Shqipëria, me përqindjen më të ulët të mbështetjes financiare, që BE dha për Ballkanin
Bashkimi Europian është nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të Ballkanit Perëndimor, por të dhënat e analizuara për vitet 2007 dhe 2020 nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike tregojnë se Shqipëria kishte përfitimet më të ulëta.
BE-ja ka qenë aktive në rajon me mbështetje buxhetore, e cila përfshin transferta të drejtpërdrejta financiare për organet publike dhe kompanitë private të vendeve partnere, të cilave në këmbim u kërkohet të kryejnë reforma të zhvillimit të qëndrueshëm.
Mbështetja totale buxhetore e konsumuar për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë dhe vendet e Partneritetit Lindor nga BE arriti në 2.4 miliardë euro në 2020.
Ndarja e angazhimeve sipas vendeve tregon se Turqia mbetet marrësi më i madh i mbështetjes buxhetore të BE-së për sa i përket vëllimit (42% e mbështetjes totale të alokuar për rajonin në vitin 2020), e ndjekur nga Serbia (16%).
Nivelet më të ulëta të mbështetjes buxhetore iu ndanë Shqipërisë dhe Kosovës (përkatësisht 2.3% dhe 2.5%), thuhet në studim (shiko grafikun e mëposhtëm).
Në vitin 2007, Shqipëria kishte marrë rreth 6% të mbështetjes buxhetore, duke ia kaluar Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Në të dyja periudhat e marra në shqyrtim, Serbia është vendi i rajonit që ka arritur të tërheqë më shumë fonde.
Së fundmi, Komisioni Europian konfirmoi se ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II, një program për bujqësinë, i cili pritej ta rriste ndihmën në masën 146 milionë euro.
Sulmet e Rusisë riorientuan mbështetjen e BE-së
Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë ka pasur një efekt të thellë në ndërlidhjen financiare të BE-së me rajonin, veçanërisht me fqinjët e saj Lindore. Përveç dhënies së statusit kandidat në BE për Ukrainën (dhe Moldavinë), BE-ja ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj buxhetore për Ukrainën.
Që nga marsi i vitit 2023, BE-ja, shtetet e saj anëtare dhe institucionet financiare evropiane kanë mobilizuar kolektivisht 35.9 miliardë euro ndihmë buxhetore për Ukrainën që nga fillimi i luftës.
Kjo shumë është dhjetë herë më e madhe se, shuma totale e mbështetjes buxhetore të alokuar për vendin gjatë dhjetë viteve të mëparshme. Në të kundërt, Bjellorusia është bërë më e izoluar nga BE-ja për shkak të sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj saj për mbështetjen e saj ndaj agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Përveç kësaj, lufta ka ndërprerë rikuperimin pas COVID-19, sidomos hyrjeve të IHD-ve në shumë vende të Rajonit. Ekspertët e Vjenës analizojnë se disa vende duket se kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër të BE-së dhe zhvendosja e kompanive evropiane larg zonës së luftës.
Gjithashtu ambiciet e Kinës në rajon janë forcuar, siç dëshmohet nga vlera e lartë e projekteve të saj të investimeve “Greenfield”.
Rusia, përkundrazi, ka tërhequr praninë e saj financiare nga rajoni, pasi i duhet të merret me problemet e veta ekonomike, të shkaktuara nga niveli i paprecedentë i sanksioneve ekonomike të vendosura nga Perëndimi./Monitor/