Armiqësia me vëllezërit Bami, pse Gentjan Bejtja mungoi në varrimin e mikut të tij të vrarë
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 ditë nga atentati i rëndë i kryer në derën e vilës së tij, ku mbetën të plagosur dy fëmijët e mitur, dhe humbi jetën 29-vjeçari Ramazan Sino, policia e Shtetit nuk ka ende një autor në lidhjen mbi sulmin me armë ndaj familjes së Gentjan Bejtjas.
Këtë mbrëmje “Në Shënjestër” sjell të tjera detaje mbi atentatin, i cili ende nuk ka autor e madje nuk ka asnjë informacion edhe për vendndodhjen e vetë objektivit të atentatit, i cili që nga ajo natë rezulton i zhdukur pa gjurmë, duke lënë mister edhe fatin e tij.
Dosja Hetimore
Më datë 3 korrik 2023 Ramazan Sino ka qenë në qytetin e Tiranës, bashkë me motrën e tij, A.Bejtja, bashkëshorte e Gentjan Bejtjas, si dhe dy nipat e mitur. Pasi kanë kryer disa vizita mjekësore për nipin ata kanë udhëtuar me automjetin ‘Audi’ me drejtues Ramazan Sinon, nga Tirana në drejtim të fshatit Larushk. Pasi kanë mbërritur në banesën e motrës, kur po zbrisnin nga automjeti i parkuar, brenda në oborr, përpara hyrjes kryesore të shtëpisë, persona të paidentifikuar kanë hyrë aty dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tyre”.
Por ndërsa Policia është ende konfuze mbi zhvillimet e një ngjarje, e cila mund të ishte kthyer në një tragjedi të trefishtë, nëse plumbat nuk do të kursenin edhe jetën e fëmijëve të Gentjan Bejtjas, të gjitha hetimet e saj janë ndaluar tanimë te ata që cilësohen si armiqtë e shënjestrës së sulmit me armë. Miq që dikur ndanin shumë të bëra dhe të pabëra së bashku, por që sot duket se i ndan larg njëri-tjetrit për jetë a vdekje, vetëm një batare plumbash.
Plumba të cilat nuk po hezitojnë ti zbraznin sa herë u jepet mundësia, duke mos kursyer tashmë as fëmijët, në këtë luftë që gjasat i ka të përfundojë më e përgjakshme se çka nisi dhe u bitis gjatë rrugës.
Por kush janë dikur miqtë dhe tashmë armiqtë e përbetuar të Gentjan Bejtjas? Çfarë ndodhi me ta dhe si erdhi prishja e raporteve midis tyre?
Pse pala kundërshtare kërkon medoemos sot të eleminojë Gentjan Bejtjan, dhe çfarë di ai që i ka shqetësuar ata kaq fort sa të kërkojnë në vazhdimësi asgjësimin e tij fizik?
Edhe pse pistat, interesat dhe personazhet që rrotullohen rreth vetë figurës së Gentjan Bejtjas, janë të shumtë, kjo edhe për shkak të aktivitetit të tij të gjerë kriminal ndër vite, në këtë minidokumentar do të ndalemi, pikërisht te vetëm njëri prej tyre.
Ose për të thënë më mirë, te njëri prej dy vëllezërve, po aq të përzier në punët e pista të krimit, sa edhe vetë Gentjan Bejtja. Ky personazh është Valter Bami. Personi që mbrëmjen e 21 shtatorit 2019, shfaqet në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë, teksa sapo ka transportuar me makinë mikun e tij Marklen Haka, fill pas atentatit që këtij të fundit iu bë në derën e banesës së tij, në fshatin Nikël në Fushë-Krujë. Atentat ku humbi jetën halla e tij, Shpresa Basha.
