Kuvendi vendos të votojë të premten për arrestimin e Ahmetajt
Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan që të futej në rend dite votimi i autorizimit për arrestimin e tij, por deputetët e Partisë Socialiste kundërshtuan kërkesën si antiligjore duke e shtyrë këtë votim për në seancën e së hënës.
Por, pas bllokimit të punimeve të Kuvendit nga opozita për afro 4 orë, PS u tërhoq nga qëndrimi i saj dhe në një mbledhje të shpejtë të Konferencës së Kryetarëve me propozim të Taulant Ballës, u vendos që të votohet të premten paradite.
Deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën se po tentonte t’i jepnte deputetitj të saj Ahmetaj më shumë kohë për t’iu fshehur drejtësisë.
Ata po ashtu kërkuan praninë e kryeministrit Edi Rama në seancë për të dhënë llogari për ‘arratisjen’ e bashkëpunëtorit të tij nga drejtësia dhe për skandalin e javës që shkoi, ku familjarët e afërt të deputetit socialist Rrahman Rraja u filmuan duke dhunuar qytetarët.
Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi parashtroi kërkesat e opozitës duke argumentuar se “afera e inceneratorëve është një aferë e qeverisë, është një aferë e Edi Ramës dhe duhet të vijë e të japë llogari”.
Bardhi këmbënguli se dhënia e autorizimit për arrestimin e tij ishte çështje urgjente dhe nuk mund të shtyhej deri javën tjetër siç ka vendosur mazhoranca.
“Altin Dumani tha se prej një jave Arben Ahmetaj me fuqinë e tij si deputet ka intimiduar dhe ka tentuar të prishë prova dhe prokuroria kërkon arrestimin e menjëhershëm për të shmangur zhdukjen e provave”- deklaroi Bardhi duke auzuar mazhorancën se po i jep kohë deputetit të saj të akuzuar.
Kryetarja e e Kuvendit Lindita Nikolla nuk pranoi të hidhte në votim kërkesën me argumentin se shkelte procedurat e parashikuara në rregullore.
“Rregullorja thotë që këshilli harton një raport brenda 2 javëve, raporti po punohet, nuk është shpërndarë për deputetët’- tha ajo dhe shtoi se duhej njoftuar deputeti Ahmetaj për t’u dëgjuar në seancë.
“Deputeti nuk është njoftuar për seancën, nuk mund ta fusim procesin në ngërç për shkak të një papërgjegjshmërie parlamentare”- theksoi ajo.
Debati kaloi dhe në fyerje personale dhe tone të ashpra, pasi deputetët e opozitës nisën të akuzojnë deputetët e ministrat socialistë për përfshirjen e tyre në dosjen e hetimore të incineratorëve.
“Nuk ka skandal më të madh për shtetin shqiptar sesa ajo dosje hetimore që i ka ardhur Parlamentit”- tha nga foltorja e Kuvendit, Jorida Tabaku, e cila drejtori komisionin hetimor për inceneratorët një vit më parë.
Sipas saj, dosja hetimore tregonte lidhjen e ngushtë me Partinë Socialiste të pronarëve të inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Largimin e Ahmetajt jashtë vendit opozita e cilësoi një problem moral të qeverisë dhe kryeministrit Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij.
“Për një shef ekzekutivi nuk mund të ketë ngjarje më të rëndë dhe më amorale se arratisja e zëvendësit të tij, ky është standardi më i ulët e më poshtërues për një shoqëri”- tha ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në përballje me opozitën, ministrja e shtetit Elisa Spiropali, tha se, -“ kryeministri Rama nuk flet për drejtësinë, nuk e përdor si armë, por e lë drejtësinë të bëjë punën duke besuar në profesionalizmin e saj”.
Ajo i quajti gënjeshtra e shpifje akuzat e deputetëve të opozitës se afera e inceneratorëve e kishte kthyer qeverinë në një grup të strukturuar kriminal.
Anëtarët e PS-së në Këshillin e Mandateve kërkuan kohë deri të premten për të hartuar raportin e tyre duke parashikuar kalimin në seancë për votim të hënën e javës që vjen.