Mon, Nov 25, 2024

Zbardhet raporti i PS në Këshillin e Mandateve: Pse do votojmë pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Ahmetajt

  • PublishedJuly 14, 2023

Zbardhet raporti i PS në Këshillin e Mandateve për miratimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Dje Konferenca e Kryetarëve vendosi që seanca e posaçme për vlerësimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale Antikorrupsion për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj, do të zhvillohet sot në ora 10:00.

Sipas vendimit të marrë dje opozita dhe mazhoranca do të paraqesin sot gjatë seancës së posaçme plenare raportet e tyre mbi kërkesën e SPAK. “BalkanWeb” sjell të plotë raportin e socialistëve mbi kërkesën e SPAK, të cilin do ta paraqesë sot.

“Deputetët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, i rekomandojmë Kuvendit:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit, Z. Arben AHMETAJ”, thuhet në raportin e PS.

Nga ana tjetër Partia Demokratike e ka depozituar raportin e saj, ku kërkon që Kuvendi t’i hapë rrugën SPAK-ut për kontrollin e banesës dhe arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Të mërkurën, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj. Kërkesë që pritet të miratohet sot gjatë seancës plenare.

RAPORTI I PS

KUVENDI
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
Dokument parlamentar

RAPORT REKOMANDUES
(i deputetëve të mazhorancës anëtarë të Këshillit )

Për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënie autorizimi për arrestim/heqje lirie dhe ushtrimin e kontrollit personal/ të banesës për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Arben Ahmetaj, përcjellë me shkresën nr. 9431 prot, datë 07.07.2023 depozituar në Kuvend në datën 10.07.2023.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në cilësinë e organit përgjegjës parlamentar, në përputhje me nenin 13 dhe nenin 118, të Rregullores së Kuvendit në mbledhjen e datës 11.07.2023, ora 16:00, dhe 12.07.2023, ora 16:00, zhvilloi procedurën e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (referuar në vijim, si Prokuroria e Posacme), për dhënie autorizimi për arrestim/heqje lirie dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, z.Arben Ahmetaj.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, zhvilloi procedurën e shqyrtimit të kërkesës bazuar në dispozitat Kushtetuese në aktet ligjore në fuqi dhe në Rregulloren e Kuvendit.

BAZA LIGJORE PËR SHQYRTIMIN E KËRKESËS

Shqyrtimi i kërkesës për dhënie autorizimi për arrestim/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë gjen rregullim në dispozitat Kushtetuese, Kodin e Procedurës Penale dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë:

– Kushtetuta, nenet 73, 135 dhe 148;
– Kodi i Procedurës Penale, neni 288;
– Rregullorja e Kuvendit, nenet 13 dhe 118.

Neni 73, pika 2 dhe 4 e Kushtetutës
“2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit…
4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.”

Neni 135, pika 2 e Kushetutës:
“Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.”

Neni 148, pika 4 e Kushtetutës
….” 4. Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme.”

Neni 288, pika 1 dhe 2 e Kodit të Procedurës Penale
“1. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrolli personal ose i banesës, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi.
2. Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë Kod për kryerjen e veprimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij.”

Neni 13 dhe 118 i Rregullores së Kuvendit
Neni 13
“ 5. Këshilli shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, ose heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, ose ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti në përputhje me nenin 73 të Kushtetutës. Shqyrtimi i kërkesës bëhet sipas procedurës së parashikuar në nenet 118 dhe 119 të kësaj Rregulloreje.
6. Këshilli mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose 1/2 së anëtarëve. Rendi i ditës caktohet nga Kryetari. Mbledhja është e vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5 anëtarë. Diskutimi i çështjeve në Këshill bëhet, për aq sa është e mundur, në mënyrën e parashikuar për komisionet e përhershme.
7. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes. Raporti paraqitet nga relatori/relatorët. Rregullore për komisionet e përhershme.”

Neni 118
“1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.
2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.
3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

4. Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo të kontrollit personal ose të banesës të një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës ndaj deputetit.
5. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi. 6. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.”

I. ASPEKTE PROCEDURALE
Prokuroria e Posaçme me shkresën nr.9431, datë 07.07.2023 ka depozituar në Kuvend në datën 10.07.2023, kërkesën “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/ heqjen e lirisë, dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Arben Ahmetaj”.

Me depozitimin e kësaj kërkese, në përputhje me nenin 13 dhe nenin 118, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit ka nxjerrë urdhrin nr. 37, datë 10.07.2023 për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si dhe ka dërguar menjëherë kërkesën, relacionin dhe provat pranë Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të vijuar procedurën parlamentare.

Më shkresën nr.2183/2, datë 10.07.2023, Kuvendi i ka komunikuar deputetit z.Arben Ahmetaj datën, orën dhe rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, si dhe kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, së bashku me relacionin dhe provat.

Me shkresën nr. 2183/3, datë 10.07.2023, Kuvendi i ka komunikuar Prokurorisë së Posaçme datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit të Rregullores Mandateve dhe Imunitetit.

Këshilli mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme në mbledhjet e datës 11.07.2023, ora 16.00 dhe datës 12.07.2023, ora 16.00, në selinë e Kryesisë së Kuvendit, ku morën pjesë përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, Drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Znj. Enkeleda Millonaj, në cilësinë e prokurorëve të çështjes, si dhe avokatët, Z. Henkrik Ligori e Z. Ardian Visha, të autorizuar me prokurë si përfaqësues ligjorë nga deputeti, Z. Arben Ahmetaj.

Prokuroria e Posaçme me shkresën nr. 9431, datë 07.07.2023 ka kërkuar që shqyrtimi i kërkesës të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes të sekretit hetimor. Kryetarja e Kuvendit, duke vlerësuar të drejtë këtë kërkesë procedurale të Prokurorisë së Posaçme me urdhrin nr 37, datë 10.07 2023, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (Këshilli), në pikën 3, ka urdhëruar edhe zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura.

