Mon, Nov 25, 2024

Debat, batuta e ironi në komision për çështjen e akademisë, Gjinushi pranon se kërkoi ndryshimet që zgjasin mandatin e tij

  • PublishedJuly 11, 2023

Skënder Gjinushi ka pranuar se ka qenë ai që ka kërkuar ndryshimet në ligjin e Akademisë së Shkencave që i zgjasin mandatin dhe i shtojnë të drejtat. Ndonëse zyrtarisht janë dy deputetë që kanë bërë propozimet, kreu i akademisë tha në komisionin e medias se akademia i është drejtuar deputetit Beqiraj kur pa nevojën për ndryshime. Në 4 orë e 30 minuta komision, nuk mungoi debati, ironia e përplasja.

Kryesia e Akademisë së Shkencave përfshirë kryetarin Gjinushi kanë qenë në komisionin parlamentar të edukimit për të diskutuar ndryshimin në ligjin për akademinë, që i jep Gjinushit dhe kryesisë, të drejtën për një mandat të dytë radhazi. Kryetarja e Komisionit, ju uroi mirëseardhjen.

Flutura Açka: Në fakt ju keni qenë të ftuar dje. Dhe nuk jeni paraqitur dje. Megjithatë, sot edhe të paftuar, prapë jeni të ftuar.

Ndryshimet ligjore zyrtarisht janë propozuar nga dy deputetë, Petro Koçi e Ismet Beqiraj dhe ky i fundit mori fjalën dhe nisi të rendisë sukseset e akademisë, derisa u ndërpre nga kryetarja AÇKA.

Açka: Këto i kam dëgjuar dhe respektuar. Ju nuk jeni zëdhënësi i akademisë, ju lutem merruni me projektligjin, po respektojmë nxitimin tuaj se keni pasur nxitim të jashtëzakonshëm. Që të mbyllni punët e të flini i qetë sot.
Beqiraj: Mos ki merak gjithnjë qetë fle.

Ndryshimet në ligjin e Akademisë i japin Gjinushit të drejtën për një mandate të ri si kryetar dhe çdo akademiku kur mbush 75 vjeç i hiqen disa të drejta, ato të drejta nuk i preken vetëm kryetarit. Por nëse zyrtarisht propozimet për këto ndryshime nga të cilat përfiton kryetari Gjinushi e kryesia janë bërë nga deputetët, de fakto janë bërë nga vetë Gjinushi, siç u pranua në komisionin e medias.
Açka: Jo ju nuk është iniciativa juaj, është iniciativa e zotit Beqiraj.
Gjinushi:Së bashku e kemi patjetër

(Nderhyn Zhupa)
Gjinushi: Po çfarë se kërkesa jonë është.
Zhupa: Si kërkesa juaj.
Gjinushi: E qartë e Akademsë
Açka: z.Gjinushi ju lutem
Zhupa: Ju e keni bërë?
Gjinushi:Së bashku.
(Debat)
Gjinushi: Deputeti ka qenë relator dhe është e qartë që akademia me rastin e ndërmarrjes, kur ndjeu nevojën për disa përmirësime, së pari t’i drejtohej atij. Sigurisht edhe institucionalisht edhe me kryetarin e grupit është folur se është nevoja për disa ndryshime.

4 orë e gjysmë diskutime në komisionin e medias, bënë të qartë se ka qenë Gjinushi që ka porositur ndryshimet në ligjin e Akademisë, ndryshime nga të cilat përfiton vetë ai. Pyetja e Açkës nëse Beqiraj sheh konflikt interesi që ndryshimet bëhen për një person politik, duket e kishin marrë përgjigjen.

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.