Temperaturat e larta, Bashkia e Tiranës hap tenda me mjekë për të ndihmuar qytetarët
Për t’u ardhur në ndihmë qyetarëve në këto ditë të nxehta, Bashkia e Tiranës ka ngritur dy pika të kujdesit, një pranë sheshit ‘Skënderbej” dhe një tjetër pranë digës së Liqenit Artificial. Qytetarët të cilët shfaqin shqetësime me shëndetin, asistohen nga studentët e mjekësisë në mënyrë vullnetare.
Nënkryetari i Bashkisë Andi Seferi u shpreh se në këtë periudhë, janë marra masa të shtuara për çdo të papritur. “Bashkia e Tiranës mori si iniciativë ngritjen e dy pikave të kujdesit ndaj qytetarëve të Tiranës. Njëra pikë ndodhet në sheshin Skënderbej. Pika tjetër ndodhet pranë digës së Liqenit Artificial. Janë dy pika që ofrojnë shërbim për qytetarët të cilët ndjejnë shqetësim në këtë periudhë vape.
Studentët e vitit të fundit të Mjekësisë janë ata të cilët ofrojnë këtë shërbim vullnetar. Të gjitha shërbimet që merr një qytetar që nuk ndihet mirë është matja e tensionit, shpjegimi i rasteve, marrja e informacionit nga mjekët për shqetësimet që ata kanë, informacion se ku duhet të orientohen. Është një bashkëpunim edhe me Shërbimin Kombëtar të Urgjencës që nëse do ketë raste që kanë nevojë për asistencë spitalore , të shoqërohen dhe të vazhdojnë ndjekje të mëtejshme”, Seferi.
Nënkryetari i Bashkisë bën me dije se shërbimet e Policisë Bashkiake janë të shtuara në këtë periudhë pikërisht me qëllimin për të sensibilizuar dhe për t’u gjendur pranë qytetarëve. “Këto stenda janë me dy turne”, tha ai.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës në pika të ndryshme të kryeqytetit ka vendosur edhe stacione për freskimin e qytetarëve, ndërkohë që qendrat sociale janë në gatishmëri të plotë.