II. RRETHANAT DHE ARSYETIMI PARASHTRUAR NGA PROKURORIA E POSAÇME

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal nr. 277/1, viti 2022. Në kuadër të këtij procedimi penal, deputeti z. Arben Ahmetaj, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të mëposhtme:
● “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a. paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal;

● “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;

● “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i K.Penal.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (në mënyrë të përmbledhur për të respektuar detyrimin e ruajtjes së sekretit hetimor)

Referuar parashtrimeve të Prokurorisë së Posaçme dhe akteve të marra në shqyrtim nga Këshilli rezulton se:

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar fillimisht procedimin penal nr. 277 të vitit 2020, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, të parashikuara respektivisht nga nenet 248 e 25, 260, 245 dhe 25, 287 të K.Penal. Pas kryerjes së hetimeve në kuadrin e procedimit penal nr. 277 të vitit 2020, rezulton se prokuroria ka kërkuar dërgimin për gjykim të disa të pandehurve.

Me vendimin e datës 19.09.2022, prokurori i çështjes ka vendosur ndërkohë ndarjen e procedimit penal nr. 277 të vitit 2020 në disa procedime penale të tjera e ndër të tjera në procedimin penal nr. 277/1 të vitit 2022, në kuadrin e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Gjithashtu, mbështetur në kallzimin penal të një shtetasi është regjistruar procedimi penal nr. 30, datë 24.02.2023 për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 260, 257/a dhe 287 i K.Penal.

Procedimet penale nr. 277/1 i vitit 2022 dhe nr. 30 i vitit 2023, janë bashkuar në një procedim penal të vetëm e konkretisht ai me nr. 277/1 i vitit 2022, duke vijuar tashmë hetimet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar respektivisht nga nenet 248, 260, 257/a dhe 287 i K.Penal.

Deputeti Z. Arben Ahmetaj, mban cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e hetimeve që po kryhen për procedimin penal nr. 277/1 të vitit 2022.

Bazuar në sa është shpjeguar në mënyrë të hollësishme në relacionin bashkëlidhur kërkesës së Prokurorisë së Posaçme dhe në ato që parashtruan përpara Këshillit, prokurorët vlerësojnë se ekziston dyshimi i arsyeshëm, bazuar në prova se nga ana e deputetit Z. Arben Ahmetaj janë konsumuar veprat penale më sipër dhe bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 288 të K.Pr.Penale, nenet 13, 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 103, 104, 279 të K.Pr.Penale, neni 295/a i K.Penal, Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë:
Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit Arben AHMETAJ

Pas parashtrimit të kërkesës, deputetët i drejtuan pyetje prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme për t’u sqaruar rreth objektit të kërkesës dhe çështjeve të parashtruara nga ana e tyre.

Deputetet e pakicës parlamentare drejtuan pyetje dhe përtej kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për të sqaruar: i) në lidhje me persona të tjerë me imunitet apo që mbajnë funksione të rëndësishme, nëse kanë të dhëna për implikimin e tyre në koncesionet e projekteve për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane; ii) pse këtë kërkesë e kanë paraqitur tani në Kuvend dhe jo më parë; iii) a ka ndikim politik në këtë proces; iv) nëse disa nga emrat e bizneseve të përmendura në material janë marrë të pandehur; v) nëse ndarja e procedimeve penale është bërë për të lehtësuar subjektet nën hetim apo të tjerë që duhen hetuar; vi) nëse persona që përmendeshin në dosje kishin lidhje me çështje të tjera që nuk kanë lidhje me hetimin e inceneratorëve, por me denoncime të tjera publike të Partisë Demokratike për abuzime të zyrtarëve me detyrën, etj…

Deputetet e shumicës parlamentare në Këshill në pyetjet drejtuar përfaqësuesve të Prokurorisë së Posaçme kërkuan të sqaronin: i) nëse Prokuroria e Posaçme ka pasur ndikim apo ndërhyrje politike apo të ndonjë natyre tjetër për këtë çështje; ii) a është vënë deputeti në dispozicion të organit të akuzës apo i ka penguar hetimet; iii) a kanë pasur prokurorët pengesa në hetime nga ana e autoriteteve publike apo subjekteve private; iv) cilat janë arsyet pse kërkohet masa e sigurimit personal, nevojat për këto masa; v) nëse kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestin ose kufizimin e lirisë është në përputhje me kushtet e parashikuara nga KEDNj dhe në Kodin e Procedurës Penale; iii) nëse ka informacion për përpjekje për të fshehur provat apo rrezik tjetër që cenon hetimet; iv) nëse ka pasur Prokuroria e Posaçme presion të çfarëdolloj natyre për këtë çështje etj.

Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme shpjeguan në Këshill arsyet e kërkesës, proporcionalitetin e veprave penale me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës si dhe me sigurinë që duhet të ketë hetimi. Në lidhje me disa nga pyetjet, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme u shprehen se nuk mund të përgjigjeshin pasi çështja është në hetim. Gjithashtu, ata sqaruan se i janë drejtuar Kuvendit me kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit Z.Arben Ahmetaj, pasi tani, mbështetur në fakte kanë krijuar dyshimin e arsyeshëm se deputeti, z. Arben Ahmetaj ka kryer veprat penale të parashtruara në kërkesë. Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme deklaruan se në punën e tyre nuk kanë pasur asnjë presion apo ndikim politik apo forma të tjera të presionit dhe se deputeti apo subjekte të tjera nuk kanë penguar hetimin.

