Tue, Nov 26, 2024

Dosja e inceneratorëve/ Sulo: Skema u prish se Ahmetaj iu la puplat qeverisë dhe SPAK-ut, nuk e kishin parashikuar. Bardhi: Për këtë çështje nën hetim numri 2 i PS

  • PublishedJuly 18, 2023

TIRANË

Dosja e SPAK për ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, apo përfshirja e zyrtarëve të tjerë të lartë është diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në News24.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se do ketë zyrtarë të tjerë të përfshirë dhe nëse hetimi është i plotë do duhet të shkojë deri te kryeministri Rama. Ai tha se për këtë çështje është nën hetim dhe numri 2 i PS-së, por kërkoi dhe mbështetje për prokurorët e SPAK.

Nga ana tjetër gazetari Arion Sulo tha se të gjithë të hetuarit janë ish dhe jo aktualisht me funksione. Sipas tij, gjithë rreziku që po vjen, më shumë nga presioni mediatik që po bëhet në media është për arratisjen e Ahmetajt. Ai tha se skema u prish se Ahmetaj iu la puplat dhe SPAK-ut dhe qeverisë që përbën një skandal dhe është nesër potencial që të nxjerrë gjëra, të shantazhojë.

DEBATI
Bardhi: Kam pyetur dhe kam kërkuar që dosja nuk duhet të ishte parcelizuar, veçuar, ndarë sepse kjo deri diku dhe i ka prishur hetimet. Provat dalin, informacionet qarkullojnë.
Do ketë zyrtarë të lartë? Absolutisht po. Nëse është hetimi i plotë do duhet të shkojë deri te kryeministri Edi Rama. Kam besim te SPAK-u. Koka e aferës së inceneratorëve nuk është as Arben Ahmetaj, as ata biznesmenët, as Gjiknuri, as Koka. Koka e aferës është Edi Rama.

Daci: Vepra penale e shpërdorimit të detyrës është një vepër mbetëse. Në rastin konkret është shpërdorimi i detyrës, por që lidhet me korrupsion.

Sulo: Koka e aferës së inceneratorëve është Edi Rama, kjo fjali ka tre vjet që thuhet, që nga 2020. Ne sot jemi vetëm te Ahmetaj, një ish. SPAK duhet përshëndetur, por nuk mjafton sepse koka e aferës së inceneratorëve është Rama. Kjo dosje as nuk e prek zotin Rama. Gjithë zallamahia, gjithë rreziku që po vjen, më shumë nga presioni mediatik që po bëhet në media është për arratisjen e Ahmetajt. Skema u prish se Ahmetaj iu la puplat dhe SPAK-ut dhe qeverisë. Këtë nuk e kishin parashikuar. Ikjen që është skandal që një ish-zv.kryeministër arratiset nga vendi, nuk përballet me drejtësinë, hedh baltë mbi drejtësinë dhe është nesër potencial që të nxjerrë gjëra, të shantazhojë. Këta janë të gjithë ish. Më thoni një zyrtar të lartë afër z. Rama që është nën hetim dhe rrezikon. Për çdo çështje. Tahirin nuk e lëshoi.

Bardhi: Për këtë çështje është nën hetim numri 2 i PS-së, njeriu më i afërt. Veliaj është pjesë e aferës së inceneratorëve.

Sulo: Lekët vazhdojnë të jepen. Për marrëveshjet e tre koncesioneve lekët vazhdojnë e jepen.

Bushkola: Dhe nuk dimë se për kë jepen, se nuk ka as pronar.

Sulo: Dosja e SPAK nuk e thotë nëse koncesionet janë të ligjshme apo jo.

Bardhi: E thotë. Ne shohim indicie për persona të tjerë. Dosja që ka ardhur në Kuvend është hetim për z. Ahmetaj.
Z.Dumani në shkresën që ka sjellë në Kuvend ka thënë se përveç z. Ahmetaj kemi nën hetim zyrtarë të lartë publikë. Ato burra dhe gra atje janë duke dhënë një shembull pozitiv. Kanë nisur të bëjnë ca punë të mira dhe t’iu themi bravo.

Sulo: Dhe kush punon gabon.
Bardhi: Dhe t’i nxisim t’i shkojnë hetimeve deri në fund. Ne kemi 2 vite e gjysmë që pyesim ku është SPAK-u dhe hetimi për Ahmetaj tregon se SPAK-u ishte në punë. Ahmetaj nuk ka ikur kot atje ku ka ikur sepse rrezikon të paktën 15 vite burg. A dua të shoh më tepër rezultate nga SPAK, pa asnjë diskutim. Por në vend që t’i sulmojmë, të bëhemi mburojë për ata burra dhe gra.
Z. Ahmetaj është arratisur se ka besim se nuk blen dot SPAK-un.

AlbaniaWeb.net