Tue, Nov 26, 2024

Kuvendi heq imunitetin e Ahmetajt/ “Shtyrja e seancës, pengesë e hetimeve”, Zekthi: Rama në situatë të rëndë, ka vetëm një zgjidhje

  • PublishedJuly 14, 2023

Analisti Fitim Zekthi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka komentuar situatën rreth kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe zhvillimet rreth kësaj ngjarjeje.

Zekthi deklaroi se rasti i Ahmetajt është i pari në 32 vite ku mbyllet kapitulli i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë në Shqipëri.

Sipas tij në aferën e inceneratorëve ka shumë emra të përfshirë dhe se ish-ministri i Financave nuk është i vetmi që duhet të mbajë përgjegjësi.

Zekthi u shpreh se vonesat për dhënien e “dritës jeshile” për arrestimin e Ahmetajt janë “një luftë politike që kërkon të pengojë hetimet” e prokurorisë, të cilat sipas tij nuk kanë më kthim pas.

Sa i takon qëndrimit të kryeministrit, Zekthi tha se Rama ndodhet në një situatë të rëndë dhe ka vetëm një zgjidhje, të hapë rrugën për të gjitha hetimet e prokurorisë.

“Për herë të parë në 32 vite kemi mbylljen e një kapitulli të pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë. Në Shqipëri nuk ka nevojë fare për imunitet. Do duhet që të jepet menjëherë “OK” në raste të tilla nga palët në parlament. Do jetë e vështirë që të mbyllet kjo çështje me kaq pak gjë. Kjo është një çështje e madhe dhe varr i madh i dëshmisë së korrupsionit në Shqipëri. Ky skandal ka dëshmuar mënyrën e qeverisjes së këtij pushteti.

Ka shumë emra të përfshirë në këtë rast. Parlamenti duhet të qepë gojën dhe të votojë gjithë kërkesat e SPAK e të mos bëjë llafe kot. Kjo është një luftë politike që kërkon të pengojë hetimet. Tani nuk ka më kthim pas. Rama ka heshtur pasi është një në situatë dramatikisht të rëndë. Rama fliste më herët për qeverisje të re të Shqipërisë përditë. Sot qeveria e Ramës po bëhet me njerëz që nuk janë të asaj kohe kur erdhi në pushtet. Ai ka vetëm një zgjidhje, të heshtë dhe të thotë se është i hapur për çdo hetim.

Edhe sikur Ahmetaj të jetë i pafajshëm me këto reagime tregon se është tërësisht i fajshëm. Një njeri që akuzohet për ato që akuzohet ai nuk mund të justifikohet me postime në rrjete sociale. Nëse ka gjyq politik ndaj tij do kuptohet nga njerëzit kur të vijë këtu”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.