III. ARGUMENT PARASHTRIMI I PËRFAQËSUESVE TË DEPUTETIT, Z. ARBEN AHMETAJ

E drejta për t’u dëgjuar e deputetit Z. Arben Ahmetaj

Në mbledhjen e datës 11.07.2023, u paraqitën përfaqësuesit e deputetit Z.Arben Ahmetaj, avokatët Z. Henrik Ligori dhe Z. Ardian Visha. Në përgjigje të pyetjes së deputetëve për mospjesëmarrjen e deputetit z. Arben Ahmetaj në mbledhjen e Këshillit sqaruan se deputeti z. Z.Arben Ahmetaj për arsye familjare nuk ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, avokatët parashtruan para Këshillit se për arsye të marrjes me vonesë të kërkesës, relacionit dhe provave paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, e kishin të vështirë të ushtronin mbrojtjen e tyre dhe për këtë arsye i kërkuan Këshillit mundësinë për të shtyrë në një afat të arsyeshëm mbledhjen për të mundësuar ushtrimin e mbrojtjes së deputetit Z.Arben Ahmetaj në lidhje me sa parashtron Prokuroria e Posaçme në kërkesën drejtuar Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit në respektin të parimeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor nisur dhe nga roli që ka Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në vlerësimin e kërkesës dhe dhënien e raportit rekomandues seancës plenare, afatet e mundshme që parashikon Rregullorja e Kuvendit, në zbatim të nenit 118, pika 2 të Rregullores, pranoi kërkesën e avokatëve duke vendosur zhvillimin e mbledhjes të Këshillit, të nesërmen, më datë 12.07.2023.

Mbledhja e Këshillit e datës 12.07.2023, vijoi me parashtrimet e avokatëve z. Henrik Ligori dhe z. Ardian Vishaj, të cilët sqaruan se për shkak të pamundësisë objektive që brenda një kohe disaorëshe të studionin kërkesën dhe aktet bashkëlidhur saj, kërkuan që Këshilli të garantonte të drejtën e mbrojtjes efektive, pjesë përbërëse e rëndësishme e procesit të rregullt ligjor, duke iu dhënë një kohë të arsyeshme për të përgatitur mbrojtjen e deputetit Z. Arben Ahmetaj. Avokatët parashtruan se: “Këshilli na dha vetëm disa orë kohë, duke e caktuar seancën e radhës në orën 16.00 të datës pasardhëse, një afat gjithsesi i pamjaftueshëm, edhe po të mbajmë parasysh faktin e pohuar në seancë se prokurorisë i janë dashur 2-3 javë për të redaktuar materialin e paraqitur”. Në këndvështrimin e konceptit të “kohës së mjaftueshme për t’u mbrojtur”, barazia e armëve sipas avokatëve u cenua.

Parashtrimet e avokatëve të deputetit Z. Arben Ahmetaj (në mënyrë të përmbledhur për të respektuar detyrimin e sekretit hetimor)

Sipas avokatëve të tij, deputeti Z.Arben Ahmetaj ka fituar statusin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, në kuadër të procedimit penal nr. 277/1 i vitit 2022, pjesë e procedimit mëmë nr.277/2020, nga i cili është veçuar. Ai hetohet për tre vepra penale:

● Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, sipas nenit 260 të K.Penal (të konsumuar 6 herë);
● Pastrim i produkteve të veprës penale të korrupsionit, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, sipas neneve 287/II e 25 të K.Penal;
● Deklarim i rremë dhe fshehje e pasurisë dhe interesave private nga persona të zgjedhur, të kryer vetëm dhe në bashkëpunim, sipas neneve 257/a/II e 25 të K.Penal.

Sipas avokatëve: fakti penal kryesor që i kontestohet deputetit Z.Arben Ahmetaj është fakti i korrupsionit, sipas akuzës i konsumuar 6 herë. Pastrimi i produkteve, kuptohet që është fakt penal i derivuar prej tij. Faktet që lidhen me deklarimin e rremë apo fshehjen e pasurisë, përsëri lidhen me faktin penal kryesor, me një pasaktësi në konceptin e konkurrimit të krimeve.

Në këtë kontekst akuzator, që në kontaktin e parë me organin e akuzës, më 22.6.2023, kur z. Z.Arben Ahmetaj u thirr për t’u marrë në pyetje, parashtruam një kërkesë më se të ligjshme, të mbështetur në nenin 34 të K.Procedurës Penale: kërkuam që të na shpjegohej thjesht, qartë dhe saktë, cilat janë faktet penale të korrupsionit që i atribuohen z.Ahmetaj. E dimë që prokurorët i lidhin këto fakte me hetimin e procedurave për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, arrijmë të kuptojmë që me procedurat e inceneratorëve, në raport me z. Ahmetaj, sipas këndvështrimit të prokurorëve, ka diçka që nuk shkon, por nuk thuhet konkretisht, qartë dhe me saktësi: cili është veprimi apo mosveprimi kriminal i z.Ahmetaj në cilësinë e ministrit përkatës, cila është pasoja kriminale e ardhur, në ç’masë e kanë determinuar këtë pasojë veprimet e ish-ministrit, çfarë pushteti vendimmarrës i lejonte atij ligji për këto procedura, cilat janë këto 6 raste korruptive, janë të veçuara nga njëra-tjetra apo pjesë e një krimi permanent (mendim unik kriminal), sa para ka përfituar ai për secilin episod korruptiv, etj., etj.

Këto pyetje, të mbetura pa përgjigje, i bindin avokatët se në veprimet/mosveprimet e ish-ministrit Ahmetaj lidhur me çështjen e inceneratorëve nuk ka ndonjë fakt të dënueshëm penalisht. Dhe nga ky moment, të favorizuar edhe nga pozita e tij politike vulnerabël, hetuesit i rikthehen nje metode të vjetër hetimi: nuk synohen faktet penale, po fillojnë dhe hetojnë personin! Provat që shoqërojnë kërkesën, demonstrojnë qartë se hetuesit kanë kaluar në sitë të gjithë jetën private dhe financiare të ish-ministrit.

