Afera e inceneratorëve/ “Duhet të ndahej përgjegjësia personale nga ajo kolektive”, avokati: Procesi i hetimeve të jetë më i shpejtë!
Avokati Sokol Hazizaj, në emisionin “Frontline” në “News24” foli për çështjen e inceneratorëve.
Gjatë bisedës në studio me gazetaren Marsela Karapanço, ai theksoi si shumë të rëndësishëm faktin për të ndërmarrë nisma ligjore për të ndarë përgjegjësitë, nga ajo individuale dhe kolektive.
Sipas tij në rastin e inceneratorëve hallka më e fortë që duhej shqyrtuar ka qenë ai që e ka projektuar, Këshilli i Ministrive.
I ndalur tek çështja e Arben Ahmetajt, avokati tha se në reagimin e tij ka pasur një mungesë të theksuar kulture juridike.
“Ka një mungesë kulture juridike formale e shpjeguese që të vjen keq që të kesh pasur një ministër të Republikës së Shqipërisë. Por organi i hetimit nuk duhet të abuzojë të dyshimit të arsyeshëm të kryerjen e korrupsionit. Ky dhe shokët e tij prunë stilin e të jetuarit nëpërmjet “Instagramit”, vilave e luksit. Këta prunë një format tjetër, duke ardhur nëpërmjet rolit të fasadës nuk menduan që gjithë kjo fasadë mund të binte mbi kokat e tyre. Ky guxim që merr organi i hetimit përse duhet përgëzuar, nuk ka ndodhur ndonjëherë që vetë mazhoranca të ketë çuar në akuzë zv.ministrin e saj, pra nuk ka ndodhur që të puthiten interesat e opozitës me interesat e kryeministrit. Por zgjedhjet që bën kryeministri ynë, të bashkëpunëtorëve të tij kanë qenë të pamaturuara, edhe jo të ligjshme. Fakti që dërgon ministrat e vet para organeve të drejtësisë për projekte të përbashkëta tregon mungesën e maturimit. Faji i vetëm i këtyre është që duke pasur vite në pushtet i kanë pasur të gjitha mundësitë ligjore për të bërë ndryshimet në ligjin për koncensionet, duhet të merreshin nismat ligjore për të ndarë përgjegjësinë individuale nga përgjegjësia kolektive. Hallka më e dobët në rastin e inceneratorit ka qenë Lefter Koka, Alqi Bllako e të tjerë dhe hallka më e fortë ka qenë ai që e ka projektuar që janë Këshilli i Ministrive, më pas Bashkitë më pas të gjitha me radhë. Ndaj domosdoshmërit duhej bërë ndryshimi i kuadrit ligjor, jo për të justifikuar veprimtarinë kriminale, por për të ndarë përgjegjësinë”, tha avokati Hazizaj.