Por çfarë e lidh Valter Bamin me atentatin e fundit ndaj Gentjan Bejtjas? A ishte atentati ndaj Marklen Hakës në vitin 2019, fundi i një miqësie dhe fillimi i një hakmarrje të gjatë, midis atyre që deri dje njiheshin si Banda e Fushë-Krujës. Por që tani me përçarjen e saj, kishin nisur ti kthenin armët kundër njëri-tjetrit.
Por për të na rrëfyer një pjesë të asaj të vërtete se çfarë ka ndodhur me anëtarët e bandës së Fushë-Krujës, në ndihmë për të zbuluar diçka më shumë rreth përplasjes midis tyre, këtë herë na erdhi vetë policia. E cila fill atentatit të kryer ndaj familjes së Gentjan Bejtjas, të parët kontrolle që ushtroi dhe shoqërime që kreu, ishin pikërisht ato në disa prej banesave të të fortëve të Niklës.
Njëri prej tyre, edhe Valter Bami. Personi i cili po atë mbrëmje, pavarësisht orëve të vona, u mor nga banesa e tij ku tha se ishte në gjumë dhe u shoqërua në polici, ku ashtu siç pritej, ai deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me atentatin ndaj familjes së Gentjan Bejtjas.
Por edhe pse u la i lirë në orët e para të mëngjesit, të datës 4 korrik, grupi hetues nuk u bind nga deklarimi i Valter Bamit. Gjatë kohës së intervistimit, atij iu morën faktorët plotësues, të cilat do të çonin grupin hetues në një zbulim interesant, gjurmë baruti në duart e të fortit të Niklës.
Policia e Shtetit
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 4 Korrik 2023, ku në fshatin Larushk, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit Gentjan Bejtja, u qëllua me armë zjarri dhe për pasojë humbi jetën shtetasi Ramazan Sino, rreth orës 04:00 të po kësaj date, u shoqërua në polici, shtetasi Valter Bami, 37 vjeç, të cilit iu morën faktorët plotësues si dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme dhe më pas u la i lirë. Në lidhje me faktorët plotësues, më datë 6 Korrik 2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, rezultoi se në dorën e majtë të shtetasit Valter Bami, janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri.
Por edhe pse ky zbulim në fillim u duk shpresëdhënës, deklarimet në vazhdim të Valter Bamit, pas shoqërimit të tij për herë të dytë në polici, duket se e zbehën ndjeshëm pritshmërinë e grupit hetues, se ishin fare pranë zbardhjes së atentatit ndaj familjes së Gentjan Bejtjas.
Dosja Hetimore
Është hartuar akti i ekspertimit nr.5823 datë 6 Korrik 2023 në të cilin ekspertti ka konkluduar se: ‘Në tamponin objekt ekspertimi në të cilin janë marrë mbetje në dorën e majtë të shtetasit Valter Bami, në lidhje me ngjarjen e datës 3 Korrik 2023 ku është vrarë shtetasi Ramazan Sino, u evidentua prania e një mikrogrimce të vetme, karakteristikë (unike) me përmbajtje të tre elementëve kimikë, antimoni, barium dhe plumb, me prejardhje nga lënda mbushëse e kapsollës së fishekut të armës së zjarrit’.
Mbi këtë bazë, prokuroria ngriti firmosi urdhër ndalim për Valter Bamin për akuzën e “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Valter Bami, u shoqërua në polici, në të njëjtën ditë kur edhe gjurmët e barutit në dorën e tij të majtë, urdhëruan ndalimin e tij. Këtë herë me një akuzë mbi supe për ta kundërshtuar.
Policia e Shtetit
Më datë 6 Korrik 2023, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, u lokalizua, u kap dhe u shoqërua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, shtetasi Valter Bami, 37 vjeç, banues në fshatin Nikël, në Fushë Krujë.
Prokuroria argumenton se ndalimi i tij duhej bërë menjëherë, pasi ekziston rreziku që Valter Bami t’i fshihet drejtësisë, nisur edhe nga fakti se ai ka shumë hyrje dalje nga territori i vendit përgjatë 2023, ky lëvizjet më të fundit janë në mesin e muajit qershor, ndërsa ka rrezik që ai të kryejë vepra të tjera penale.