Sistemet që mbështeten tek shteti i së drejtës hetojnë faktet penale, e drejta penale demokratike është “e drejtë e faktit penal”, ndaj në një proces synohet të hetohen ato që ligjvënësi i përcakton, në nenet 149 e vijues të K. Procedurës Penale, si “faktet objekt prove”. Hetimet e gjithashme që puntojnë personin na sjellin ndërmend disa remineshenca të së kaluarës, jo dhe aq të largët. E drejta penale demokratike e refuzon teorinë famëkeqe të “së drejtës penale të autorit”, një atavizëm i regjimeve autoritare, që orienton se në mungesë të faktit penal mund të shtrihemi në hetimin e autorit dhe, natyrisht, diçka e paligjshme do të gjendet në jetën e tij. Dhe nuk është aspak çudi që Arben Ahmetaj, në jetën e tij, të ketë lënë ndonjë taksë pa paguar, të ketë bërë ndonjë ndërhyrje që sot quhet ushtrim i ndikimit të paligjshëm, etj. dhe, në fund të kësaj historie, sido që të shkojë hetimi i faktit kryesor, një akuzë mbi shpinë do t’i mbetet, gjithsesi.

Avokatët në mbrojtjen e tyre u ndalën në faktet e pretenduara në parashtrimet e Prokurorisë së Posaçme, duke prapësuar se pse nuk janë fakte penale dhe se pse nuk ekziston sipas tyre asnjë rrethanë apo fakt për të pasur një dyshim të arsyeshëm që të përligjë kërkesën e organit të akuzës drejtuar Kuvendit.

Për fondet që akuza pretendon se përbëjnë drejtpërdrejt ose tërthorazi përfitim të parregullt nga deputeti Z. Arben Ahmetaj, avokatët argumentuan se ngarkojnë deputetët me analiza të panevojshme, duke i shitur si prova të përfitimeve korruptive. Avokatët parashtruan disa që i konsideronin më kryesore për të sqaruar në lidhje me fondet që përmenden në kërkesë.

Në lidhje me krimin e parashikuar nga nenet 257/a e 25 të K.Penal, avokatët parashtruan se krimi i fshehjes së të ardhurave apo i deklarimit të tyre të rremë nga nëpunësit e lartë shtetërorë, nuk mund të konkurrojë me krimin e korrupsionit aktiv, për një arsye shumë të thjeshtë: nuk mundet që ligji t’i kërkojë nëpunësit të korruptuar që të deklarojë në ILDPKPI fondet e siguruara në rrugë korruptive. Është njëlloj sikur të kërkosh që vjedhësi të përgjigjet edhe për moskallëzimin e krimit të vjedhjes! Në kontekstin e akuzave ndaj Z. Arben Ahmetaj, ky element teknik nuk ka ndonjë rëndësi të madhe në planin e sanksionit penal. Por ka rëndësi për të kuptuar metodën se si ka lëvizur Prokuroria e Posaçme: niset nga asgjëja, vë nën hetim personin dhe ngre në këmbë një çështje. Çështja fillimisht ishte e regjistruar për shpërdorim të detyrës, sipas nenit 248 të K.Penal. Që në çdo rast, edhe po të mos gjendej asgjë, një shkelje e ligjit e lidhur me një pasojë tekefundit do të mbetej dhe personi i piketuar për t’u hetuar nuk do të mbetej fare pa akuzë.

Për ligjshmërinë dhe procedurën e kërkesës për arrestim
Avokatët shprehën se: Nga deputetët e nderuar të dy krahëve politikë, u bë një pyetje e thjeshtë dhe logjike: cilat janë arsyet që ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj të aplikohet një masë e tillë kaq e ashpër? Pse kërkohet arrest/heqje lirie dhe pse pikërisht tani dhe jo më herët?

Përfaqësuesit e akuzës u përgjigjën se këto nuk janë çështje që i takojnë këtij Këshilli, i cili nuk është gjykatë e juridiksionit penal. Në këndvështrimin tonë dhe të së drejtës kushtetuese dhe të procedurës penale, kjo është një përgjigje e dobët, e kushtëzuar nga mungesa e argumentit. Me të drejtë deputeti z.Alibeaj e sqaroi mjaft mirë këtë aspekt të procedurës: ky Këshill dhe Kuvendi nuk janë noterë që vulosin kërkesat e prokurorisë. Nuk janë gjykatë, por në këtë procedurë ato sillen si quasi-gjykatë dhe, natyrisht, në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës dhe 288 të K.Procedurës Penale, vigjëlojnë mbi liritë, të drejtat dhe sigurimin e garancive ndaj arrestimit arbitrar të deputetëve.

Sipas avokatëve, po jetojmë në kohën e një “populizmi gjyqësor” në ngjitje, më i rrezikshëm se populizmi politik, ngaqë i mungon legjitimiteti demokratik: gjithandej flitet për pranga dhe arrestime, askush nuk do t’ia dijë për të drejtat dhe garancitë e individit. Tek ne, për arsye që i dimë mirë, nuk ka një traditë të respektimit të të drejtave dhe lirive në procesin penal. Për fat të keq, kulturat dhe nënkulturat antigarantiste, për shkak të kësaj klime që përmendëm, po zënë vend edhe në një pjesë të së majtës, që ndër dhjetëvjeçarë ka qenë paladine e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të individit. Demonstrohet një siguri absolute mbi rezultatet e arritura nga hetimet, edhe në kërkesën që Ju po shqyrtoni, ndërkohë që në plan të parë duhet të dilte vetëpërmbajtja dhe maturia e gjykimit, e mishëruar aq bukur në fjalën latine “juris-prudentia” – masë dhe vetëpërmbajtje si në vlerësimin e fakteve të procesit, ashtu edhe në zbatimin e ligjit, ngaqë gabimi gjyqësor është gjithmonë një rrezik eminent në hetimet penale. Ndaj merr rëndësi të jashtëzakonshme që pushteti gjyqësor të përmbahet nga garancitë, që guri i qoshes së procesit penal – prezumimi i pafajësisë – të mos mbetet një fjalë boshe, por t’i jepet kuptimi që meriton dhe kjo sot është në dorën tuaj, të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë.

