“Jam i lumtur”, Presidenti Halili: Arritje e madhe e Tiranës, nuk flas për Besiktasin
Presidenti i Tiranës, Refik Halili ka dhënë opinionin e tij për Panorama Sport, pas kalimit të skuadrës në turin e dytë të Conference League.
“Jam shumë i lumtur. Falënderoj të gjithë skuadrën, trajnerin Shehi, skuadrën, drejtorin dhe gjithë stafin që nga punëtori deri tek maja e skuadrës. Falënderoj në veçanti tifozët, të cilët i përshëndesim nga larg dhe iu them që të na mbështesin më shumë se sa na kanë mbështetur deri tani. Është një arritje shumë e madhe për klubin tonë, sepse kemi bërë blerje të reja goxha të rëndësishme, por ama është një ekip i sapondërtuar. Mendoj që prurjet e reja kanë treguar vlera dhe janë futbollistë me eksperiencë të cilët zbatuan më së miri të gjitha detyrat që trajneri u kishte dhënë. Edhe unë me shumë kureshtje e kam ndjekur se çfarë do të bënin, por u duk roli i trajnerit.
Sa kisha besuar te ky kualifikim? Të them të drejtën besimin ma ka dhënë stafi dhe futbollistët, të cilët më deklaruan para ndeshjes se kishin shumë besim se do të kualifikoheshin sepse janë një grup shumë i mirë dhe se do të bënin të pamundurën. Beshiktashi? Do të flasim një herë tjetër për këtë, ju përshëndes”, – Tha ai.
Ekipi bardheblu, pas barazimit 1-1 në aktin e parë ndaj Dinamo Batumit, në ndeshjen e kthimit triumfoi 1-2.
()