Skafi pësoi defekt dhe ngelën në mes të detit, policia shpëton 13 turistë në Kepin e Rodonit, 6 prej tyre të mitur
Shpëtohen 13 turistë që kishin mbetur të bllokuar në det, pasi skafi me të cilin udhëtonin, pësoi defekt.
Policia kufitare iu shkoi në ndihmë 13 personave, të afërm me njëri-tjetrin, mes tyre edhe 6 të mitur.
NJOFTIMI I POLICISE
Mbetën në det, gjatë orëve të natës, pasi skafi me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, pësoi defekt, shërbimet e Policisë Kufitare iu shkojnë në ndihmë 13 shtetasve (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), 6 prej të cilëve shtetas të mitur.
Operacioni i shpëtimit zgjati deri në mesnatë dhe përfshiu evakuimin e 13 shtetasve dhe rimorkimin e mjetit lundrues skaf.
Rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin janë njoftuar se 13 shtetas, mes tyre dhe të mitur, kishin mbetur në det, në afërsi të kepit të Rodonit, pasi mjeti skaf me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, kishte pësuar defekt.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin dhe roja bregdetare janë nisur me mjet lundrues, drejt vendit të sinjalizuar.
Si rezultat i operacionit të shpëtimit dhe evakuimit që zgjati deri në mesnatë, drejtuesi i mjetit lundrues skaf dhe 12 shtetasit në bord, 6 prej të cilëve shtetas të mitur (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), u nxorrën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, mjeti lundrues skaf që kishte pësuar defektin, u rimorkua dhe u dërgua drejt portit të Durrësit.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–