Kërkesa sipas avokatëve nuk paraqet asnjë shkak të ligjshëm, që ta bëjë të domosdoshëm, në një shoqëri demokratike, arrestimin e deputetit Z.Arben Ahmetaj. Hetimet kanë më se 3 vjet që kanë filluar, një pjesë e mirë e zyrtarëve të hetuar për të njëjtën çështje ndodhen në përfundim të procesit gjyqësor, provat tanimë janë mbledhur dhe nuk ka dhe as u demonstrua ndonjë fakt që të verë në rrezik marrjen ose të cenojë vërtetësinë e tyre. Zoti Ahmetaj priste me padurim përballjen me drejtësinë, u paraqit para prokurorëve me thirrjen e parë dhe pranoi të jepte shpjegime të hollësishme për të gjitha akuzat e tyre. Deklarimet e tij po i bashkëlidhim, si pjesë integrale e këtij parashtrimi, edhe për faktin se për arsye shumë serioze familjare, ai nuk pati mundësi të ishte i pranishëm dhe të mbrohej vetë. Deputeti Z.Arben Ahmetaj është i shkarkuar nga të gjitha funksionet ekzekutive, ndaj përmbushen edhe kërkesat e parandalimit të posaçëm, ai nuk ka asnjë mundësi të kryejë krime që lidhen me detyrën. Për këto arsye, mungojnë kushtet dhe kriteret që parasheh ligji për të zbatuar ndaj tij, si një extrema ratio, masën e arrestit në burg.

Kërkesa sipas avokatëve nuk duhet të miratohet edhe për shkak të një precedenti të vendosur nga Kuvendi në të ashtuquajturën “çështja Tahiri”. Ai hetohej për fakte penale shumë më të rënda se ato që i kontestohen deputetit Z. Arben Ahmetaj si trafikim i narkotikëve në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe, megjithatë, ai nuk u vendos në kushtet e arrestit në paraburgim. Të gjithë jeni dëshmitarë të rënies së akuzave, të ngritura me aq bujë ndaj tij. I mbeti vetëm akuza “e pashmangshme” e shpërdorimit të detyrës, barka e shpëtimit ku hovin të gjithë prokurorët për të shpëtuar nderin, në rastin e akuzave të pamatura ndaj funksionarëve publikë.

Kërkesa për arrestim pasohet nga kërkesa për të lejuar kontrollin personal dhe të banesës së deputetit Z. Arben Ahmetaj. Kjo kërkesë sipas avokatëve është pa asnjë sens juridik: aktet e kërkuara janë akte surprizë, ato nuk e realizojnë dot qëllimin për të cilin kërkohen, në rast se kryhen pasi personi që kontrollohet është vënë në dijeni të këtij qëllimi.

Duke vlerësuar rolin e Prokurorisë së Posaçme për të kontribuar për zbatimin e ligjshmërisë në këtë vend, natyrisht, pa harruar se po aq e rëndësishme është që drejtësia të bëhet duke garantuar të drejtat dhe liritë e personit, i pafajshëm apo fajtor qoftë ai, avokatët e deputetit Z. Arben Ahmetaj kërkuan në Këshill mospranimin e kërkesës së organit të akuzës si të pambështetur në ligj e prova.

Avokatët iu përgjigjën dhe pyetjeve të deputetëve për sqarimin e rrethanave dhe fakteve që i shërbejnë shqyrtimit në procesin procedural parlamentar.

IV. VLERËSIMI I KËSHILLIT PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN

Pasi dëgjuam Drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Z. Altin Dumani, në cilësinë e tij si prokuror i çështjes si dhe prokuroren tjetër Znj. Enkelejda Millonaj, avokatët e deputetit z. Arben Ahmetaj, Z. Henrik Ligori dhe Z. Ardian Visha, pasi u njohëm me relacionin dhe provat shoqëruese, parashtrimet e mbrojtjes për to, diskutuam në lidhje me raportin rekomandues që i dërgojmë seancës plenare.

Deputetët e shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin çmuan të veçojnë raportin e tyre nga ai i pakicës parlamentare për arsye se: 1) qëndrimet e opozitës përmbajnë konsiderata politike, nuk kujdesen të rspektojnë parimet e shtetit të së drejtës, ndryshe nga sa parashikohet në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit për rolin e Kuvendit dhe organeve të tij në procedura të tilla parlamentare kur kërkohet dhënia e autorizimit për masat e sigurimit personal të deputetit dhe kontrolleve ndaj tij dhe pasurisë së tij; 2) çmojmë të trajtojmë në këtë raport dhe rëndësinë e parimeve të shtetit të së drejtës që duhen respektuar në procese të tilla, në funksion të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Fillimisht nënvizojmë se, me keqardhje konstatojmë se dhe në këtë proces, kolegët e opozitës përdorën rastin për të ushqyer debatin politik, dhe nuk u prirën nga interesat e drejtësisë. Gjithashtu, e shohim si tejet negative nxjerrjen në publik të akteve, informacioneve apo diskutimeve që u paraqitën për shqyrtim në Kuvend e Këshill, ku mbledhjet me kërkesë të organit të akuzës u bënë me dyer të mbyllura, me qëllim që të ruhej sekreti hetimor për të mos dëmtuar vijimin e hetimeve.

Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi, pasi pjesë të akteve u shfaqën në media, madje dhe pa nisur shqyrtimi në Këshill. Nën petkun e justifikimit të informimit publik, shoqëria shqiptare ende nuk e sheh të konsoliduar standardin e ruajtjes së sekretit hetimor. Mungesa e këtij standardi paragjykon drejtësinë, suksesin në rezultatet e saj të ligjshme, e ul besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe krijon një mjedis mundësues edhe për sulme të padrejta, ndaj shtetasve që po për shkak të sekretit hetimor nuk mund të sqarojnë në publik pozitën e tyre, duke mos pasur të drejtë të mbrojnë dinjitetin e njeriut, që u cenohet nga nxjerrja e sekreteve hetimore, madje në disa raste edhe më keq akoma nga keqinterpretimi i informacionit sekret hetimor. Është detyrë e kujtdo që bie në dijeni të sekretit hetimor ta ruajë atë dhe detyrë e përgjegjësi e organeve të drejtësisë të vendosin standarde nëpërmjet masave ligjore, për të mos lejuar nxjerrjen e sekretit hetimor.

Në, deputetët e shumicës gjykojmë se procedura me dyer të mbyllura do të garantonte ruajtjen e sekretit hetimor, që është interes primar i drejtësisë, por që në fakt nuk u ruajt në këtë procedurë dhe në këto kushte kur kjo garanci e sekretit hetimor humbet, do të kishte qenë më mirë që procesi të kryhej me dyer të hapura, në mënyrë që çdo informacion të dëgjohej nga publiku e të mbyllej kështu çdo shteg për abuzim me informacionin e marrë nga dokumentacioni sekret hetimor apo çdo keqpërdorim i tij dhe shtrembërim i së vërtetës. Marrim shkas për këtë qëndrim, sepse kolegë të opozitës shtrembëruan, jo pak herë, deklarata të organit të akuzës apo informacione të dosjes në shqyrtim, duke i interpretuar sipas qëllimeve dhe interesave të ngushta politike, kur morën fjalën psh. në mbledhje të hapura të organeve të Kuvendit apo në deklaratat për median në çdo dalje pas mbledhjeve të Këshillit. Për të respektuar sekretin hetimor ne nuk mund ta zgjerojmë më tej këtë qëndrim dhe nuk mund të tregojmë konkretisht këtu se për cilat fakte bëhet fjalë.

Për më tepër, organi i akuzës duhet të kujdeset që kur parashtrohen fakte apo rrethana për shtetas që nuk janë pjesë e hetimit, por përmenden për të sqaruar një situatë të caktuar, të përdoren iniciale, pasi ky proces tregoi që emra shtetasish, të cilët nuk kanë lidhje me akuzat lakohen apo komentohen shpesh pa të drejtë, siç ndodhi aktualisht kur deputetë të opozitës keqpërdorën dhe përmendën emra shtetasish në mbledhje të hapura, në komisione apo dhe në media dhe të drejtat e atyre shtetasve cenohen e mbeten të pambrojtura, opinioni publik dizinformohet, interesat e drejtësisë dëmtohen.

Në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme:
Anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, çmojnë të mbajë parasysh në shqyrtimin e kërkesës, faktin se ndryshimet që iu bënë Kushtetutës nëpërmjet ligjit nr.88/2012, sa i takon kufizimit të imunitetit për subjektet e parashikuara në Kushtetutë, janë një premisë për fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe luftën pa kompromis ndaj fenomeneve kriminale, pavarësisht rangut të zyrtarëve që dyshohet se kryejnë veprat penale.

Ndryshe nga sa parashikohej nga Kushtetuta e vitit 1998, me konsensusin e të gjitha partive politike, Kuvendi i Shqipërisë hodhi një hap të matur dhe të rëndësishëm përpara në garantimin e funksionalitetit të plotë të shtetit të së drejtës në vendin tonë. Nëse deri në vitin 2012, organi procedues as nuk mund të niste dhe nuk mund të kryente asnjë veprim procedural ndaj një personi që gëzonte imunitet kushtetues, i dyshuar për kryerjen e një vepre penale, me ndryshimet në fjalë, ky imunitet u kufizua vetëm në rastet kur kërkohej arrestimi, heqja e lirisë (ndalimi) apo kontrolli personal apo i banesës.

Edhe në rastin në shqyrtim, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues në ushtrim të funksionit kushtetues për ndjekjen penale, ka regjistruar një procedim penal dhe deputetin z. Arben Ahmetaj e ka cilësuar si person nën hetim, si dhe ka kryer çdo veprim procedural që çmon të nevojshëm në përmbushje të objektivit primar, garantimit dhe dhënies së drejtësisë në një shtet, ku ligji është i barabartë për të gjithë shtetasit.

Në opinionin e Komisionit të Venecias CDL-AD(2006)005 (mars 2006) në lidhje me procedurat për kufizimin e imunitetit parlamentar dhe kushtet për dhënies së autorizimit për ndjekjen penale parashtrohet se: “E drejta e Parlamenteve për të hequr imunitetin e anëtarëve të tyre është pjesë e padiskutueshme e traditës parlamentare evropiane. Objektivi kryesor i dispozitave që garantojnë imunitetin parlamentar është mbrojtja e vetë Parlamentit dhe në mënyrë të veçantë e funksionimit të duhur të tij. Imuniteti parlamentar nuk është një privilegj personal i secilit prej anëtarëve të Parlamentit”.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vlerëson se është pikërisht kjo fryma dhe standardi më i lartë që do të duhet të mbahet parasysh dhe të vlerësohet sa herë që bazuar në dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, organi që me Kushtetutë ka tagrin e ushtrimit të ndjekjes penale, Prokuroria e Posaçme në rastin konkret, i drejtohet parlamentit për të kërkuar autorizimin.

