Thu, Nov 28, 2024

Prokurori Artur Cara kundërshton barrat e provës për pasurinë

  • PublishedJuly 19, 2023

Artur Cara

Prokurori i Prokurorisë së Fierit, u përball të mërkurën më 19 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për konstatimet lidhur me burimet dy apartamenteve duke kundërshtuar bilancet negative, si dhe lidhur me transaksione financiare të kyera nga bashkëshortja me familjarët e saj, edhe kohë para se të njiheshin e të kishin filluar bashkëjetesën.

Prokurori Cara deklaroi se bashkëshortja i kishte kryer veprimet për llogari të familjarëve pa interes dhe bazuar në një prokurorë të posaçme, përpara se ata të krijonin lidhje mes tyre, duke kërkuar që të mos konsiderohen si persona të lidhur. Ai pretendoi se me provat dhe shpjegimet kishte përmbysur bilancet negative.

Ai mori vlerësim pozitiv për pastërinë e figurës dhe dha shpjegime për disa gjetje në kriterin profesional.

Procesi i vetingut për prokurorin Cara po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga , me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme .

Artur Cara e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2000. Ai u emërua prokuror në vitin 2009 dhe punoi prej asaj kohe në Prokurorinë e Fierit. Aktualisht shërben si pranë .

Barrat e provës për pasurinë

Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2017 kundrejt çmimit 5700 euro, si burime krijimi të të cilit ka deklaruar një kredi.

Ndërkohë, relatorja Shuli konstatoi disa gjetje lidhur me një apartament me sipërfaqe 120 m2 në Tiranë, të porositur nga subjekti në vitin 2002 kundrejt çmimit 38 mijë USD. Si burime krijimi të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar të ardhurat e tij nga puna në emigracion në Itali dhe puna në shqipëri, si dhe të ardhurat e bashkëshortes nga puna e saj.

Nga ky hetim ka rezultuar se janë lidhur kontrata në emrin e subjektit me institucionin e Furnizuesit të Shërbimit Universal, FSHU në Kavajë dhe Burrel. Për rrjedhojë, i është kërkuar që ato prona nuk janë pasuri të tij. Prokurori Cara shpjegoi se kishte depozituar dokumentacion që vërteton se personat që kanë lidhur këto kontrata, megjithëse mbajnë të njëjtin emër si ai, rezultojnë se kanë atësi e mëmësi tjetër.

Shuli evidentoi se subjekti ka pasqyruar në deklaratën “veting” se ka marrë një kredi në vitin 2010 me qëllim kryerjen e investimeve në këtë apartament dhe mobilimin e dhomës së fëmijëve. Por, nga verifikimi i dokumentacionit të kredisë, ka rezultuar se qëllim i marrjes së kësaj shume ka qenë pagesa e këstit të apartamentit.

KPK konstaton se shlyerja e çmimit të apartamentit ishte kryer në vitin 2003. Ndërkohë në dokumentet e bankës për këtë kredi është shënuar edhe një e dhënë tjetër, se ishte marrë me qëllim shlyerjen e një huaje të marrë për blerjen e apartamentit. Shuli solli n vëmendje se dhe në vitin 2010, Cara ka dekaruar se kredia ishte marë për shlyrje detyrimi për apartamentin.

Prokurori Cara deklaroi se kishte shpjeguar se gjithë çmimi i apartamentit ishte likujduar në vitin 2003 dhe se ishte e provuar se kredia nuk mund të kishte shërbyer për shlyerjen e çmimit të apartamentit. Po ashtu, e cilësoi të pakuptimtë që të kishte shërbyer për shlyerjen e ndonjë huaje. “U qëndroj shpjegimeve se kredia ka shërbyer për riparimin e apartamentit për disa pjesë ku kishte laështirë dhe për arredimin e dhomës së fëmijëve”, deklaroi Cara.

Në vijim, KPK konstatoi se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë një pjesë të burimeve që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie, pasi rezulton me bilanc negativ.

Prokurori Cara e kundërshtoi këtë konstatim, duke argumentuar se aid he bashkëshortja jetonin me familjet e tyre të origjinës përpara fillimit të bashkëjetesës në vitin 2004 dhe se kishin pasur mundësi të kursenin rreth 4.2 milionë lekë. Për diferencën në shumën 800 mijë lekë të çmimit të apartamentit, subjekti tha se ato mbuloheshin nga të ardhurat e tij prej punës në Itali.

