Balla takon ambasadorin italian, Bucci: Bashkëpunim të ngushtë dhe strategjik me strukturat ligjzbatuese italiane
Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, me të cilin diskutoi çështje të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Në takim u konfirmua mbështetja e Italisë për Shqipërinë lidhur me projektet dhe programet e shumta që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit.
Ambasadori Bucci me këtë rast i uroi suksese në detyrën e re Ministrit Balla dhe siguroi që bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë i vazhdueshëm dhe i shtrirë në shumë fusha. Ministri Balla, pas takimit përmes një postimi në rrjetet sociale, konfirmoi nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe posaçërisht sa u përket strukturave ligjzbatuese.
Balla shprehu gjithashtu falënderimet si ministër për mbështetjen e Italisë ndaj vendit tonë.
()