I vodhi portofolin dhe bizhuteritë e floririt gruas në mes të shëtitores së Himarës, arrestohet ‘skifteri’ 41-vjeçar
Policia e Himarës ka arrestuar një 41-vjeçar, i cili i ka vjedhur një shtetaseje, në shëtitoren e qytetit, kuletën me para dhe bizhuteritë e floririt. I arrestuari, rezulton të jetë autor i dyshuar i një vjedhjeje tjetër të kryer më 23 qershor, në një banesë në Himarë.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i patrullimit të pandërprerë në terren, veprimeve të shpejta hetimore dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë kriminale gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pocket”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. M., 41 vjeç, banues në Fier.
41-vjeçari, me precedent të mëparshëm për dhunë në familje dhe kalim të paligjshëm të kufirit, u kap menjëherë pasi i kishte vjedhur një shtetaseje, në shëtitoren e qytetit të Himarës, kuletën me para dhe bizhuteritë e floririt, me vlerë totale rreth 60 000 lekë.
Sendet e vjedhura u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet hetimore rezultoi se 41-vjeçari është gjithashtu autor i dyshuar i vjedhjes së 3 celularëve, në banesën e një shtetaseje, vjedhje e kryer më datë 26 qershor 2023, në Himarë.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.