Gjinushi kërkon një mandat të dytë, por refuzon opinionin e qeverisë
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, ishte i pranishëm të martën në mbledhjen e Komisionit të Edukimit dhe Medias, për të mbrojtur një projektligj të inicuar nga deputetë të Partisë Socialiste, i cili i jep mundësinë që të kandidojë për një mandat të dytë.
Gjinushi e mbrojti fort projekligjin dhe u përfshi në debate me deputetët e opozitës.
Ai nuk pranoi sugjerimin e relatores së komisionit, Ina Zhupa që para se të votohej të zbatohej proceduara e marrjes së mendimit nga Këshilli i Ministrave për efektet financiare të projekligjit.
Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Komisionit Flutura Açka vuri në dukje se Gjinushi nuk ishte në listën e të ftuarve në komision, pasi nuk ishte paraqitur në një mbledhje të mëparshme ku kishte qenë i ftuar.
Ajo gjithsesi pranoi pjesëmarrjen, por i bëri me dije se projektligji nuk mund të kalonte në votim pa kërkuar një opinion me shkrim nga Këshilli i Ministrave. Të njëjtin qëndrim ndanë dhe shumica e anëtarëve të tjerë, mes tyre dhe deputeti i PS-së, Eduart Ndreca.
Gjinushi dhe deputetët nismëtarë, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, fillimisht kërkuan që mendimin e qeverisë ta jepte një drejtor i Ministrisë së Financave që ata kishin sjellë me vete në komision, por kjo nuk u pranua nga opozita.
“Ky drejtor nuk është ftuar nga ne, nuk përfaqëson qëndrimin e Këshillit të Ministrave,” tha deputetja Ina Zhupa, relatore e projetligjit, duke i kujtuar nismëtarëve se në qeveri mund të ketë qëndrime nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Financave.
“Këto qëndrime duhet të vijë zyrtarisht me shkresë pasi t’i drejtohet komsioni,” këmbënguli ajo duke iu referuar Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit për procedurën që ndiqej kur ndryshimet ligjore nuk propozoheshin nga Këshilli i Ministrave, por nga deputetët.
Gjinushi këmbënguli me forcë që projekti i tyre të kalonte pa këtë opinion, duke shprehur gatishmëri dhe për rrëzimin e neneve të cilat mund të shoqëroheshin me faturë financiare.
“Nuk ka efekt moj zonjë,” iu drejtua Gjinushi kryetares së Komisionit. “Ja po e heqim nenin për pagat” shtoi ai, duke ofruar heqjen dorë nga nenet ku përmendej struktura e pagave në projektligj.
“E fusim për votim nen për nen dhe e rrëzojmë nenin 6, kalojmë ligjin,” propozoi dhe Petro Koçi.
Ndërsa deputeti Ndreca, i cili është anëtar edhe i komisionit të Ligjeve, pasi ngriti disa pikëpyetje të tij mbi propozimet, i tha Gjinushit dhe Beqirajt se “po bëni gabim që po tërhiqeni nga neni 6”.
Në relacionin e saj, deputetja Zhupa rreshtoi disa kontradikta ligjore të propozimit, që sipas saj, po tentonin të krijonin dy standarde në trajtimin e akademikëve.
Ligji për Akademinë e Shkencave kërkon që anëtari i Asamblesë së saj që mbush moshën 75 vjeç e ndërpret të qënurit anëtar i asamblesë duke marrë statusin Akademik Emeritus, ndërsa në rastin e kryetarit, propozuesit nuk e vendosin moshën si kriter të qëndrimit në detyrë.
“Kur pranohet me ligj se pas moshës 75 vjeç fuqitë dhe energjitë e akademikut dobësohen, atëherë si është e mundur që po sipas iniciuesve të amandamenteve, vetëm një person, një njeri, a super-njeri, a mbi-njeri, ligji ta konsiderojë se nuk preket nga faktori moshë?”- ngriti ajo pyetjen.
Ajo aludoi se Gjinushi, 73 vjeç, po i kërkon me ngulm këto ndryshime në ligj për të rimarrë një mandat tjetër në krye të akademisë në zgjedhjet e reja që pritet të mbahen në fillim të shtatorit.
Ligji në fuqi nuk e lejon atë të rikandidojë për një mandat të dytë radhazi, ndërsa propozimi i deputetëve socialistë parashikon të drejtën për të kandiduar për 2 mandate të njëpasnjëshme.
Sipas Gjinushit, nuk është ligji që i jep mandatin tjetër, por votat e asamblesë. Ndërkojë tregoi në komision një shkresë që mbante firmën e tij, ku thuhej se me 37 vota pro dhe asnjë kundër Asambleja e ASH-së kishte votuar pro këtyre ndryshimeve ligjore.
Mbledhja u mbyll pa votim pas më shumë se 4 orë debatesh, ndërsa kryetarja Açka njoftoi dërgimin për mendim në qeveri dhe u kërkoi nismëtarëve që të sqaroheshin për ndryshimet e kërkuara, pasi sipas saj, kishin sjellë 4 drafte të ndryshme në komision.