Me mision kualifikimin, Partizani mbërrin në Hungari, me ekipin udhëton edhe Grezda
Partizani ka fluturuar drejt Hungarisë për të luajtur të martën ndeshjen e kthimit kundër Bate Borisov, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Champions League. Kampionët e Shqipërisë arritën një barazim 1-1 në ndeshjen e parë në “Air Albania” dhe tashmë kërkojnë kualifikimin për fazën tjetër.
Me ekipin binte në sy edhe prezenca e Eros Grezdës, i cili u përfol për dëmtim. Gjithsesi, nuk dihet nëse ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare do të jetë i gatshëm, qoftë edhe për ta ndihmuar skuadrën nga stoli. Të kuqtë treguan nivel të kënaqshëm në sfidën e parë dhe me apo pa Grezdën do të tentojnë të marrin një fitore.
Me ikjen e Bruno Telushit, Valentino Murataj pritet që të jetë kapiteni i ri i Partizanit. Lojtari 26-vjeçar ishte kapiten edhe në ndeshjen e parë kundër Bate Borisov deri në minutën e 75-të, kur në lojë hyri Telushi. Kapiten i parë mbetet Alban Hoxha, por për shkak se ai nuk është titullat, në fushën e lojës shiritin do ta mbajë Murataj.
Ndeshja e kthimit ndaj BATE-s do të luhet në Mezokozvezd të Hungarisë dhe pa tifozë. Nuk ka të bëjë me dënime futbollistike, por politike. UEFA u vendosi sanksione klubeve bjelloruse për shkak se qeveria e këtij vendi po mbështet Rusinë në agresionin ndaj Ukrainës.
Ndeshja e së martës do të nisë në orën 20:00, në një stadium të vogël me një kapacitet prej pak më shumë se 4 mijë vendesh, por në tribunë do të jenë vetëm delegacionet e ekipeve përkatëse.
()