PAMJET/ Shkrumbohet shtëpia në Librazhd, flakët rrezikuan edhe disa banesa të tjera
Një shtëpi në fshatin Kokrevë Katund në Njësinë Administrative Hotolisht i Bashkisë Librazhd është shkrumbuar plotësisht mesditën e kësaj të Marte nga flakët që e përfshinë në rrethana ende të paqarta.
Burime zyrtare bënë me dije se flakët fillimisht janë shfaqur në çatinë e shtëpisë dhe më pas janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ambientet duke rrezikuar djegien edhe të shtëpive pranë saj.
Mbërritja në kohë rekord e makinës së shërbimit zjarrfikës dhe puna e 6 efektivëve të Stacionit të MZSH-të Librazhdit ka bërë të mundur që të izoloheshin flakët gjigande të zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë më pronësi të familjes së Sami Çotës dhe kanë evituar djegien e disa banesave të tjera.
Shërbimi zjarrfikës është ndihmuar edhe nga mjaft familjarë të lagjes ku ndodhej shtëpia ku kishte rënë zjarri, përhapja e flakëve të cilit me favorizohej jo vetëm nga mbizotërimi i temperaturave të larta por edhe nga era.
Fatmirësisht nga rënia e zjarrit nuk ka patur të lënduar, ndërsa nga hetimi paraprak dyshohet se shkaktar mund të ketë qenë një qark i shkurtër elektrik te limitatori që ndodhej thuajse ngjitur me tavanin e shtëpisë.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–