Tue, Nov 26, 2024

SPAK i dorëzoi urdhërarrestin, Policia e Shtetit: Kemi nisur kërkimet për Arben Ahmetajn, kontrolle në disa banesa të tij dhe të familjarëve

  • PublishedJuly 21, 2023

Prej ditës së djeshme pasi SPAK i dorëzoi urdhërarrestin, Policia e Shtetit deklaron ka nisur kërkimet për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Konkretisht, Drejtoria kundër krimit ekonomik ka nisur kontrollet në disa banesa të Ahmetajt për ta gjetur atë fizikisht. Kërkime janë bërë edhe në banesat e familjarëve të Ahmetajt. Kërkimet do të vazhdojnë deri sa të krijohet bindja që Ahmetaj nuk ndodhet në territorin shqiptar.

Shpërndarja e urdhër arrestit në strukturat e policisë erdhi pasi Gjykata e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, miratoi kërkesën e prokurorisë për masën arrest në burg në mungesë për ish-zyrtarin e lartë.

Edhe pse avokatët e Ahmetajt kanë pretenduar se ky i fundit ndodhet në Britaninë e Madhe, strukturat e policisë mësohet se po kërkojnë brenda vendit për ekzekutimin e masës së vendosur në mungesë nga gjykata, sipas procedurës.

Krahas kërkesës drejtuar gjykatës për masën me burg, SPAK mësohet se i kishte kërkuar policisë paraprakisht informacion për vendndodhjen e Arben Ahmetajt, gjë e cila është vënë në dispozicion nga ana e policisë së shtetit.

AlbaniaWeb.net