtuesit e këtij klubi e kanë ndjekur kavajasin edhe në Shqipëri dhe kanë arsyetuar se Cara mund të jetë i vlefshëm për skuadrën. Mësohet se ata i kanë bërë një ofertë zyrtare klubit të kuq, duke ofruar plot 400 mijë euro për sulmuesin. Cara, në janar të vitit 2020, sipas klubit të kuq, ka firmosur kontratë 5-vjeçare, çka rrjedhimisht dëshmon se kontrata e Carës përfundon në fillim të vitit 2025.
Përtej kësaj, Partizani ka vendosur ta refuzojë ofertën e parë për 23- vjeçarin. Drejtuesit e kuq u kanë bërë të qartë turqve se duan të paktën 600 mijë euro. Kjo përgjigje i ka zmbrapsur turqit, por nuk u ka dhënë fund negociatave. Pritet që turqit të bëjnë një tjetër tentativë. Cara nga ana e tij nuk këmbëngul, por dëshira dihet se është për t’u larguar. Ka fjalë në klub se ai ka refuzuar rinovimin, teksa edhe aktivizimi i paktë mund të ketë qenë rrjedhojë e kësaj çështjeje.
KARTONI – Partizani arriti të firmosë më Carën nga Besa e Kavajës për një shifër prej rreth 75 mijë eurosh, por duket se marrëveshja nuk është mbyllur me aq. Burime për gazetën bëjnë me dije se klubi kavajas ka 50% të kartonit të Carës, çka do të thotë se gjysmës e shumës së shitjes e merr Besa, e cila shpreson që Partizani të bindet për shitjen. Cara u aktivizua në 35 ndeshje në total në Superiore në këtë sezon, teksa 20 prej tyre i nisi si titullar. Sulmuesi u bë autor i 6 golave dhe 4 asisteve në një total prej 1744 minutash.
FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL