Projektligji për Mjekësinë, Xhixho kërkesë Nikollës për studentët: Nuk janë dëgjuar, të bëhen pjesë e seancës
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, kërkoi sot në seancën plenare që studentët të bëhen pjesë e diskutimit për projektligjin “Për trajtimin e veçantë të studenteve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme”, i cili është në rendin e ditës.
Në bazë të nenit 31, pika 2 e Rregullores së Kuvendit, Xhixho kërkoi lejimin e studentëve në sallë, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësia të dëgjohen për ligjin që prek direkt të ardhmen e tyre.
“Në relacion ka zero konsultime, në Komisionin e Ligjeve nuk janë lejuar të bëjnë debat të hapur për një vendim që cenon jetën e tyre. Ju që keni mohuar largimin e të rinjve nga vendi, që e keni kthyer atë të pashpresë, merrni sot vendime komuniste të pakonsultuara me ata që preken direkt nga ky projektligj. Ndërkohë që ne vendosim këtu, studentët ekselentë janë në protestë. Ndërkohë që në këtë Kuvend kanë hyrë kriminelë dhe persona me precedentë penalë, ne nuk lejojmë studentët të bëhen pjesë e seancës. Pse ? Ky është parlamenti i gjithë qytetarëve shqiptarë. Ndaj kërkoj që ata të bëhen pjesë e seancës, të kenë mundësi të parashtrojnë argumentet e tyre, gjë që deri tani u është mohuar”, tha ajo.
Xhixho theksoi se pengmarrja e diplomës nuk mund të jetë kurrsesi mekanizmi që frenon ikjen e të rinjve.
“Ata e kanë thënë qartë: nëse doni që zogjtë të rrinë në fole, mbillni pemë dhe jo kafaze. Studentët duhet të kenë mundësi të shprehen në parlamentin e tyre”
KËRKESA
Drejtuar: Znj.Lindita Nikolla
KRYETARE E KUVENDIT
Lënda: Kërkesë për ndryshim të rendit të ditës
E nderuar Znj.Kryetare,
Meqenëse në seancën e sotme është parashikuar në rendin e ditës që të shqyrtohet Projektligji “Për trajtimin e veçantë të studenteve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë” dhe nisur nga fakti se ky projektligj ka një rëndësi të madhe për studentët e mjekësisë, pasi kjo vendimmarrje prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhmen e tyre;
referuar nenit 31, pika 2 të Rregullores së Kuvendit kërkoj të shtohet një pikë në rendin e ditës për t’iu dhënë mundësinë studentëve që të dëgjohen dhe të jenë pjesëmarrës në këtë seancë plenare duke iu dhënë mundësinë që të parashtrojnë argumentet e tyre për një vendimmarrje sa më të mirë të çdo deputeti në interes të publikut.
Duke ju falënderuar dhe shpresuar në miratimin e kësaj kërkese,
Me respekt
Deputete
Erisa Xhixho