Cara solli në vëmendje se në kohën kur kishte punuar në Itali, nuk kishte pasur detyrim të ruante dokumentacion për të ardhurat e tij dhe se kishte kaluar një kohë e gjatë. Ai theksoi se kishte dorëzuar dokumentacion për punësimin e tij të ligjshëm në Itali. Po ashtu, solli në vëmendje jurispudencën e -së, lidhur me mënyrën e analizimit të pasurive të krijuara përpara fillimit të detyrës.

Sipas subjektit, edhe nëse do të konsideroheshin vetëm të ardhurat nga pagat, bilanci negativ do të ishte i ulët duke mundësuar zbatimin e parimit të proporcionalitetit.

Një tjetër gjetje që relatoi Shuli për apartamentin në Tiranë kishte të bënte me një raportim të noteres që kishte hartuar kontratën e shitblerjes së apartamentit, panë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, DPPPP. Noterja në fjalë ka informuar Komisionin se kishte raportuar në DPPPP lidhur me pagesën e çmimit të këtij apartamenti, duke u shprehur se kishte shërbyer një dhurim nga vëllai i bashkëshortes së subjektit, i cili punonte në Greqi.

Sipas relatores, ky raportim i noteres bie në kundërshtim me deklarimet e subjektit. Po ashtu, ajo shtoi se kunati rezultonte me pamundësi financiare.

Prokurori Cara theksoi se ai kishte deklaruar gjithmonë të njëjtat burime, të ardhurat e tij e të bashkëshortes. Raportimin e noteres subjekti e cilësoi si të pavërtetë, se mund të ishte krijuar prej saj në keqperceptim i bisedave mes tij dhe bashkëshortes për shuma të vogla që familjarët kishin dhuruar me rastin e lidhjes së martesës nga familjarët, ashtu si ndodh në çdo familje.

Subjekti ka deklaruar edhe një apartament tjetër me sipërfaqe 72 m2, të blerë në në vitin 2012 kundrejt çmimit 16 mijë euro. Si burim krijimi dhe për këtë pasuri ka deklaruar të ardhurat nga viti 1995 e në vijim.

KPK konstaton pamundësi në shumat 212 mijë lekë dhe 500 mijë lekë për shlyerjen e kësteve të kësaj pasurie.

Sipas Shulit, subjekti nuk ka deklaruar në vijim punimet shtesë dhe as burimet e tyre. Ndërsa në vijim ka një kredi me qëllim arredimin e apartamentit dhe blerjen e një makine.

Nisur nga fakti se Cara nuk ka deklaruar detyrime për punimet dhe mobilimin, ndërkohë që ka shpjeguar se pagesat i ka kryer cash, KPK nuk e ka konsideruar kredinë si burim për rifiniturat dhe arredimin.

Shuli pohoi se duket se prokurori Cara nuk ka shënuar në deklaratën veting gjithë vlerën e apartamentit dhe se ka kryer pasaktësi në deklarimin e kredisë si burim për rifiniturat dhe mobilimin. Për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi për blerjen e kësaj pasurie si dhe për punimet shtesë në vite.

Prokurori Cara shpjegoi në seancë se në deklarimin e çmimit të apartamentit ishte bazuar në kontratën e shitblerjes. Ai sqaroi se apartamenti kishte pasur të pakryera rifiniturat dhe se ishte blerë me kursimet cash që i kishte pasqyruar dhe në deklaratën para fillimit të detyrës.

Ai pohoi se kredia kishte shërbyer për punime tek apartamenti në Tiranë dhe jo për blerjen e apartamentit në Sarandë. Ai kërkoi që deklarimi i kredisë të konsiderohet si lapsus, ndërsa këmbënguli se sipas analizës financiare të tij kishin pasur burime për kryerjen e këtij investimi.

Relatorja Shuli paraqiti në vijim një panoramë të ndërlikuar transaksionesh financiare të kryer mes bashkëshortes së prokurorit Cara dhe familjarëve të saj, dy hallave, bashkëshortëve dhe fëmijëve të tyre, prej vitit 2000 e në vijim.

Nga sa u relatua në seancë u mësua se familjarët e bashkëshortes së subjektit, kishin lëshuar prokurë të posaçme për këtë të fundit për blerjen e një apartamenti dhe një njësie në Tiranë për llogari të tyre, si dhe rezultonin llogari dyemërore ku ajo kishte të drejtë për depozitimin dhe tërheqjen e vlerave monetare.

