“Valsi” i portierëve në Evropë, Thomas Strakoshës i del emri te pretendentët e Champions League
Ka një vals portierësh në ligat kryesore evropiane, teksa me lëvizjet e tyre efekti domino është i pashmangshëm. Dhe në këtë mori transferimesh të gardianëve përfshihet edhe Thomas Strakosha.
Onana i Interit po pret vetëm zyrtarizimin te Manchester United pas largimit të De Gea, ndërsa vetë zikaltrit duan të marrin zviceranin Sommer të Bayern Munchen, pasi në portë tashmë do të jetë Manuel Neuer si pasojë e rikuperimit të plotë.
Kështu, bavarezët nuk do të kishin një portier të dytë cilësor, teksa skuadra luan afërsisht 50 ndeshje në sezon. Bayerni po shqyrton dy portierë të rinj për të qenë opsion rezervë dhe një ndër ta është edhe Strakosha.
Emri i gardianit të Kombëtares shqiptare ka dalë në radarin e gjigantëve bavarezë, të cilët nuk duan të shpenzojnë shumë për këtë pozicion. Siç raportohet nga “Sky Germany”, Strakosha dhe Dominik Kotarski janë diskutuar si alternativa të mundshme.
Strakosha e kaloi sezonin e fundit në Brentford, ku pati vështirësi për minuta, duke luajtur vetëm dy herë në gjithë vitin, teksa garoi me portierin spanjoll David Raja, i cili nuk është shitur ende nga klubi anglez, teksa është afruar edhe Fliken nga Bundesliga.
Megjithatë, 28-vjeçari i Kombëtares shqiptare ka një eksperiencë të gjatë mbi supe me Lazion, duke numëruar 208 paraqitje, me 62 rrjeta të paprekura. Nuk dihet nëse vetë Strakosha do të pranonte të kalonte si portier i dytë të Bayern, apo të rikthehet në Itali si i parë, ku Lecce kërkon shërbimet e tij.
()