Në raportin e tij CDL-AD (2014)011 (maj 2014), për fushën e veprimit dhe heqjen e imunitetit parlamentar të hartuar bazuar në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Komisioni i Venecias argumenton se: “Komisioni i Venecias vlerëson për më tepër që organi parlamentar që shqyrton kërkesën për heqjen e imunitetit nuk duhet të bëjë një vlerësim ligjor të çështjes si e tillë. Në veçanti, ky organ nuk duhet në asnjë rrethanë të japë qëndrimin e tij për fajësinë ose jo të deputetit përkatës apo të bazueshmërinë së procedimit penal.”

Nisur nga ky qëndrim i Komisionit të Venecias, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në rastin konkret nuk mund të marrë në shqyrtim bazueshmërinë në prova dhe fakte të kërkesës së paraqitur nga ana e organit procedues. Kjo pasi në rast të kundërt, Kuvendi i Shqipërisë do të cenonte një tjetër parim të rëndësishëm të shtetit të së drejtës, siç është ai i ndarjes së pushteteve.

Vlerësimin në rast se janë ose jo kushtet dhe kriteret për vendosjen e një mase sigurimi personal apo kryerjen e veprimeve të tjera procedurale, e bën sistemi gjyqësor nëpërmjet organit të tij, gjykatës, bazuar në parashikimet e posaçme të Kodit të Procedurës Penale, neni 244 e vijues. Është vetëm gjykata, organi i vetëm, që mund të marrë në shqyrtim, të çmojë dhe në fund të disponojë në lidhje me kërkesat e organit të prokurorisë gjatë hetimeve paraprake, në rast se ato i gjen eventualisht të mbështetura në prova dhe në ligj.

Është gjykata ajo që garanton respektimin e të drejtave të njeriut në gjithë hallkat e procesit penal, procesin e rregullt ligjor, garancitë procedurale, kushtet dhe kriteret që parashikohen në ligjin procedural, etj si dhe zbatimin e parimit të proporcionalitetit të masës së sigurimit me kërkesat dhe faktet që i paraqiten për gjykim. Organi i akuzës ka detyrimin të respektojë e zbatojë garancitë procedurale dhe të drejtat e njeriut në proceset hetimore, pasi çdo cenim i këtyre garancive, jo vetëm që mund të konstatohet si shkelje nga gjykata, por rrezikon të dëmtojë dhe vetë rezultatet e punës së organit të akuzës në shërbim të interesit publik, duke ndikuar dhe në kredibilitetin e vetë institucionit dhe uljen e besimit të publikut te drejtësia.

Në raportin CDL-AD (2014)011 (maj 2014), Komisionit i Venecias ka trajtuar dhe kujdesin që duhet treguar në shqyrtimin e kërkesave të tilla për dhënie autorizimi, referuar interferencave të mundshme politike. Në këtë raport është argumentuar se: “Komisioni i Venecias në përgjithësi vlerëson se duhet të ekzistojnë një prezumim themelor që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet, kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat ndaj deputetit përkatës janë të motivuara politikisht.” Kur trajtohet çështja e motivimit të akuzave nga shkaqe që nuk janë të ligjshme, nënkuptohen ndërhyrje politike apo qëndrime/ndikime të natyrave të tjera që nuk përkojnë me realizimin e funksioneve të ndjekjes penale sipas parimeve të shtetit të së drejtës, por me ndikime të padrejta që cenojnë pavarësinë, paanësinë dhe profesionalizmin e organeve të drejtësisë.

Natyra e procedurës parlamentare në Kuvend në këto raste, fillimisht në Këshill është e një natyre jo politike, por garantuese që parimet e shtetit të së drejtës dhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve të mos cenohet. Këto procedura duhet të jenë në përputhje me parimet e përgjithshme të ligjit procedural penal, përfshirë të drejtën e palëve për t’u dëgjuar. Ato duhet të jenë të kuptueshme, të qarta dhe të parashikueshme. Procedurat duhet të respektojnë në çdo rast parimin e prezumimit të pafajësisë, siç është e mbrojtur dhe nga KEDNJ dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Këshilli dhe Kuvendi nuk janë noterë që vulosin kërkesat e prokurorisë. Nuk janë gjykatë, por në këtë procedurë ato sillen si quasi-gjykatë dhe, natyrisht, në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës dhe 288 të K. Procedurës Penale, mbikëqyrin garancitë që respektojnë liritë, të drejtat dhe sigurojnë që ndaj deputetit të mos kryhet arrestim arbitrar.

Bazuar në këto standarde, në shqyrtime të këtij lloji:

i) Kuvendi ka kompetencë të vlerësojë nëse plotësohen kushtet ligjore për të dhënë autorizimin për marrjen e një mase të sigurimit personal siç është arresti në burg apo në shtëpi, heqje lirie në çfarëdolloj forme, kontroll personal dhe të banesës së deputetit;
ii) Nëse plotësohen apo jo kushtet, Kuvendi duhet të bazohet në gjykimin e vet, duke iu referuar relacionit të organit të akuzës dhe provave që mbështesin këtë relacion;
iii) Kuvendi, nuk bën vlerësimin e provave, por vlerësimin e kushteve dhe rrethanave për të krijuar bindjen se ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara se deputeti ka kryer një vepër penale;
iv) Nëse kërkesa është bërë nën ndikime politike apo të natyrave të tjera të paligjshme.

