Wed, Nov 27, 2024

Kronika satirike/ Gjekmarkaj: Ndarja e përmallshme me Joridën, do largohet nga vendi. Ulsiu u jep gajret ‘ministrusheve’ pas arratisë së ‘Tigrushit’. Babo dhe Bela….

  • PublishedJuly 20, 2023

Nga Agron Gjekmarkaj;

Kronika e pasdites dhe ndarja e përmallshme (pjesa e dytë)

Lajmi se Jorida do largohej nga vendi për një kohë të gjatë na ra si grusht në stomak. Të gjithë shihnim në sy njëri-tjetrin, ç’të keqe i bëmë, me se e munduam ?! Dikush mbytej në gugama e qarje, të tjerë mundeshin nga pikëllimi.

Ndonjë hallakatej në dhimbje i pafuqishëm që të përballojë të tilla mungesa. E ndjeshme siç është ajo se mban dot gëzimin për triumfin e Liderit të vogël historik me 29 Korrik ndaj të ikja gjet shpëtimin.

Kjo ndarje e përmallshme e ndau në dysh Saimir Korreshin si thika shalqirin që në Kuvend solli. Gaz Bardhi i cili mërzinë dhe gëzimin i përcjell njësoj ishte i vetmi që qeshte në këtë zezonë Madje edhe Salianji për të cilin thuhet se në vend të zemrës ka një gur të madh sa një bina se mbajti dot veten e për ti shpëtuar zhburrnimit tek Qerreti gjet strehë. Bernard Banushi me 300 kalores do ti sigurojë dalje të qete nga skena e verës si njeriu i negociatave të mëdha.

Kosta i Gramozit dhe Linditës lart nga llozha na rrinte përsipër si shpata e Demokleut apo dora e xhebrailit. Prej atij ballkoni lëshonte anatema e nama sa herë lakohej  emri i Babos për keq. Moskuptimi ndaj pohimeve kësodore ishte shfaqur dell në shteg të ballit sa një kallmboq. Mos bëfshi hajër, mos bëfshi hajër një sokëllimë e zvargur binte mes nesh.

Bora ka vënë syzet dhe po lexon literaturë si të shmangim dehidratimin në stinën e verës dhe herë pas here qesh me gëzim për të rejat që mëson. Tao kthen kokën dhe e pyet ç’ke? Ajo i gjegjet  “dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë.  Ikonomi i shpjegon Evisit recetën e re të petullave që nuk marrin vaj një ekuilibër perfekt  mes një luge sheqer dhe një me kripë, një veze e pak kos, dalin që ti hash plot neps.  Aty u afrua edhe Nikoqiri Niko i cili nuk bindej dhe shamatohej për një recete tjetër. Delina u jepte të drejtë të treve duke tundur gëzueshëm kokën. Ku shkon Ulsiu aty ndihet hukama e gazit. Edhe në këto ditë errëta pas arratisë së Tigrushit ai e gjen forcën për tu dhënë gajret , gaz e shpresë ministrusheve të myrretyera nga pasiguritë e shtatorit ku thuhet se Babo do ti bëjë shumicën kukurec. Gerta nuk e vuri buzën në gaz megjithëse Olta i tregoi dy a tre barsaleta. Mërzia e Gertës më sembon.

Braçja sot u nxeh keq  dhe na fyeu rënde në kujtesën tonë historike kur ai tha “ ju merreshit me Lulin  kur pëllitjet e gëzuara komentoja  pasi lopët dilnin nga akademia por atë e kam njohur për gjumash jo për lopë” se Doktori e akuzoi për therje  badihava në Divjakë.  Po flet Dash Sula dhe dridhet fëmija në bark të nënës. Zëri i tij kumbon si jeh i të vërtetave shekullore. Ermua vetë që emocionet nuk a fal dokujtdo u hutua  në magjepsje.

Arben Pëllumbi pasi na dha sihariqin sesi Veziri i madh Tao po flet me sekretaren e shtetit të Anglisë na shihte me dhimbje e ç’mërzitje-pse nuk gëzoheshim, pse nuk prekeshim për këtë arritje, pse nuk ndanim të njëjtin besim!?  Bela u pa me Babon duke bërë shëtitje rrugëve të reja me një makinë të zbuluar dhe këtë lajm na e dha Gaz Bardhi për t’ju plasur shpirtin gjithë atyre që do donin të hipnin në atë makinë.

Zheni Bebi Gjergji ja doli më në fund të bashkonte opozitën duke patur në krah edhe Doktorin edhe Krye Zëvendës Liderin. Xhelozia na u shfaq si njollat e yndyrës mbi xhaketë. Në tryeze të zhuritur për bashkim  u ulem unë, Edi Paloka, Bujar Leskaj Dash Sula  dhe Xhele Mziu gjithnjë e më i vendosur në bindjet e veta. Desh nxorëm pisqollat si krushqit pas dasme, duke u përbetuar për bashkim. Ndërhyrja e Leskajt na kthjelloi. Ai citoi hazretin Lenin megjithë përbuzjen që ka për të “e thyejmë unitetin duke u çirrur për unitetin”.

Majko duket si poet buzë lumit tek pret kthimin e Mamices për ti dhënë zjarr barotit. Krifca u kthye , mu thaftë goja që thashë se Babo do e qortojë , më  duket qamet e mërzitur. Ajo e ka kuptuar gabimin.  Vetëm njeriu i drejtë Niko po e ngushëllon. Petrua merr shënime dhe kellaset në të thella për të thënë gjëra që nuk i prishin qederin. Lefter Geshtenja me çekiç në dorë theu arrat e qeverisë. Lindita dëgjon fjalimet si mësuese e duruar dhe ve notat në fund.( vazhdon nesër)

AlbaniaWeb.net