Po ashtu, rezultonte se bashkëshortja e subjektit kishte administruar për vite qiranë e njësisë së shërbimit në pronësi të të afërmve, vlera që ishin depozituar në llogarinë e saj personale. Relatorja e cilësoi të paqartë këtë situatë, pasi pronari i njësisë kishte pasur vetë llogari bankare në një bankë ku kishte marrë kredi dhe mund ta kishte rregulluar depozitimin e qirasë në atë llogair me qëllim shlyerjen e kësteve.

Shuli konstatoi paqartësi dhe në kalimin e disa shumave të konsiderueshme në llogarinë e bashkëshortes së subjektit nga familjarët e saj, kur ata kishin disponuar vetë llogari bankare. KPK i ka konsideruar disa shuma të depozituara si pasuri të bashkëshortes së subjektit dhe janë përfshirë në analizën financiare.

“Duket se bashkëshortja e subjektit është sjellë si pronare”, deklaroi Shuli e cila e pyeti subjektin në fund të seancës se çfarë interesi kishin pasur bashkëshortja dhe familjarët e saj në kryerjen e këtyre veprimeve.

Prokurori Cara deklaroi se kjo ishte një qasje e hershme e bashkëshortes së tij në raport me familjarët e saj, që prej vitit 2000, përpara se të njiheshin. “Ka qenë ndihmë e saj e pastër dhe e sinqertë për familjarët”, pohoi ai dhe shtoi se vëllai i bashkëshortes jetonte në Greqi me këta familjarë.

Subjekti theksoi se ishte e provuar se shumat e transferuara kishin si burim të ardhurat e familjarëve të bashkëshortes dhe se u ishin rikthyer. Ai këmbënguli se bashkëshortja nuk kishte pasur asnjë lloj interesi. Në vijim argumentoi se rezulton se prej vitit 2011 kur familjarët e bashkëshortes janë kthyer i administrojnë vetë pasuritë e tyre.

Komisioni e ka ndarë në dy pjesë analizën financiare për prokurorin Cara, ku për periudhën para fillimit të detyrës është konstatuar bilanc negativ në vlerën 3.1 milionë lekë dhe gjatë viteve 2009-2016 pamundësi në shumën rreth 2 milionë lekë.

Prokurori Cara kërkoi që familjarët e bashkëshortes me të cilët ajo kishte kryer transaksione financiare prej vitit 2000 e në vijim, të mos konsiderohen si persona të lidhur. subjekti këmbënguli se familja e tij nuk kishte pasur ansjë përfitim apo interes nga ato transaksione që i kishte kryer bashkëshortja me qëllim për të ndihmuar të afërmit.

Sipas subjektit, duke mos u përfshirë në analizë likujditetet që u përkasin të afërmve të bashkëshortes, si dhe duke reflektuar ndryshimet në përllogaritjet e shpenzimeve të udhëtimeve, përdorimit të një kredie të marrë në 2010-ën, si dhe shpërndarjen e shpenzimeve për apartamentin në Sarandë, analiza financiare për vitet 2009-2016 kur ai ka ushtruar detyrën e prokurorit mund të rezultojnë me një bilanc negativ në shumën 159 mijë lekë.

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar raport pozitiv për prokurorin Cara lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, që është gjetur i drejtë dhe nga KPK.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në dosjet e përzgjedhura nga subjekti dhe ato të shortuara në kuadër të rivlerësimit profesional. Ndërkohë, nga pesë denoncime që janë depozituar në Komision prej publikut, i janë kërkuar shpjegime për një prej tyre.

Shuli shpjegoi se shtetasi N.D. ka pretenduar se subjekti nuk ka kryer hetime për kallëzimet e kryera prej tij dhe ka vendosur në dispozicion të KPK-së katër vendime mosfillimi. Sipas relatores, nga verifikimi akteve duket se Cara nuk ka kryer asnjë veprim për verifikimin e kallëzimeve.

Prokurori Cara deklaroi në seancsë se në vendimet e mosfillimit ishte bazuar në parimin kryesor të procesit penal, atij të sigurisë juridike. “Kam vlerësuar se një hetim paralel do të cënonte sigurinë juridike”, pohoi ai dhe shtoi se kishte hequr dorë kur denoncuesi kishte kryer kallëzim ndaj tij.

Në përfundim prokurori Artura Cara kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 21 korrik, në orën 09:45.