Thu, Nov 28, 2024

“Besova te Partizani, Vllazni e brishtë”, Gjoka këshillon Tiranën: Iu duhet agresivitet, sot nuk vlen historia (VIDEO)

  • PublishedJuly 20, 2023

Skuadrat shqiptare do të zbresin në fushë për ndeshjet e kthimit të turit të parë të Conference League. Tirana ka barazuar 1-1 në aktin e parë me Dinamo Batumin, po 1-1 është ndarë edhe Egnatia me Ararat-Armenia, ndërsa Vllaznia ka një mision të vështirë përpara, pasi duhet të përmbysë disfatën 3-1 ndaj Linfield. Ecuria e Partizanit në Champions League përfundoi më shpejt se ç’ishte menduar, pasi të kuqtë kishin barazuar 1-1 në sfidën e parë, ndërsa në takimin e kthimit u mundën 2-0 nga Bate Borisov. Rreth asaj çka po ndodh me ekipet shqiptare në arenën europiane foli trajneri i njohur, Ernest Gjoka, në një intervistë ekskluzive për moderatoren Trevisa Tufa, në News 24.

E nisim me Tiranën, Shehi deklaroi se kualifikimi është i hapur. Çfarë duhet të bëjë ndryshe Tirana nga ndeshja e parë për të kaluar në turin e dytë?

Unë mendoj që Shehi e ka të drejtë kur e thotë këtë pasi kërkon të shtyjë përpara. Tirana duhet të jetë një skuadër më e organizuar taktikisht dhe më agresive.

Para 3 vitesh Tirana fitonte 0-2 ndaj Dinamo Tbilisi, një ekip më i fortë se Batumi. Sa vlen kjo në aspektin psikologjik, apo ndeshja nuk i ngjan ndeshjes dhe do jetë tjetër histori?

Para dy vjetësh është larg, Tirana ka qenë ndryshe dhe me mentalitet ndryshe. Tani trajneri është tjetër. Edhe pse ndonjëherë thuhet që për skuadrat e mëdha mund të jetë sfidë pozitive pasi para disa vitesh ka kaluar një ekip të atij shteti. Duhet të kemi besim tek më e mira. Tirana duhet të bëjë maksimumin.

Më e fortë kjo Tiranë nga ajo që e mbylli sezonin? Sa shanse i jepni ekipi bardheblu për të shkuar në turin e dytë?

Unë mendoj që është me e fortë. Tirana e vuajti shumë vjet pjesën e lojtarëve. Tirana ka marrë lojtarë që e dinë sa vlen kampionati shqiptarë, pra ka marrë lojtarë që e njohin mentalitetin shqiptar dhe nuk kanë nevojë për përshtatje.

Gjoka, Vllaznia e ka të vështirë misionin e kualifikimit, por si trajneri, si futbollistët, por edhe tifozët besojnë. Në gjykimin tënd, ka vërtet potencial Vllaznia të përmbysë humbjen 3-1?

Unë nga kronikat e ndeshjes  që pashë, m’u duk e brishtë Vllaznia. Ka ikur shumë cilësi nga skuadra, por pse mos të besojmë. Mua personalisht kualifikimi më duket mision i vështirë.

Profesor, Egnatia duket më favoritja për të ecur më tej në Evropë. Trajneri Tetova pranoi se ekipi nuk ka përvojë, sa vlen eksperienca në kupat e Evropës, mbaj mend që Tottenham mundi Shkëndijën e Tetovës vetëm nga emri, pasi në fushë nuk u panë shumë diferenca…

Ndoshta edhe emri është i rëndësishëm. Tetova ka të drejtë kur thotë që eksperienca është gjë e madhe. Me Flamurtarin dikur përballeshim me një skuadër gjeorgjiane, por nuk e njihnim. Sot gjëja kryesore në Europë është që të kesh përvojë. Gjithashtu, vlen edhe eksperienca e lojtarëve.

Një koment edhe për Partizanin…Vërtet ishin të pafat kampionët apo çaloi diçka?

Po ta shikosh ndeshjen në tërësi, ndeshja foli për Partizanin. Nuk mjafton kjo në futboll, në futboll duhet të shënosh gol. Bate nuk ishte kampione në fuqi. Bate është një skuadër modeste, nuk është më ajo që dikur luante në grupet e Champions League. Pra, diferencat janë të frikshme, vendi i parë në Shqipëri humbet me vendin e katërt të Bjellorusisë. Mendova se Partizani do kishte mundësinë e artë për t’i dhënë diçka futbollit shqiptar.

Partizani do të përballet me një ekip modest, me kampionët e Andorrës. Kualifikimi bëhet detyrë kësaj here, apo nuk ka më skuadra të lehta?

Futbolli ka çudira, prandaj është i bukur. Nuk e pranoj befasinë me këtë raund dhe me këtë nivel rivali. Partizani e ka mundësinë.

()

AlbaniaWeb.net