Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt, Grupit Parlamentar i PD kërkon interpelancë urgjente me Edi Ramën
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi deklaroi se kanë vendosur të thërrasin në interpelancë kreun e shtetit, Edi Rama pas skandalit të Arben Ahmetajn lidhur me aferën e inceneratorëve.
Vendimi i Grupit Parlamentar të PD:
Në kërkesën e nënshkruar nga jo më pak se 7 deputetë demokratë, evidentohet se: “Në më shumë se një rast, organet e drejtësisë kanë konstatuar se të tre procedurat e koncesionit/PPP janë kryer në shkelje të ligjit, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar. Madje është fakt që edhe pse janë paguar miliona euro nga Buxheti i Shtetit, problem i mbetjeve në qarqet Elbasan, Fier dhe Tiranë nuk është zgjidhur ende”.
Dy janë cështjet që evidentojnë deputetët dhe për të cilat duhet të japë shpjegime Kryeministri Edi Rama:
- Identifikimin e vendndodhjes së bashkëpunëtorit të tij më të afërt dhe dorëzimin e tij drejtësisë. Sot cdo qytetar shqiptar pyet Kryeministrin Edi Rama: Ku fshihet ish-Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj?
- Paratë e Buxhetit të Shtetit që janë paguar për punë të pakryera apo për punime fiktive, a janë rikthyer në Buxhetin e Shtetit? Përsa kohë inceneratorët janë rrjedhojë e veprimeve korruptive dhe të paligjshme, pse vijohet me ekzekutimin e kontratave dhe me pagesat nga Buxheti i Shtetit për konpanitë në pronësi të tre personave në kërkim ndërkombëtar?
Në kërkesën e dorëzuar këtë të hënë në Kuvend deputetët theksojnë se: “Edhe pse tashmë rezulton e provuar që në këtë aferë me vlerë të paktën 430 milion euro, Buxhetit të Shtetit i është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm financiar, nuk rezulton që institucionet shtetërore të kenë ndërmarrë veprime për të korrigjuar paligjshmërinë dhe për të shmangur dëmin financiar për Buxhetin e Shtetit. 3 pronarët e deklaruar të inceneratorëve janë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, por edhe pse në arrati institucionet shtetërore vijojnë të jenë financues të tyre, duke vijuar pagesat për punë të pakryera. Praktikisht, institucionet shtetërore përmes pagesave nga Buxheti i Shtetit po shërbejnë si financues të jetesës së tyre në arrati”.
Për këtë arsye, deputetët kërkojnë zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin për të raportuar në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore lidhur me paligjshmërinë e konstatuar në 3 procedurat e koncesionit/PPP së inceneratorit të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, masat e marra për shlyerjen e dëmëve financiare që i janë shkaktuar Buxhetit të Shtetit dhe masat e marra për të ndaluar menjëherë pagesat që janë rrjedhojë e 3 kontratave të paligjshme dhe që rezultojnë se janë të prekuara nga fenomeni i korrupsionit masiv. Deputetët kanë kërkuar që kërkesa kërkese për interpelancë urgjente me Kryeministrin të përfshihet në rendin e ditës të seancës së datës 20.07.2023, si pikë e parë e rendit të ditës.