Nga pikëpamja formale: Nisur nga këto konsiderata të përgjithshme, ne anëtarët e shumicës parlamentare në Këshill, në analizë të akteve të marra në shqyrtim vlerësojmë se nga pikëpamja formale, kërkesa e organit të akuzës, Prokurorisë së Posaçme, ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj, është në përputhje me kërkesat ligjore. Prokuroria e Posaçme legjitimohet të paraqesë kërkesën në shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo kërkesë plotëson kriteret e nenit 73, pika 2 e Kushtetutës, pasi bëhet për ato shkaqe që parashikohen nga kjo dispozitë. Kërkesa është në përputhje me nenin 288, pika 1 dhe 2 e Kodit të Procedurës Penale, pasi është shoqëruar me relacionin shpjegues dhe provat përkatëse, sipas kërkesave në këtë dispozitë.

Nga pikëpamja substanciale: detyrë e Këshillit është të vlerësojë nëse kërkesa e organit të akuzës ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj, bazohet në kërkesat standarde që ka Kodi i Procedurës Penale në lidhje me një proces penal të rregullt, apo kërkesa e organit të akuzës është e motivuar apo ka sfond politik, apo është e motivuar nga shkaqe të tjera që nuk kanë lidhje me procesin e rregullt penal.

Në gjykimin e shumicës parlamentare në analizën e kërkesës, Këshilli mban parasysh se interesi mbizotërues është drejtësia dhe dhënia e të gjitha mundësive organit procedues për të hetuar e për të zbuluar deri në fund të vërtetën, por në këto raste detyrë e Kuvendit është dhe respektimi i disa standarteve kushtetuese për garantimin e procesit të rregullt ligjor dhe të drejtave të njeriut.

Kjo kushtëzohet nga fakti se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është, ndër të tjera, për dhënien e autorizimit për arrestim/heqje lirie të deputetit z. Arben Ahmetaj, që përbën një masë ekstreme, e cila lidhet me një të drejtë themelore të njeriut siç është liria personit, e mbrojtur nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (neni 5) dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 27), e cila kufizohet vetëm kur:

– Ka dyshime të arsyeshme dhe të bazuara se personi ka kryer një vepër penale;
– Duhet të parandalohet për një vepër penale që personi mund ta kryejë nëse nuk i kufizohet liria;
– Ekziston rreziku se personi do largohet.

Raporti i CDL-AD(2014)01 i Komisionit të Venecias, përshkruan disa kritere që në fakt lidhen qartazi jo me mundësinë për të lejuar arrestimin e një deputeti, por me nevojën për të lejuar procedimin penal me qëllim që drejtësia të mund të veprojë ndaj të gjithë shtetasve në mënyrë të barabartë. Në këtë raport, ndër të tjera theksohet se duhet vlerësuar nëse:

– Kërkesa për të hequr imunitetit është mbështetur në argumente serioze, të sinqerta dhe të ndershme;
– anëtari (deputeti) është kapur në flagrancë;
– shkelja e pretenduar është e një natyre shumë serioze;
– kërkesa lidhet më një sjellje kriminale që nuk ka të bëjë me aktivitetin parlamentar, por lidhet me akte të kryera në lidhje me të tjera funksione personale ose profesionale;
– procedimi duhet lejuar me qëllim për të mos penguar drejtësinë;
– procedimi duhet lejuar me qëllim që të ruajë autoritetin dhe legjitimitetin e parlamentit;
– anëtari kërkon vetë që imuniteti të hiqet.

Në analizë të kërkesës, relacionit e provave të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, rezulton se ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj, është regjistruar procedimi penal nr. 277/1, viti 2022, në regjistrin e veprave penale, ku ai ka cilësinë si person nën hetim, për tre vepra penale (Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, sipas nenit 260 të K.Penal (të konsumuar 6 herë); Pastrim i produkteve të veprës penale të korrupsionit, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, sipas neneve 287/II e 25 të K.Penal; Deklarim i rremë dhe fshehje e pasurisë dhe interesave private nga persona të zgjedhur, të kryer vetëm dhe në bashkëpunim, sipas neneve 257/a/II e 25 të K.Penal), dhe sipas relacionit dhe parashtrimeve të Prokurorisë së Posacme në Këshill ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova se deputeti i ka kryer ato vepra penale dhe për nevoja të hetimit të mëtejshëm kërkohet dhënia e autorizimit për masat që listohen në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës, nuk rezulton që kërkesa të jetë bërë në kushtet e një ndikimi politik apo të një natyre/ndërhyrje tjetër të padrejtë që të bjerë ndesh me interesat e drejtësisë. Në mënyrë të përmbledhur, të pyetur nga anëtarët e shumicës në Këshill, nëse organi i akuzës është ndjerë i ndikuar nga ndonjë faktor për ushtrimin normal të funksioneve të veta, nëse deputeti është vënë në dispozicion të drejtësisë apo e ka penguar hetimin, nëse institucionet shtetërore apo subjekte të tjera e kanë penguar atë të realizojë detyrat e veta, përfaqësuesit e organit të akuzës u përgjigjën se deputeti Z.Arben Ahmetaj, është vënë në dispozicion të procesit, organi i akuzës nuk ka hasur pengesa në punën e vet, nuk ka pasur ndikime të asnjë natyre në ushtrimin e detyrave të organit të akuzës në rastin në shqyrtim, dhe duke qenë se sipas organit të akuzës, ekziston dyshimi i arsyeshëm, bazuar në prova se deputeti ka kryer vepra penale, për nevoja të hetimit dhe për të garantuar rezultat kërkohet dhënia e autorizimit për masat përkatëse sipas kërkesës paraqitur Kuvendit.

KONKLUZIONE
Deputetët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, i rekomandojmë Kuvendit:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit, Z. Arben AHMETAJ.

DEPUTETËT

Klotilda BUSHKA Ermonela FELAJ (Valikaj) Klevis XHOXHI Arben PËLLUMBI

KRYETARE
Lindita NIKOLLA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.