Wed, Nov 27, 2024

Drejtori i AMF raporton në Kuvend: Pas luhatjeve të vitit të kaluar, tregjet financiare iu kthyen trendit rritës

  • PublishedJuly 20, 2023

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete prezantoi sot, më 20 korrik 2023, në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë, raportin mbi veprimtarinë e Autoritetit gjatë vitit 2022.

Z. Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore përgjatë vitit të kaluar, ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje, si edhe paraqiti objektivat kryesore për periudhën në vazhdim.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se viti 2022 ka pasur një sërë zhvillimesh të rëndësishme në tregjet financiare jobankare, si edhe në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Pavarësisht ndikimeve në segmente të caktuara të tregjeve nën mbikëqyrje gjatë vitit të kaluar, për shkak të presioneve inflacioniste, aktualisht këto tregje shfaqen të qëndrueshëm dhe i janë rikthyer trendit rritës.

Tregu i sigurimeve vijoi konsolidimin e treguesve, rritje të primeve të shkruara bruto dhe rritje të dëmeve të paguara në numër e në vlerë. Raporti i numrit të dëmeve pezull kundrejt totalit të dëmeve të raportuara në tregun e Jo-Jetës zbriti në nivelin më të ulët historik.

Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka dhënë impakt të konsiderueshëm në treg, duke sjellë uljen e shpenzimeve të marrjes në sigurim, reduktimin e praktikave të mbartura të Fondit të Kompensimit, ku ndikim pati edhe aplikimi i siguruesit të drejtpërdrejtë, si edhe përdorimin e Raportit Evropian të Aksidenteve.

Ndërhyrjet ligjore sollën gjithashtu përmirësim të ndjeshëm të situatës me Byronë Shqiptare të Sigurimit, e cila doli nga monitorimi thuajse 10-vjeçar i Këshillit të Byrove.

Në tregjet e kapitalit, subjektet përfunduan procesin e përshtatshmërisë me kërkesat e ligjit të ri, si edhe zgjeruan licencat, duke diversifikuar shërbimet e investimit dhe instrumentet financiare të ofruara për investitorët.

U plotësua më tej baza ligjore e nënligjore dhe infrastruktura e tregjeve të kapitalit. Bordi i Autoritetit miratoi prospektin e parë të një shoqërie tregtare për emetim obligacionesh me ofertë publike.

Z. Mete u shpreh se viti i kaluar solli avancime të rëndësishme ligjore e rregullatore dhe Autoriteti mori vlerësime nga Komisioni Evropian sa i përket harmonizimit të legjislacionit me acquis e BE-së. Gjithashtu, Autoriteti shënoi përparim domethënës në vlerësimin e bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS).

Në raportin përfundimtar, rezultoi një nivel i lartë përputhshmërie, ku nga 24 Parime Themelore Bazë, 10 u vlerësuan plotësisht të përputhura me parimet ndërkombëtare dhe 12 të tjera të përputhura gjerësisht.

IAIS vlerësoi se “AMF ka ndërmarrë reforma të gjithanshme gjatë viteve të fundit, duke forcuar ligjin kuadër, si edhe rishikuar ligjet dhe rregulloret në tregun e sigurimeve. Progresi është udhëhequr nga objektivi i përafrimit me kërkesat e BE-së. Aktiviteti rregullator karakterizohet nga objektiva të qarta dhe pavarësi institucionale, ekziston një kuadër ligjor i zhvilluar për licencimin, veprimet e tjera rregullatore, kërkesat për përshtatshmëri, mirëqeverisjen dhe menaxhimin e riskut, përfshirë risqet e lidhura me risigurimin.”

Në fund të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se Autoriteti, në mbështetje të strategjisë 2023-2027, do të vijojë të kontribuojë në nxitjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e sigurt të tregjeve financiare nën mbikëqyrje, vijimin e procesit të përafrimit të akteve ligjore e nënligjore me direktivat evropiane, mbrojtjen e konsumatorit dhe investitorit përmes rritjes së kërkesave për transparencë dhe informacion nga subjektet e mbikëqyrura, zhvillimin e financimit të gjelbër, si edhe thellimin e proceseve të digjitalizimit dhe përmirësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit.

AlbaniaWeb.net