Pa frikë mund të thuhet se Valter Bami një person i përfshirë në krim ordiner, sot është shndërruar në një Zot të zonës së Niklës. Emri i tij u skedua herët nga policia, dhe shoqërohej pas çdo ngjarje që ndodhte në Tiranë dhe Krujë. Ndërsa kohët e fundit, ai shihej si një ndër njerëzigt e frikshëm të botës së krimit, bashkë me të vëllanë Durim Bami.
Para grupit hetues, Valter Bami, u mbrojt duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj makinës me të cilën udhëtonin kunati dhe dy fëmijët e mitur të Gentjan Bejtjas. Në lidhje me shenjat e barutit të gjendura në dorën e tij të majtë, i pyetur nga grupi hetues, se si e justifikonte një fakt të tillë, Valter Bami tha se kjo ishte një gjë normale për të.Pasi ai mbante në banesë një armë sportive dhe bënte shpesh qitje me këtë armë, çka sipas tij shpjegon edhe arsyen përse iu gjetën shenja baruti në gishtërinj.
Ilir Murati-Avokati i Valter Bamit:
Valteri ka rreth 3 vite që disponon një armë me leje, është armë sportive e cila realizon qitje, mban një krëhër me 9 fishekë, e përdor rregullisht, është me leje. Këto janë faktorë qitës shumë normal që mund të ngelen në duart e një personi që përdor një armë sportive.
Ndonëse për momentin mbi Valter Bamin rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje, policia thotë se ka dyshime të forta se ai është i përfshirë në masakrën e Larushkut. Por ndërsa i forti i Niklës, do të përballet me drejtësinë, për të vërtetuar të kundërtën që nuk është ai ekzekutori në ngjarjen e ndodhur në derën e vilës së Gentjan Bejtjas, mesnatës e datës 4 korrik 2023, e vërteta që nuk mund të mbulohet është, se midis djemve planprishës të Niklës, qetësia ka humbur prej kohësh. Dëshmia më e mirë e mërisë së shpërthyer në plumba midis tyre, janë atentatet me të cilët ata janë përballur në vitet e fundit. Atentate të pazbardhura, por që duket se pas tyre fshihet askush tjetër përveçse dorës së njëri-tjetrit.
Përplasje që u pa edhe me mungesën e Gentjan Bejtjas, në varrimin e mikut të tij të vrarë Iljas Çali, ku Bejtja përdori si alibi faktin, që ai nuk kishte shumë hyrje dalje me familjarët e Çalit.
Por që kjo alibi nuk iu duk fort e besueshme grupi hetues, të cilët dyshuan se Gentjan Bejtja, nuk shkoi për ti dhënë lamtumirën mikut të tij, me qëllim për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjerë nga Nikla, që gjendeshin në atë varrim.
Në këtë rast edhe vëllezërve Valter dhe Durim Bami, dhe Marklen Hakës. Ndërkohë që përplasja e parë midis atyre që deri njiheshin si Banda e Fushë-Krujës, mendohet të ketë ndodhur pas rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës.
Ngjarje e ndodhur më 8 shkurt 2015, ku Stafuka, u rrëmbye nga një trupë e maskuar policore, fill pasi doli nga lokali në qendër të Fushë-Krujës, ku ndodhej në praninë e Gentjan Bejtjas, Durim Bamit dhe disa personazheve të tjerë problematikë të krimit.
Rrëmbimi dhe zhdukja e Enver Stafukës, që shpejt u pasua me atentate të vazhdueshme ndaj Gentjan Bejtjas, por edhe atyre që tanimë thuhet se janë armiqtë e tij, midis të cilëve Marklen Hakës dhe vëllezërve Bami në krahun tjetër… Kundërshtarëve tashmë të përbetuar deri në urrejtje.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–